Yjet e Bundesligës gjermane mund të jenë me maska në fushë në momentin kur kampionati do të rikthehet dhe kjo pritet të ndodh më 9 maj.Mesa duket diçka e tillë është e planifikuar nga qeveria gjermane dhe nga instancat përkatëse. Mediat gjermane kanë arritur që të zbulojnë pjesë nga protokolli i sigurisë që duhet të zbatohet me përpikmëri kur Bundesliga të rinisë dhe janë disa variante që po shqyrtohen :
Së pari bëhet fjalë për një karantinë gjithëpërfshirëse deri në fund të sezonit ku futbollistë ,staf dhe trajnerë të izolohen në hotel ndërsa varianti i dytë është më interesanti. Futbollistët në fushë dhe arbitrat e ndeshjes duhet të mbajnë maska për të mbuluar pjesën e gojës dhe hundës. Maska duhet të jetë e përshtatshme për futbollistët dhe ata nuk duhet ta prekin me dorë.
Nëse maskat rrëshqasin për shkak të lagështirës që do krijohet atëherë parashikohet që maskat të ndërrohen çdo 15 minuta. Kjo do të thotë që do të ketë pushime të shkurtra gjatë ndeshjes dhe në atë moment distanca duhet të jetë 1.5 metër mes futbollistëve.Është e konfirmuar nga mediat se ekziston një dokument i tillë me këto dy opsione ku njëri prej tyre është që lojtarët të mbajnë maska në fushë.
Kampionati gjerman pritet të jetë i pari që do të rinisë nga ligat më të rëndësishme dhe një gjë e tillë pritet të ndodh më 9 maj. Aktorët janë gati por më parë pritet drita jeshile nga qeveria dhe Merkel pritet ta marrë një vendim më 30 prill. Përgatiti Andi Kapxhiu