Champions League rikthehet me ndeshjet e raundit të katërt në grupe, pas përfundimit të përplasjeve të para. Në ditën e parë do të zbresin në fushë katër grupet A,B,C dhe D. Sfidat më pikante janë Real Madrid - Borusia e Dortmundit, Manchester City - Ajaks, Milan - Malaga dhe Shalke - Arsenal.

Në grupin D, gjendja është mjaft e komplikuar për Manchester City që duhet të fitojë me Ajaksin në shtëpi dhe Reali të fitojë me Borusian për të mbajtur shpresat gjallë për një kalim në turin tjetër. Në prag të sfidës me Borusian, trajneri i madrilenëve Hose Murinjo e ka vlerësuar me nota maksimale kundërshtarin.

"Nëse Borusia e Dortmundit do të kalojë në turin tjetër, atëherë është një kandidat potencial për të fituar Champions League. Ata kanë një ekip mjaft të mirë me futbollistë kreativë që të vendosin në vështirësi dhe jo më kot kryesojnë grupin" shprehet Murinjo.

Ndërsa sfida tjetër që paraqet interes është Milan-Malaga. Italianët në ndeshjen e parë humbën në Spanjë, duke rrezikuar seriozisht vendin e parë në grup, pasi tashmë renditen në vendin e dytë me 5 pikë diferencë nga Malaga, e cila udhëheq me meritë. Por kuqezinjtë besojnë akoma te vendi i parë dhe për këtë do të shfrytëzojnë momentin e mirë që po kalojnë në Serinë A.

Trajneri Masimiliano Allegri për të larguar presionin nga ekipi ka pohuar se kjo nuk është ndeshje vendimtare për grupin, pasi kualifikimi do të vendoset vetëm në ndeshjen e fundit. Sakaq, administratori Galiani ju ka dhënë fund zërave për një shkëmbim El Shaurai-Baloteli duke deklaruar se egjiptiani do të firmosë deri më 2018.

Grupi A
Dynamo Kyiv - Porto
Paris S.G. - Dinamo

Grupi B
Olympiakos - Montpellier
Schalke - Arsenal

Grupi C
Milan - Malaga
Anderlecht - Zenit

Grupi D
Manchester C. - Ajax
Real Madrid - Borusia

(d.b/shqiptarja.com)