Murati: Nuk preket drejtshkrimi
do të krijohej anarki gjuhësore

Murati: Nuk preket drejtshkrimi<br />do të krijohej anarki gjuhësore
TIRANE - Gjuhëtari kosovar: Vetëm një Kongres i ri si ai i ‘72 mund të bëjë ndërhyrje në gjuhë
Vetëm një kongres i ri kompetent, si ai i 1972, do të mund të bënte  ndërhyrje në gjuhë në planin drejtshkrimor. Dhe kjo vetëm kur të jetë e nevojshme dhe me pjesmarrjen e spektrit më të mirë të gjuhëtarëve e letrarëve dhe institucioneve përkatëse kombëtare.

S’mund të bëhen ndryshime arbitrare për hir të ndryshimeve. Prof.dr Qemal Murati këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës kundërshton prerë inciativën e fundit në Tiranë për ndryshime të reja gjuhësore në drejtshkrimin e shqipes. Sipas Muratit, për ndryshimet e propozuara në standardin e shqipes nga njëfarë i ashtuquajturi Këshill ndërakademik, është një çështje a problem i ngritur artificialisht mbi baza krahinore dhe jo mbi baza filologjike.

“Një këshill minor e inkompetent i dy akademive tona krejtësisht honorifike, nuk e ka tagrin që të mund të propozojë a të bëjë ndryshime të tilla në kodin drejtshkrimor të shqipes standarde”, ka pohuar ai dje në “Kosova sot”. “Shqipja standarde është pronë kombëtare për të tashmen dhe të ardhmen e saj.

Për ndryshimet në kodin drejtshkrimor vendosin të gjitha institucionet më relevante kombëtare me konsensus. Ndryshe, po të krijonte secili kodin e vet drejtshkrimor, do të kishim anarki gjuhësore, si të themi babiloni gjuhësore”, ka pohuar ndër të tjera Murati.

Ai tha se standardi i shqipes së sotme nuk është krijuar ‘ex nihilo’ nga asgjëja sipas dëshirës së filologëve, por është normuar me punën e filologëve më të mirë që kemi pasur dhe me rrugën më të drejtë shkencore. Sipas tij, ndryshimet në gjuhë nuk ndodhin si ndryshimet në jetën shoqërore, ato janë shumë më të ngadalta.

“Hëpërhë unë nuk mund të them se çfarë duhet të ndryshohet e çfarë jo, me një të rënë të lapsit, sepse për këtë duhet të bëhen ekspertiza më të thella e më të përimtuara të kodit drejtshkrimor, se si realizohet ai kod në gjuhën e shkruar dhe në gjuhën e folur, çfarë nuk funksionon e duhet ndryshuar”, ka pohuar gjuhëtari Murati.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Si ndikon veza për kolesterolin, diabetin dhe shëndetin e zemrës

Si ndikon veza për kolesterolin, diabetin dhe shëndetin e zemrës