Mumtas Dhrami, rrëfimet e një mjeshtri në studio! Mbi 60 vite të jetës me skulpturën

Shenja e parë që ai do të bëhej skulptor ishte vetë balta që preku për herë të parë, ishte bota e imazheve të mahnitshme, me historitë, misteret, legjendat e saj, në qytetin e lindjes, Gjirokastrës, nga i cili u largua në moshë shumë të re.

“Në Gjirokastër kam lindur. Në lagjen Palorto. Por ika herët nga Gjirokastra. Në atë qytet kam kujtimet, ndjenjat dhe emocionet që i mbart gjithmonë me vete” -thotë skulptori Mumtas Dhrami.

Për skulptorin Mumtas Dhrami, Gjirokastra është burimi i gdhendjes së poetikes në gurë. Ky qytet e nisi drejt rrugëve të artit….

Mumtas Dhrami lindi më 10 nëntor të vitit 1936. 

Vitet e studimit i kreu në Akademinë e Shën Petërsburgut, në Rusi, dhe si u kthye vijoi një jetë me krijimtari intensive.

Duke xhiruar bashkë me të në studio vërejmë atë merakun e tij për të rregulluar detaje në veprat e krijuara. U vjen rrotull, i sheh, u fshin pluhurin. Diku gdhend një mbresë të re….

Çdo ditë, një jetë, ka qenë kështu…

Puna nis me entuziazëm dhe emocion, por hera-herës edhe me frikë nga të papriturat dhe enigmat që të ngre materiali me të cilin punon.

Janë mbi 60 vjet të jetës artistike të Mumtas Dhramit dhe betejat më të bukura zhvillohen në këtë studio…

“Në këtë studio kemi punuar monumentin “Nënë Shqipëri”. Prandaj është kaq e lartë. Kemi punuar shumë vepra që janë derdhur monumente në gjithë vendin. Tani kjo studio pikon sa herë bie shi dhe veprat dëmtohen se janë punuar në allçi. Dikur ishte me ngrohje, me kalorifer që punonin me ujë. Kjo studio nuk duhet lënë të degradojë.”- thotë skulptori

Shtatores së Lasgush Poradecit i kanë mbetur vetëm pak grimca për t’u pastruar… është gati të derdhet në bronz.

Pritet të zgjidhet ndoshta një shesh a park i Tiranës nga Bashkia, që Lasgush Poradeci të jetë i pranishëm mes njerëzve.

Skulptori dhe poeti marrin e japin me njëri-tjetrin si në një proces rimishërimi….

“Unë e kam menduar se do të ishte më mirë tek liqeni. Ku pranë poetit të uleshin e të pushonin pak të moshuarit që shëtisin, si në një bisedë me poetin. Kushdo që mund të ulet pranë tij t’i kujtoj poezitë, të meditojë.”, -thotë Mumtas Dhrami. 

Na tregon një skicë të shtatores së Isuf Myzyrit…Kush më shumë se ai do ta meritonte një vend në qytetin e Tiranës.

“Askush nuk mendon për këto figura që i përkasin kulturës tonë. Isuf Myzyri e Meriton të vendoset në një nga parqet publike”

Për monumentin e Antonio Gramshit, artisti shpesh është paragjykuar. 

“Thonë është komunist Muntaz Dhrami që bën Antonio Gramshin. Antonio Gramshi ishte një idealist, që luftoi si i tillë. Njerëzit duhet ta njohin historinë dhe personazhet e saj përmes të vërtetës”-thotë ai.

Portretet dhe profilet e personaliteteve të shquara, janë skicuar dhe modeluar si te rrallëkush skulptor. Në koleksionin e tij gjenden heronj dhe metalurgë, partizanë e  punëtor të kantiereve dhe kooperativave.   

Fotografitë me miqtë nuk mungojnë, as skicat që ka bërë para se të realizojë veprat në shtatore apo buste. 

Besojmë se e kuptojmë përse Petro Markon e ka gdhendur kështu, rrethuar me këto elementë të Rivierës shqiptare.

“Petro Marko është një nga shkrimtarët që ka vuajtur më shumë. Një shkrimtar me karakter të veçantë.”   

Me tej është Naim Frashëri.  

Të gjithë e kemi njohur, e kemi parë dhe e kemi imagjinuar artistikisht. Si në këtë shtatore, jo…

“Naim Frashëri është një nga figurat më të shquara të letërsisë shqipe. Gjithmonë më ka tërhequr imazhi i tij”- thotë skulptori.

Një skulpturë druri ka marrë një krisje dhe kjo e bënë edhe më të bukur veprën. Madhështia e veprës bashkohet me monumentalen e natyrës.

*

Portrete në gur, në dru, në allçi, në baltë, gjithçka e fortë përpunohet për t’u bërë kaq delikate, kaq artistike.

Ky është busti i kolegut të ndjerë, i pararendësit skulptor, profesorit të tij dhe mikut Kristaq Rama. Ritakohen nga dy botë të ndryshme në studion ku kanë punuar dikur së bashku.

