VIDEO/ Fitore pas 370 ditësh, Kombëtarja i shënon dy herë Armenisë në 'lamtumirën' e Reja-s! Shkëlqejnë lojtarët e Superligës, gol Skuka

FT/ Shqipëri 2-0 Armeni (Skuka 28', Asllani 62' (p))

Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi 2-0 miqësoren e zhvilluar në "Air Albania" kundër Armenisë pasditen e së shtunës. Pas 370 ditësh pa fitore, skuadra e Edy Rejas ia del të marrë një sukses përballë tifozëve, që nuk ishin më shumë se 4 mijë në stadium. Ndeshja u hap në minutën e 28 me golin  e sulmuesit të Partizanit, Xhuliano Skuka. Në pjesën e dytë, konkretisht në të 64 minutë Kristjan Asllani u tregua i saktë nga pika e bardhë e panalltisë. Pas këtij 90 minutëshi Edy Reja nuk është më "me letra" trajner i Shqipërisë.

Në përballjet mes Shqipërisë dhe Armenisë, kuqezinjtë kanë marrë katër fitore në po kaq ndeshje. Dueli i sotëm pa nga minuta e parë dy lojtarët e Superligës dhe konkretisht Partizanit, Xhuliano Skukën dhe Andi Hadroj. Nga minuta e parë edhe Muçi, me kuqezinjtë që dominuan takimin.

Qysh në minutën e katërt, tanët pretenduan për një 11 metërsh. Skuka lëvizi bukur në zonë dhe u ndal nga mbrojtja, por për arbitrin maqedonas Aleksander Stavrev 11 metërshi nuk qëndronte edhe pas konsultës me VAR. Paraqitje e mirë edhe nga Tedi Cara, që fitoi penalltinë e kthyer në gol nga Asllani në minutën e 62.

Pas humbjes 1-3 me Italinë tre ditë më parë po në "Air Albania", kuqezinjtë e mbyllin me sukses vitin. Ky ishte 90 minutëshi i fundit për Edy Rejan në stolin e Kombëtares, me kontratën e 77 vjeçarit që ka skaduar dhe në ditët në vijim do jetë temë kryesore për rinovimin ose jo.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:24
Futbollistët e Partizanit shkëlqyen me Kombëtaren, ish-i i kuq Ylber Ramadani: Kënaqësi e madhe ti shihja

Miqësorja e kombëtares kundër Armenisë ka qenë speciale për Partizanin dhe tifozët e saj, pasi shumë futbollistë të kësaj skuadre ishin në fushë. Nga minuta e parë luajtën Hadroi dhe Skuka, ndërsa në vijim u aktivizuan Bitri dhe Tedi Cara. Mirëpo kësaj kolonie i shtohet edhe mesfushori Ylber Ramadani, i cili në të kalurën ka qenë pjesë e të kuqve, ndërsa aktualisht luan te Aberdeen në Skoci.

“Disa ndeshje i kemi bërë shumë të mira, ndërsa disa të tjera jemi ndëshkuar nga gabimet tona, por duhet të vazhdojmë para. 4 futbollistë të Partizanit në fushë bashkë me ju? Shumë kënaqësi për mua sepse u ndjeva mirë kur shënonin dhe loznin mirë,”-u shpreh Ylber Ramadani, futbollist i kombëtares.

Përveç Skukës, pjesë e Partizanit, i cili realizoi golin e parë kundër Armënisë, edhe Cara, një tjetër futbollist i kuq, ishte vendimtar në golin e dytë duke fituar penallti që u realizua nga Kristjan Asllani.

Ora 20:34
Goli i parë me Kombëtaren, Kristjan Asllani: I lumtur që kënaqa tifozët

Shqipëria fitoi 2-0 në miqësore me Armeninë. Goli i dytë i ndeshjes u shënua nga Kristjan Asllani. Mesfushori i Inter ktheu në gol një 11 metërsh të fituar nga Cara. Pas ndeshjes elbasanasi u shpreh i lumtur.

"Është emocion i bukur të shënosh me Kombëtaren. Unë e bëra dhe jam i lumtur që kënaqa njerëzit që ishin në stadium. Sa herë jam në fushë dua të jap më të mirën, zgjedhjet i bën trajneri. Unë kam qejf të pasoj, edhe Skukës i thashë që të dilte më para për t'i asistuar", tha Asllani.

Ora 20:11
Edy Reja trajner 'pa letra', italiani flet pas fitores: Dua të vazhdoj me Shqipërinë, programoj grumbullime nga Superliga çdo muaj

Edy Reja foli pas fitores 2-0 që Shqipëria mori kundër Armenisë në miqësoren e zhvilluar në "Air Albania". Italiani kërkon të vijojë sërish në stolin kuqezi, me kontratën që i skadon në fundin e këtij muaji. Nëse do rinovojë, Reja ka në plan grumbullime çdo muaj për të parë cilësitë e lojtarëve të Superligës. Kujtojmë se 77 vjeçcari u ul në stolin e Shqipërisë në 17 prillin e 2019.

"Fitore në ndeshjen e fundit? Këtë nuk e di. Të shohim nëse është ndeshja e fundit për mua. E rëndësishme që e mbyllëm vitin me fitore. Lojtarët kanë treguar dëshirë dhe vullnet. Në mesin e fushës kemi bërë mirë dhe kjo është forma që duhet të tregojmë.

A do i ftonit lojtarët e Superligës nëse nuk do ishin miqësoret me Katarit dhe Arabinë Saudite, do guxonit? Unë i kam parë në kampionat, edhe nëse nuk jam fizikisht në Shqipëri i ndjek të gjitha ndeshjet. Do doja të bëjë grumbullim çdo muaj me lojtarët e Superligës nëse klubet do ma lejojnë dhe jo një herë në kaq kohë. Në tavolinë ka shumë zgjedhje, ka lojtarë të rinj shumë të mirë dhe ne ndërhyjmë duke dashur të bëjmë më të mirën. Nëse do vijë dikush tjetër trajner, emrat e lojtarëve janë në tavolinë. Nëse do jem unë, e di se ku duhet të ndërhymë.

Cili lojtar është gati për ndeshjet zyrtare nga ata që debutuan me Armeninë? Janë të gjithë të mirë, Skuka tregoi se vlen. Hadroj ka rezistencë, nëse bën më mirë në anën teknike do bëhet i rëndësishëm. Bitri po bën mirë. Cara është një tjetër që me lëvizjet dhe teknikën po tregon cilësi. Ngadalë do jenë në ekipin e parë. Kemi një panoramë me 50 lojtarë në grupin e madh që i ndjekim. Ka edhe lojtarë të tjerë që kam parë dhe nuk kam mundur t'i marr këtë herë", tha Reja.

Ora 19:48
Debutoi me gol në Kombëtare, Skuka me 'këmbë në tokë': Nuk e prisja, kam problem anën fizike

Xhuliano Skuka luajti për herë të parë titullar me Kombëtaren. Kuqezinjtë fituan 2-0 me Armeninë, me golin e parë që u shënua nga sulmuesi i Partizanit. Pas ndeshjes Skuka foli për mediat.

"Unë jam njeri që besoj dhe kam guxim. Prisja që të luaja por jo të debutoja me gol. Jam ndjerë mirë, djemtë më kanë afruar. Ashtu edhe stafi.

Konkurrenca dhe një ekip jashtë vendit? Duke parë kolegët në sulm, them se duhet të bëj më shumë në anën fizike. Duhet shumë punë, duke parë gjendjen e lojtarëve që luajnë jashtë, të them të drejtën duhet shumë punë për konkurrencë. Duhet të punoj që të arrij gjendjen time", tha Skuka.

Ora 18:56
VIDEO/ Shqipëria gjen golin e dytë, protagonist lojtarët e Partizanit! Shënon Kristjan Asllani

Tedi Cara ka fituar një penallti në minutën e 62, me Kristjan Asllanin që u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Shqipëri 2-0 Armeni.

 

Ora 18:03
VIDEO/ U afrua te goli kundër Italisë, Xhuliano Skuka shënon ndaj Armenisë! Kuqezinjtë në avantazh

Shqipëria kalon në avantazh me Xhuliano Skukën pas 28 minutave lojë. Një asist i bukur nga Çokaj bën që sulmuesi i Partizanit mos gabojë me gjuajtjen nga brenda zonës.

 

Ora 17:45
VIDEO/ Skuka rrëzohet brenda zonës, arbitri sheh VAR dhe nuk akordon 11 metërsh për Kombëtaren

Në minutën e katërt të takimit, sulmuesi kuqezi Xhuliano Skuka është rrëzuar në zonë. Arbitri kryesor i takimit, maqedonasi Aleksander Stavrev është thirrur nga VAR por nuk e ka konsideruar 11 metërsh. E çuditshme që sistemi VAR po përdoret në këtë miqësore.

 

Ora 17:24
Hamdi Salihi: Shpresoj që Reja të rinovojë, ka bërë punë të mirë

Para ndeshjes me Armeninë, zëvendëstrajneri i Kombëtares, Hamdi Salihi ka thënë për Supersport se trajneri Edy Reja duhet të rinovojë.

"Ne pavarësisht se janë ndeshje miqësore, mundohemi t’i zhvillojmë si zyrtare. T’i japim mundësi elementeve të rinj. Më vjen mirë që fillojnë dy nga Superiorja. Shpresoj që në pjesën e dytë t’i jepet mundësia dhe të tjerëve.

Muçi-Skuka? Te ekipi Kombëtar janë 3-4 ditë që ke mundësi të punosh me njëri-tjetrin. Duhet të shikosh atë që kërkon ekipi dhe ta bësh atë që kërkon ekipi. Ata s’kanë luajtur me njëri-tjetrin, por do të përshtaten mirë.

Përveç këtyre lojtarëve që janë këtu, ka dhe lojtarë të tjerë. Lojtarët që janë thirrur këtu janë dhe prej pozicionit. Ujka për shembull mund të thirrej, por mesfusha këtu është e mbipopulluar.

Asllani-Bajrami së bashku? Ka pasur raste që kanë qenë të dy në fushë. Secili mund të luajë nga minuta e parë. Pastaj është zgjedhja e trajnerit. Ka një rrugë të gjatë në këtë Kombëtare dhe mund të luajnë sërish bashkë. Si unë si Ervini mundohemi të rritemi si në fushën e sportit e në jetë. Kemi pasur shansin për të punuar me një trajner të mrekullueshëm si Reja. Shpresoj që ta vazhdojnë punën sepse në sytë e mi ka bërë një punë mjaft të mirë", tha Salihi.

Ora 17:09
VIDEO/ Shqiptarët në stadium për të parë Italinë, Kombëtarja braktiset me modestët e Armenisë

Kur duhen edhe 20 minuta nga fillimi i ndeshjes mes Shqipërisë dhe Armenisë në Air Albania, stadiumi duket i zbrazët dhe atmosfera e vakët. Tifozët kuqezi duket se kanë braktisur ekipin në ndeshjen me Armeninë, teksa janë shitur afro 20 përqind e biletave. Tifozët që do ndjekin sot Kombëtaren nga pranë pritet të jetë jo më shumë se 4000. Nëse tre ditë më parë në Air Albania stadiumi ishte në kapacitetin maksimal (22 mijë vende) në përballjen me Italinë, sot shkallët bosh krijojnë një atmosferë të zymtë. Duket se në ndeshjen e tre ditëve më parë tifozët kishin shkuar për Italinë.

 

Ora 16:15
FORMACIONET ZYRTARE/ 370 ditë pa fitore, Shqipëria pret Armeninë në 'Air Albania'! Reja bën rrotacion

Në 17:30 kombëtarja shqiptare e futbollit luan me Armeninë një test miqësor në "Air Albania". Trajneri Edy Reja dhe kolegu i tij te Armenia, Roman Berezovski kanë zbardhur formacionet, ku bie në sy se te kuqezinjtë ka rrotacion. Skuka, Muçi, Hadroj dhe Çokaj nga minuta e parë.

Formacionet zyrtare:

Shqipëria (3-5-2): Berisha, Mihaj, Kumbulla, Bajrami, Hadroj, Laçi, Asllani, Çokaj, Lenjani, Skuka, Muçi Trajner: Edy Reja

Armenia (3-4-3): Buchnev, Mkrtchyan, Haroyan, Voskyanan, Dashyan, Grigoryan, Harutynyan, Hovhannisyan, Shaghoyan, Blchkhchyan, Babayan Trajner: Roman Berezovski

S.Dh/LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Blateri: 19/11/2022 20:17

    ne kete halene tone kur ne politike dhe me gjere njerzit lindin dhe vdesin ne pushtet pse mos te kesh dhe ti vazhdimesi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda