Deputeti Dashnor Sula, sot në 'Studio Live' të Report TV
Një tjetër temë e analizës në Report TV, në panelin e “Studio Live” mbrëmjen e sotme ishte edhe çështja e hetimeve të SPAK ndaj politikës, sa ndikon kjo për zgjedhjet dhe si paraqitet situata elektorale mes kampeve politike.
Deputeti Dashnor Sula tha se i trembet ndërhyrjes së qeverisë te vota, si te ajo e qytetarëve brenda territorit, dhe te e emigrantëve, pasi sikurse edhe më 2021, ai nuk do e lejojë rotacionin. Kurse për SPAK tha se ka frikë të hetojë Ramën, ndaj heton dhe akuzon Berishën, të cilin e quajti edhe “baba ideologjik”.
“Me bandat dhe krimin e organizuar dhe vjedhjen e votave, e dimë se Rama i fiton zgjedhjet, sepse e shohim edhe në rajon si në Serbi apo Turqi etj. Pra edhe Nano më 2005 edhe Berisha më 2013 po të donin nuk e lejonin rotacionin dhe mund t’i vidhnin zgjedhjet, kurse Rama nuk e lejoi më 2021, edhe pse vota nuk ishte për atë dhe ku u morën 8 mandate në tavolinë. Rama është në pakicë po nuk i vodhi zgjedhjet dhe po nuk përdori bandat dhe korrupsionin.
Teksa e quan si “babai ideologjik”, deputeti thekson se edhe Berisha ka pasur gabimet e tij në qeverisje, por nuk ka qenë i koprruptuar si Rama, pasi nëse do kishte prova ndaj tij do ishte burgosur.
“Berisha ka gabime, ka defekte gjatë qeverisjes, por ama përsa i përket korrupsionit, po të akuzohej për korrupsion, fonde, tendera e koncesione, unë do kisha mbyllur gojën. Mendoni se do ia falnin Berishën po të kishin prova për korrupsion, po marr atë si masë dhe stekë, se ai është babai ynë ideologjik. Por për Ramën SPAK-ut nuk ia mban, nuk ia mban! Nuk ekzistojnë inceneratorët dhe vazhdon e paguhen lekët nga buxheti! Në Elbasan nuk dihet se ku shkojnë lekët 13,5 euro për ton. Ajo gjëja m... ka shkuar deri këtu, mban era gjithandej, ka vajt ku s’mban më, është qelbur nga tëra anët, është bërë rumpallë”, tha ligjvënësi demokrat.
Kurse për kodin zgjedhor dhe një marrëveshje të supozuar dhe dyshuar mes dy forcave të mëdha ai e quajti të pavërtetë dhe përdori zhargonin popullor për ta përkufizuar. Kurse për votën e emigrantëve u shpreh se më mirë të numërohet në KQZ, se ndryshe ia vjedh Rama.
“Nëse do themi se Sali Berisha është i shitur te Edi Rama për marrëveshje, atëherë vari l... kësaj pune, më falni për shprehjen, por unë s’merrem më. Marrëveshje me Taulant Ballën? Kjo është e tmerrshme, me këtë që ndodh në këtë vend. Më mirë në KQZ numërimi i votave se po u çuan në qytete i morën bandat rrugës dhe i vodhën. Rëndësi ka të jetë me kamera dhe monitorim, se ndryshe”, përfundoi ai.
Por si e shikon betejën Rama-Berisha analisti Arion Sulo?
“Berisha vjen me barrë penale në këto zgjedhje. Rama vjen me barë tjetër, përveçse lista e 58 zyrtarëve nën hetim apo të dënuar, ku edhe 21 Janari vazhdon dhe hetohet. Po edhe zoti Meta kështu, me hetimin dhe arrestimin. Kryeministri në Shqipëri ka kompetenca dhe fuqi të jashtëzakonshme, vendi është qeverisur nga 4 vetë”, u shpreh ai.
Sulo ngre dyshime sesi vetëm Rama nuk hetohet nga SPAK, teksa ka 58 zyrtarë e ish-zyrtarë të dënuar, në hetim apo proces.
“Si ka mundësi që vetëm Rama nuk ka çështje nga SPAK, i cili është ngritur me votat e deputetëve, si asnjë prokurori tjetër. I gjithë rrethi i bashkëpunëtorëve të kryeministrit janë të hetuar, të pandehur apo që kanë dijeni. Kjo shpjegohet me frenat e SPAK-ut kur vjen puna te Rama dhe mazhoranca dhe me shtypjen e gazit kur vjen puna te opozita (janë 58 nga mazhoranca dhe 2 nga opozita, ndërhyn Arbër Hitaj). Sapo përcollëm një lajm se për Olsi Ramën u mbyllën hetimet, pasi SPAK shprehet se nuk ka prova për të. Kjo lidhet me deklaratën e Ramës në parlament ndaj Bardhit, kur i tha o ti o unë, do presim hetimet e SPAK, unë iki nga politika nëse provohet! Ishte deklaratë shumë e fortë”, theksoi Sulo.
Në fund ai ndau mendimin se për votën e emigrantëve nuk besonte se kishte marrëveshje PS-PD, por ishte çështje teknike.
“Nëse kanë pakt të fshehtë për koncesion a pasuri kombëtare, do kishim diçka për t’u dënuar. Por shoh se është teknike, çështje e Kodit ku thuhet se pagesën e ka në ngarkim vetë votuesi në rastin e emigrantit. Kjo pjesë duhet hequr dhe t’i kalojë pagesa nga ana e shtetit, kjo kosto shkon në 5 mln euro, nuk janë shumë. Mendoj se duhet ndërruar edhe pika e vendit të numërimit të votave, sepse është lënë në KQZ”, përfundoi ai.
Lajmi kryesor: