SHKODER - Shtyhet për të katërtën herë radhazi, seanca gjyqësore në ngarkim të Emiljano Shullazit dhe Elidon Harizajt. Këtë herë është shtyrë për shkak se avokatët mbrojtës të Harizajt, Sokol Mengjeli dhe Blerim Bazhdari nuk kanë qënë të pranishëm në seancën gjyqësore dhe nuk kanë paraqitur asnjë arsye për mungesën e tyre.

Trupi gjykues me relator Astrit Kalanë ka shtyrë seancën gjyqësore duke marrë në konsideratë kërkesën e prokurorit të çështjes, ndërsa ka vendosur për të pezulluar afatet e paraburgimit të Shullazit dhe Harizajt.

I pranishëm në seancën gjyqësore përveç përfaqësuesit të organit të akuzës, ka qënë edhe avokati mbrojtës i Emiljano Shullazit, Mark Lleshi. Përveç mungesës së avokatit Mengjeli këtë herë ka munguar avokati mbrojtës i caktuar nga gjykata Blerim Bazhdari. Dy të pandehurit kishin paraqitur prokurën për tu mbrojtur nga avokatët mbrojtës.

Në të tilla kushte, Kalaja ka shtyrë seancën gjyqësore pasi sipas tij mungesa e avokatëve e bën të pamundur zhvillimin e seancës gjyqësore. Gjithashtu relatori  ka kërkuar që të njoftohet edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë për mosparaqitjen e Mengjelit dhe Bazhdarit si dhe të caktohet si mbrojtës për të pandehurin Elidon Harizaj, avokati i listës Dritan Pirani.

Seanca e radhës është caktuar më 22 prill. Emiljano Shullazi dhe Elidon Harizaj u arrestuan me 29 qershor të 2012 me dy armë pa leje në një makinë të blinduar te kryqëzimi i Shëngjinit ndërsa u dënuan me nga 1 vit e 4 muaj, vendim ky i cili u apelua nga mbrotja në apelin e Shkodrës.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)