Mungojnë 2 deputetët e PS-së
Akuza: Të sillen në gjyq me policë

Mungojnë 2 deputetët e PS-së<br />Akuza: Të sillen në gjyq me policë
TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme kërkon nga Gjykata e Lartë shoqërim të detyrueshëm me policë për dy deputetët Parid Cara e Armando Prenga të cilët në dy seanca mungojnë për të dëshmuar në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj deputetit Gent Strazimiri në seancën parlamentare të 10 korrikut 2014.

Prokurori: Në seancën e radhës Cara dhe Prenga të vijnë me policë!
Prokurori Adnan Xholi kërkoi shoqërimin me policë të deputetëve socialistë, pasi në dy seanca rresht ata nuk paraqiten për të dëshmuar në procesin ku Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu janë të pandehur për goditjen e deputetit Strazimiri.

Dëshmia e Carës dhe Prengës ishte planifikuar për seancën e kësaj të hëne, por ata munguan, por në kushtet e mungesës së tyre organi i akuzës kërkoi shoqërimin me policë të tyre në rast se do të jetë e nevojshme për seancën e ardhshme.
 
Halimi: Mungesa e dy deputetëve socialistë për të zvarritur procesin
Për Partinë Demokratike, fakti që deputetët munguan, tregon se ka një tentativë për të zvarritur procesin. Deputeti Eduard Halimi tha se bashkë me kolegë të tjerë demokratë do të monitorojë deri në fund këtë proces.
 
“Zvarritja e procesit po vjen nga mungesa e qëllimshme e disa deputetëve që janë thirrur nga gjykata e ku sot prokuroria me të drejtë kërkoi shoqërimin e tyre të detyrueshëm nëse do të vazhdojnë të zvarrisin këtë proces. PD edhe sot i kërkon gjykatës të procedojë me shpejtësi të zbardhë një orë e më parë vendimin, t’i japë dënimin siç parashikohet nga kushtetuta. Do të monitorojmë procesin deri ditën që do të jepet vendimi. Vetëm deputetët e PS dhe avokatët e tyre nuk e kanë parë atë që panë të gjithë shqiptarët”, u shpreh Halimi.


Dëshmon deputetja Spahiu: Pashë Ndokën të godiste Strazimirin, Ndreun nuk e pash
Në seancën e kësaj të hëne dëshmuan gardisti Eugen Hasanbelli dhe deputetja e Partisë Socialiste Klodiana Spahiu. Deputetja Spahiu deklaroi se seancën e 10 korrikut kish parë goditjen e deputetit Arben Ndoka ndaj Strazimirit, ndërsa e pyetur nëse kish parë goditjen e deputetit Pjerin Ndreu ndaj Strazimirit, Spahiu u shpreh se këtë moment nuk e ka fiksuar, por ka dëgjuar më pas që ka pasur një episod të dytë dhune.
 
Prokuroria kundërshton dëshminë e Spahiut
Për këtë përgjigje Prokuroria kërkoi kundërshtim dëshmie, e cila u pranua nga gjykata. Sipas prokurorit Xholi, deklarimet e deputetes Spahiu dhënë në organin e akuzës konfirmonin një goditje të dytë ndaj Strazimirit. 

Seanca e radhës më 23 shkurt, pritet dëshmia e Carës dhe Prengës
Seanca e radhës do të zhvillohet më datë 23 shkurt, ku pritet dëshmia e Parid Carës dhe Armando Prengës.

 
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Edison Ypi: Pyetja e Adit

Edison Ypi: Pyetja e Adit