I menjëhershëm ishte reagimi i ish-deputetit Ervin Salianji ndaj Sali Berishës, pas sulmit që i bëri shefit të delegacionit të BE-së në Tiranë, por edhe lidhur me grupin e punës që Kryesia ngriti për rishikimin e statutit. Salianji, i cili prej kohësh ka dalë kundër qëndrimeve të Sali Berishës dhe ka nisur edhe një tur foltoresh me demokratët, nuk merr pjesë në mbledhjet e Kryesisë, por replikën me Berishën e bëri përmes rrjeteve sociale duke e akuzuar se po i shërben Ramës, me të njëjtat sjellje dhe veprime si ai.

Salianji ka dalë hapur edhe kundër ndryshimeve që pritet në Statut, duke thënë se PD nuk mund të hapë rrugë për ndryshime të njëanshme. Sipas Salianjit, neni 46 është i qartë, nen që parashikon se kreu i PD duhet të dorëhiqet kur humb zgjedhjet parlamentare dhe se përflitet që mund të ndryshojë me rishikimin e statutit.

“Nuk ka shërbim më të madh për Edi Ramën sesa të sillesh dhe të veprosh njësoj si ai. Rama është nën presion ndërkombëtar për shmangien e ligjit, për shkeljen e barazisë para ligjit dhe për përpjekjen për të ndryshuar rregullat për pezullimin e ministrave Kryeministrit. Opozita nuk mund të bjerë në të njëjtën kurth me ndryshim rregullash dhe sulm ndaj ndërkombëtarëve! Partia Demokratike nuk mund të hapë rrugë për ndryshime të njëanshme në Kushtetutën e partisë dhe në Statut. Neni 46 është i qartë dhe i sanksionuar.

Çdo veprim që imiton modelin e Ramës nuk është zgjidhje, por uzurpim. Dhe çdo uzurpim i tillë i bën autorët e tij përgjegjës përpara opozitarëve dhe përpara shoqërisë. Sot po shohim të njëjtën logjikë që kemi denoncuar tek qeveria: uzurpim të rregullave, shkatërrim të degëve  përjashtim të demokratëve, sikur Partia Demokratike të ishte pronë private e disa individëve dhe jo një parti e ndërtuar mbi vullnetin e demokratëve. Nëse opozita fillon të sillet si pushteti që denoncon, atëherë dëmton jo vetëm veten, por edhe besimin e qytetarëve tek alternativa. Sepse në fund lind pyetja që askush nuk do ta dëgjojë, por që shumë qytetarë tashmë e bëjnë: mos vallë loja është e njëjtë dhe palët janë më afër se sa duken?”, shkruan Salianji.


Lajmi kryesor:

Kryesia e PD/ Deri më 30 prill zgjidhen krerët e degëve, më 23 maj gara për drejtuesin e ri të partisë! Grup pune për rishikimin e statutit, Berisha sulmon Gonzaton