“Kemi punuar bashkë në këtë studio. Kam kujtime”

Kjo është shtatorja e Vaçe Zelës

“Tirana duhet ta ketë një monument të Vaçe Zelës. Bashkia duhet të mendojë që në sheshet publike të ketë monumente të njerëzve të shquar të Tiranës. Vaçe Zela e ka një monument në Lushnje që u realizua nga i ndjeri Arben Bajo. Por Vaçe Zela i përket edhe Tiranës”

Ai është skulptor i veprave monumentale, por statujat dhe skulpturat e dashurisë janë të pranishme. Mund të bësh edhe humor, duke biseduar rreth tyre

“Je ti kur ke qenë i ri tek ajo skulpturë, e pyes”.

Skulptori buzëqesh!

Mumtas Dhrami e di se të ngresh veprat në skulpturë është një rrugë e gjatë me lodhje e me mundim, por siç duket ndihet i shpërblyer me gëzimin e një krijimi të ri.  

Shpesh format, motivet siluetat ndërthuren në mënyrë të papritur, diku të qarta, diku ekspresive dhe enigmatike.

Një gur i fortë lumi i rrahur nga ujërat dhe nga koha, vetëm prej duarve të Mumtas Dhramit mund të zbutet në mënyrë kaq të mahnitshme.

Nëse ndihet i lodhur e lë një motiv, e pastaj nis diçka tjetër.

Ishte nëntor i vitit 1956, kur sapo kishte mbaruar studimet në Liceun Artistik; me portretin e motrës së tij “Vajza me shall” mori pjesë për herë të parë në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative në Tiranë.

Për temë diplome në vitin 1961 punoi heronjtë Çerçiz Topullin e Mihal Gramenon.

Mjeshtër për gdhendjen e veprave monumentale, në kompozime, profile, personazhe e portrete, ai ka lënë gjurmët e tij hapësirat shqiptare; me “Monumentin e Pavarësisë”, me “Nënë Shqipëri”, “Lufta e  Vlorës”, me “Obeliskun e arsimit”, në shtatoren e Konstantin Kristoforidhit, me monumentin e Drashovicës, me monumentin e Pezës, me shtatoren e “Lasgush Poradecit”, me të Isa Boletinit, me të “Dritëro Agollit” në Korçë e shumë të tjerë.

I dhimbset monumenti i Pavarësisë në Vlorë, i projektuar dhe realizuar në raporte të përkora me hapësirën dhe vizitorin. Tani që e kanë lëvizur nga vendi, artisti nuk është i qetë. Ai flet edhe në emër të bashkautorëve që sot nuk janë më, Kristaq Ramës e Shaban Hadërit. .

“Kur e kanë lëvizur Monumentin e Pavarësisë, nuk na kanë pyetur. Por e kanë zbritur nga piedestali në shesh. Në shkallët e atij piedestali ngjiteshin njerëzit. Tani monumenti ka humbur komunikimin me publikun. Duhet të pyesnin autorët para se të ndryshonin pozicionin. Kristaq Rama dhe Shaban Hadëri nuk janë më, por unë jam gjallë. Një vepër arti në shesh publik ka raporte të caktuara me hapësirën dhe komunikim me publikun. Ashtu si e kanë bërë ky komunikim humbet. Arkitektë duhet të komunikojnë me autorët. Në kompjuter mund të duket bukur projekti, por vepra që vendoset në një shesh publik ka parametra të tjera në marrëdhënie me hapësirën që e rrethon dhe komunikimin.”, thotë Mumtas Dhrami.    

Nuk ka qenë i lehtë suksesi i arritur, ndërsa në realizimin e një vepre i duhet të mbajë frymën përmes një procesi rutinë skicash, bocetesh, armaturash e saldimesh.

Studioja dykatëshe është mbushur me vepra, me bocete. Disa duket sikur mezi presin për të dalë në hapësirat e parqeve publike, disa duan muzeun e tyre, disa duan të paraqesin shenjat e koduara të duarve të artistit, që edhe duke mbajtur shume vite mbi supe, derdh mjeshtërinë në art.

Vepra pa fund. Të denja për një muze të artit kombëtar.

Nesër ato mund të shiten me shifra galopante ankandesh, por sot artistit supi i mbajtur pezull për dekada me radhë, i dhemb e dora i dridhet.

Një ditë nuk do të jetë më, por veprat, ku do ta kenë vendin e tyre..?

Një jetë mes baltës, pluhurit e allçisë, Mumtas Dhrami punoi e punon ende në materiale të rënda, në kushte asnjëherë të mira, por pasioni për të krijuar nuk shter.

Është kjo siç duket arsyeja që kur shkojmë për vizitë në studion ku ruan këto “thesare”, ai rend e frymëzohet nga dashuria për artin si një djalë i ri.

Në veprat e Mumtas Dhramit sheh përplasjet dramatike dhe emocionet e kohës që jetoi, angazhimin e tij si pjesë e rrugës në të cilën eci artisti shqiptar në kohë e kushte të ndryshme sociale, politike e estetike.

Skulptori e do muzikën, e do gruan, e adhuron njeriun. Veprat rrëfejnë... Veprat e Mumtas Dhramit kanë jetë, presin të jetohen, përjetohen.

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja