Pas konstituimit seanca u shty me disa orë për zgjedhjen e kryetarit, por në orën 15:00 koalicioni i ‘PAN’ (PDK, AAK dhe Nisma) që është edhe koalicioni fitues në zgjedhje nuk pranoi që të merrte pjesë, ndërsa seanca përfundimisht u shty për ditën e premte në orën 10:00.
Pas konstituimit të Kuvendit, fillon edhe periudha prej 15 ditësh për formimin e Qeverisë së re.
Zhvillimet e fundit nga Kosova
Ora 15:00 Mungon PAN, (PDK, AAK dhe Nisma) shtyhet për nesër seanca për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit
Ora 13:50 Shtyhet sërish seanca për në orën 15:00
Ishte vetë Mikullovci deputeti më i vjetër që po drejton Kuvendin i cili deklaroi se parlamenti do të rimblidhet në orën 15:00.
Në vijim pritet të votohet për kreun e Kuvendit
Ora 12:15 Deputetët kërkojnë shtyrjen e seancës
Deputetët e Koalicionit PAN kanë kërkuar shtyrjen e senacës, gjatë të cilës do të votohet për kreun e ri të Parlamentit.
Sipas mediave vendase seanca pritet të nis në orën 14:00.
Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka deklaruar se arsyeja pse kanë kërkuar një shtyrje prej dy orëve si koalicion fitues, ishte që të konsultohen dhe të bashkëbisedojnë në mënyrë që të kalojnë në hapin e dytë, konsolidimin e institucioneve tjera.
Ora 11:50 Betohen deputetët
Pas mbledhjes se Komisionit deputetët betohen
Ora 10:45 Mblidhet Komisioni për mandatet e deputetëve
Ndër pikat e rendit të ditës ishte formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve duke vazhduar më pas me betimin e 120 deputetëve të kësaj legjislature.
Pas betimit të deputetëve bëhet edhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës për Legjislaturën e Gjashtë të Parlamentit.
Ora 10:30 Nis seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, mungon PAN-i
Ka nisur me gjysmë ore vonesë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Seanca po udhëhiqet nga deputeti më i vjetër Adem Mikullovci.
Ajo cka u vu re është fakti se në sallë mungojnë deputëtet e PDK dhe AAK.
Favorit Kadri Veseli, priten debate
Kandidati më i përfolur për këtë post është Kadri Veseli, kandidatura e të cilit mund të shkaktojë bllokadë për shkak se partitë shqiptare kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë atë.
Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, thonë se do të votojnë kundër Veseli për postin e të parit të Kuvendit.
Paralajmërime të ngjashme ka bërë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka thënë se nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit e as të nominuarin e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, për kryeministër të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese i ka detyruar deputetet që të marrin pjesë në votimin për kryetar të Kuvendit deri në zgjedhjen e tij.
Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar pa u zgjedhur kryetari dhe kryesia.
Zyrtarë të PDK-së janë shprehur të bindur se seanca do të ketë rrjedhë normale dhe të enjten epilogu me zgjedhjen e kryetarit do të marrë fund. Kjo parti ka zhvilluar të mërkurën mbledhjen e radhës, por nuk ka vendosur se kush do të jetë i propozuari për kryeparlamentar.
“PDK-ja i ka dhënë mbështetjen e plotë zotëri Kadri Veselit, pasi ai ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në mandatin e kaluar, duke u munduar të gjejë konsensus ndërmjet partive politike. Është lider i koalicionit, por a do të jetë kandidat, do ta merrni vesh në seancë”, ka thënë nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Zgjedhja kryetarit i hap rrugë krijimit të qeverisë
Sidoqoftë, konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e kryetarit të tij, i hapë rrugë krijimit të Qeverisë së re të vendit.
Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve, formimi i Qeverisë i takon koalicionit PAN, por kërkohet që ky koalicion të sigurojë minimumin prej 61 votave.
Përfaqësuesit e këtij koalicioni, kanë thënë se pas konstituimit të Kuvendit, brenda një kohë shumë të shkurtë do të mbahet edhe seanca e dytë e Kuvendit, ku do të votohet për Qeverinë e re.
Redaksia Online
dy.b/ e.m/Shqiptarja.com