TIRANE-Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka shtyrë shkarkimin e Drejtoreshës së Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, Enkelejda Shehi.

Shkak është bërë mungesa e kuorumit, pasi deputetët e LSI, anëtarë të Komisionit nuk kanë qenë të pranishëm në mbledhje. Mungesë pati dhe nga PD të cilët kanë hyrë në javën e tretë të bojkotit të punimeve të Kuvendit.

Kërkesa për shkarkimin e kreut të AMF është bërë nga anëtarët e bordit të AMF, të cilët rendisin edhe një sërë provash ku Drejtoresha Shehi ka shkelur ligjun në vendimmarrjet e saj dhe emërimet në Departamente. 

Shkresa është bërë publike sot nga kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe.

Shkresa mban datën 22 shkurt, kur në mbledhjen e Bordit, katër nga pesë anëtarët kanë votuar pro shkarkimit edhe kanë përcjellë prova lidhur me kryerjen e veprimtarive në kundërshtim me ligjin nga drejtoresha Enkelejda Shehi.

Në kërkesë argumentohet se Shehi ka refuzuar zbatimin e rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, rishikimin e rregullores mbi marrëdhëniet e punës, ka ushtruar kompetencat e bordit, duke emëruar dhe shkarkuar Drejtorë të Drejtorive dhe Departamenteve.

Përplasjet mes kryetares së AMF dhe anëtarëve të bordit janë bërë publike në mesin e vitit të kaluar, dhe ato lidheshin me vendimmarrjen dhe rekrutimet në institucion.

(d.b/Shqiptarja.com)