Barazimi 4-4 në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e Belinda Ballukut, që krijoi më shumë amulli sesa sqaroi, do të ishte shmangur nëse në institucionin që “thotë fjalën e fundit” në vend, një vakancë do të ishte plotësuar në kohën e duhur.
Që prej shtatorit të vitit 2024, kur ish anëtarja Elsa Toska dha dorëheqje të menjëhershme, Kushtetuesja nuk e ka pasur të plotë trupën prej 9 anëtarësh, e domosdoshme për të bërë të mundur gjithnjë një vendimmarrje e për të shmangur barazimin, si në rastin fundit të çështjes Balluku.
Por pse ka zgjatur plot 17 muaj procedura për zëvendësimin e Elsa Toskës, që duket ende larg plotësimit?! Kur gjyqtarja kushtetuese dha dorëheqjen papritur, pakkush e kishte menduar se zëvendësimi i saj do t’i hapte rrugë një krizë institucionale. Organi që e kishte emëruar, Kuvendi, hapi garën për gjyqtarin e ri, duke deklaruar se mandati do të zgjaste deri në vitin 2028, që u konsiderua si zgjatje, dhe që do të prishte të gjithë procedurën e ripërtëritjes së vetë Gjykatës Kushtetuese.
Edhe pse aplikuan 10 kandidatë, procesi dështoi, dhe Kuvendi priti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për sqarimin një herë e mirë të mandateve të saj, vendim i cili erdhi në tetor 2025. Kuvendi rishpalli garën më 10 dhjetor dhe në mbyllje të procedurave të aplikimeve ishin 9 kandidatët që shfaqen interesin për t’u bërë gjyqtarë Kushtetues.
Mes pretendentëve juristë si Genci Gjoncaj, sekretar i përgjithshëm i Kuvendit, Naureda Llagami, ish kryetare e KLGJ-së, apo edhe emra juristë të njohur si Jordan Daci apo Arta Vorpsi dhe dy ish anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Lulzim Hamiti dhe Roland Ilia.
Emrat iu përcollën Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për verifikim dhe pikëzim dhe anëtari i 9-të i Gjykatës Kushtetuese është në pritje të këtij institucioni.
Edhe në KED, duke pasur parasysh rastet e mëparshme, procedura zgjat pasi verifikimi përfshin mbledhjen e informacionit nga një numër i madh institucionesh (ILDKPKI, Prokuroria, Policia e Shtetit, KLGJ, KLP, AKSIK, etj.), që shpesh kërkon kohë shtesë; kontrollin e pasurisë, figurës dhe integritetit profesional, një proces i ngjashëm me vetingun e magjistratëve.
Në fund, Parlamenti, nëse bën 84 vota, do të dërgojë në Kushtetuese një nga 3 emrat të vlerësuar me më shumë pikë, përndryshe automatikisht gjyqtar do të bëhet kandidati që ka marrë më shumë pikë nga KED.
Në KED ndërkohë janë duke u vlerësuare edhe kandidaturat e paraqitura në Presidencë për një vend në Gjykatën Kushtetuese, për zëvendësimin e Sonila Bejtjes, së cilës i ka mbaruar mandati por vijon të qëndrojë në detyrë deri sa të vijë pasardhësi.
Komente













Habitem me sa hapur mbrohen vjedhesit nga qeveria.Dikur mburrej Kryeministri qe Partia dhe shteti nuk mban asnje per ta mbrojtur nga veprimi rrugacror i tyre.Ndersa sot qe dihet botrisht vjedhja e korrupsioni ne permasa grandioze eshte Krieministrua i pari qe pengon drejtesin per te kryer veprime ndaj hajduteve me cizme ,po kete radhe sic duket kane veshur galloshe vjedhesish edhe shefi i ballukes e me qe ndihet rreziku si ëentito i ballukes po behen gjithe veprimet per ta shpetuan balluke me floket e gjata,e sidompos nga deputetet qe vetem te till nuk jane po ca letyra pa boshte qe kane mesuar ta dredhin trupin si kryetari tyre kur lexon demagogji ne parlament. .
Përgjigju