Mundësia historike/ 7 ligjet që presin votën e opozitës së re, ja kush përfiton

Mundësia historike/ 7 ligjet që presin votën e opozitës së re, ja kush përfiton

Pas reformës territoriale dhe reformës në drejtësi, Kuvendi i Shqipërisë është para një tjetër momenti historik për të finalizuar një tjetër reformë të rëndësishme, siç është ndryshimi i ligjit zgjedhor, për t’u mundësuar emigrantëve të drejtën e votimit si dhe për t’u dhënë fund komisionerëve partiakë. Formimi dhe konsolidimi i opozitës së re, pas aktit ekstrem të PD-LSI për të dalë nga sistemi Kushtetues, Kuvendi i Shqipërisë ka 99 vota, të mjaftueshme jo vetëm për miratimin e reformës zgjedhore (84 vota), por edhe për ndryshimin e Kushtetutës (94 vota) si dhe për zgjedhjen e presidentit që në raundin e parë, gjithnjë nëse Ilir Meta do të japë dorëheqjen sikundër ka paralajmëruar.

Që në dhjetor të vitit të kaluar, mazhoranca socialiste ka depozituar në Kuvend një projektligj për reformën zgjedhore, kur përfshihen kërkesat e opozitës për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje. Nisma parashikon votim dhe numërim elektronik, votimin e emigrantëve, heqjen e komisionerëve partiakë, barazinë gjinore në kandidim etj. Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje përfaqësuesve të opozitës së re, për të bashkëpunuar për miratimin e ndryshimeve në ligjin zgjedhor, miratim i cili është mbështetur publikisht edhe nga përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar në Shqipëri. Miratimi i reformës zgjedhore, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR është pjesë e konkluzioneve në raportin Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian për çështjen e hapjeve të negociatave për Shqipërisë. Këshilli u kërkoi autoritete shqiptare të reflektonin rekomandimet e OSBE/ODIHR në ligjin zgjedhor.

Nismat e tjera   

Votën e opozitës së re në Kuvendin e Shqipërisë e presin edhe disa nisma të tjera të rëndësishme, për votimin e të cilave duhen 84 vota. Që në datën 22 qershor 2018, deputeti social Pjerin Ndreu ka depozituar në Kuvend një projektligj për ndryshimin e Kodit Rrugor, i cili kërkon 84 vota. Nisma parashikon heqjen e pezullimit të patentës për emigrantët nëse paguajnë menjëherë dyfishin e gjobës. Ky propozim adreson një problematikë të emigrantëve shqiptarë, shqiptarëve të Kosovës dhe të huajve, të cilët humbasin shumë kohë nëpër hallkat institucioneve pasi u pezullohet patenta. Një tjetër nismë që pret votën e opozitës së re është projektligji i për ndryshimin e Kodit Penal, i propozuar nga 37 mijë zgjedhës që në 6 qershor 2017. Një nga nismëtarët kryesorë të këtij projektligji është kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Nisma parashikon kriminalizimin çdo forme dhune ndaj kafshëve. Projektligji i depozituar në Kuvend parashikon 18 veprime kundër kafshëve, të cilat do të dënohen me burg. Do të dënohen me burgim personat që vrasin kafshët, i plagosin, i braktisin, u shkaktojnë vuajtje, i detyrojnë të bëjnë punë jashtë karakteristikave të tyre etj. Gjithashtu, në sirtarët e Kuvendit qëndron edhe një projektligj për ndryshimin e Kodit Ajror.

Ligji për shtetësinë

Vota e opozitës së re është përcaktuese edhe për miratimin e projektligjit për shtetësinë. Nisma e hartuar nga qeveria hap rrugën për marrjen e shtetësisë shqiptare për të gjithë pjesën e popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të Shqipërisë, për shkak të emigrimit të hershëm apo të vonshëm, me kushtin që personat të kenë ruajtur lidhje gjuhësore, kulturore dhe të traditës me Shqipërinë. Nisma ndryshon kushtet, rregullat dhe procedurat për fitimin, rifitimin dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare. Përpos të tjerave, projektligji i propozuar ka zgjeruar mënyrat e fitimit të shtetësisë si dhe ka lehtësuar kriteret, duke parashikuar fitimin e shtetësisë me origjinë, duke i dhënë mundësinë dhe asaj pjese të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve. Për miratimin e projektligjit duhen 84 vota. Në nenin 5 të projektligjit janë parashikuar rastet e fitimit të shtetësisë me lindje, ku është përcaktuar që fëmija që lind duke patur qoftë dhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare e fiton vetiu shtetësinë shqiptare. Nga ana tjetër, nuk mund të fitojnë shtetësinë shqiptare ata persona me origjinë shqiptare që kanë qenë të dënuar në shtetin e vet, në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet të tretë, për vepra penale, për të cilat ligji shqiptar parashikon dënime me jo më pak se 3 vjet heqje lirie.

Amnistia

Mazhoranca do të rikthejë në parlament për votim edhe nismën e amnistisë për të burgosurit, e cila mbeti e pa miratuar vitin e kaluar për shkak se opozita bojkotoi Kuvendin. Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, tha dje se tashmë që në Parlament po krijohet opozita e re, do të shihet mundësia që të miratohet ky projektligj. Me PD-në, LSI-në dhe aleatët e djathtë që dogjën mandatet, tashmë mazhoranca do të rishikojë mundësinë që ky projektligj të miratohet me përfaqësimin e ri të opozitës në Kuvend. “Tani që në parlament janë plotësuar numrat po shihet mundësia që të miratohet ky projektligj nga ku pritet të përfitojnë rreth 350 të dënuar, duke ulur në këtë mënyrë edhe mbipopullimin në sistemin penitenciar", tha ministrja Gjonaj, duke ju përgjigjur interesit të mediave, gjatë prezantimit të spitalit të burgjeve në Tiranë, i cili është rikonstruktuar nga buxheti i shtetit.

Ligji për SPAK-un

Kuvendi mund të ndryshojë edhe ligjin për ligj Nr. 95/2016 "për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar", i njohur ndryshe ligji për SPAK-un. Ndryshimi i ligjit është propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për përcaktimin e pagave të njerëzve të Prokurorisë së Posaçme. Në një nga mbledhjet e KLP, kryetari Gent Ibrahimi është shprehur se “nëse bini dakord mund të hartojmë një projekt-amendament tek ligjit për SPAK, duhet të ketë formulimin e duhur, nuk jam në gjendje ta them tani, por mund ta mendojmë ta kemi gati, ta kemi si çështje të axhendës së mbledhjes së ardhshme. Pra, miratimi i një vendimi për propozimin e ndryshimeve në ligjin për SPAK”.

 

Nismat që presin votat e opozitës së re

  1. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10.019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar”.
  2. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
  3. Projektligji “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
  4. Projektligj "Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë".
  5. Projektligji për amnistinë.
  6. Projektligji për shtetësinë.
  7. Ndryshime në ligjin për ligj Nr. 95/2016 "për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar".

Balanca e numrave në Kuvend

-79 deputetë të maxhorancës

-3 deputetë të opozitës që nuk dogjën mandatin Rudina Hajdari, Myslim Murrizi, Lefter Koka

-14 deputetë të rinj janë betuar në tre seancat e fundi

-3 kandidatë dorëzuan sot formularin e vetëdeklarimit, Ambra Borova, Arben Elezi dhe Adriatik Alimadhi.

(Kliko këtu për të lexuar nismën e qytetarëve)

(Kliko këtu për të lezuar projektligjin PER DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NE LIGJIN NR. 10019, DATE 29.12.2008 "KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKES SE SHQIPERISE")

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion