Në natyrën shqiptare fshihet një thesar shëndeti që prej shekujsh ka qenë aleati i trupit dhe shpirtit të njeriut, Murrizi, i njohur ndryshe si “ari i zi” i Shqipërisë. Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja në "Rreze Dielli" në Report TV, e cilëson këtë bimë si një nga mjetet më të fuqishme natyrale për mbrojtjen e zemrës, forcimin e qarkullimit të gjakut dhe rritjen e jetëgjatësisë.

Sipas Merjës, murrizi është një “farmaci e vogël” që ndihmon trupin të luftojë tensionin e lartë, lodhjen, ankthin dhe sëmundjet kardiovaskulare. Çaji i përgatitur nga lulet apo frutat e murrizit është një tonik i shkëlqyer për zemrën, ndërsa kombinimi i tij me bimë të tjera si livando, valeriana, hibiskusi apo molla e egër, e rrit ndjeshëm efektin qetësues dhe mbrojtës.

"Murrizi përmban një kombinim unik të substancave që veprojnë në mënyrë të sinkronizuar për të forcuar trupin dhe për të mbrojtur organet jetike: Flavonoidet me veprim të fuqishëm antioksidues dhe antiinflamator mbrojnë qelizat e zemrës; Procianidinat forcojnë enët e gjakut dhe përmirësojnë qarkullimin; Triterpenet kontribuojnë në efektin anti-inflamator dhe kardiotonik; Acidet fenolike ndihmojnë metabolizmin dhe rigjenerimin e qelizave; Pektina ndihmon tretjen dhe ul kolesterolin e lartë; Vitaminat C, A dhe kompleksi B rrisin imunitetin, përmirësojnë funksionin nervor dhe forcojnë muskujt, ndërsa mineralet si kaliumi, magnezi, kalciumi, hekuri, fosfori, zinku dhe bakri mbështesin punën e zemrës, sistemin nervor dhe shëndetin e kockave".

Ylli Merja thekson se murrizi vepron në disa sisteme të trupit, duke sjellë ekuilibër dhe qetësi:

  • ·        Sistemi kardiovaskular: ndihmon në rastet e hipertensionit, takikardive, aterosklerozës dhe venave varikoze.
  • ·        Sistemi nervor: ul ankthin, stresin oksidativ, marramendjet dhe përmirëson përqendrimin.
  • ·        Sistemi riprodhues (femra): qetëson ngërçet e mitrës dhe rregullon ciklin menstrual.
  • ·        Sistemi urogjenital: ndihmon në shpërbërjen e gurëve në veshka dhe në normalizimin e urinimit.
  • ·        Sistemi tretës: lehtëson gazrat, ndalon diarrenë dhe përmirëson tretjen.

Si ta përdorim murrizin në kushte shtëpie

Specialisti Ylli Merja rekomandon disa mënyra të thjeshta për përgatitjen e çajit apo produkteve me bazë murrizi:

  • ·        Çaj për zemrën, pastrimin e arterieve: në 200 ml ujë, përvëlohet 1 lugë gjelle me lule murrizi. Pihen 2–3 gota në ditë.
  • ·        Çaj nga frutat per aritminë: 1 lugë fruta murrizi dhe 1 lugë likopsi zihen për 2 minuta në 400 ml ujë, ky çaj është shumë i mirë dhe për hipertiroidizëm.
  • ·        Çaj për pagjumësi: murriz lule + valerianë + bar blete në 400 ml ujë.
  • ·        Çaj për kolesterolin dhe uljen e tensionit: murriz lule + hibiskus + vjeshtull të bardhë + mollë e egër në 500 ml ujë. Për një tension të lartë shtohet dhe 1 thelpi hudhër dhe lëng limoni.
  • ·        Ekstrakt murrizi lule dhe frut: 35 g bimë në 80 ml alkool rrushi, lihet 10–12 ditë.
  • ·        Verë e bardhë me fruta murrizi: 100-150 g fruta murrizi dhe 50 g trëndafil të egër në 1 litër verë.
  • ·         Shpëlarës fytyre: lule murrizi + livando ose trëndafil, për pastrimin e lëkurës nga yndyra e tepërt.

Murrizi mbetet një pasuri e rrallë e natyrës shqiptare, një bimë që bashkon fuqinë shëruese të tokës me trashëgiminë tonë popullore. Siç shprehet Ylli Merja, “natyra na ka dhënë gjithçka që na duhet për të qenë të shëndetshëm, mjafton ta dimë si ta përdorim".

Shënim i redaksisë: Kurat natyrale janë ndihmëse dhe nuk zëvendësojnë trajtimin mjekësor në rastet kur simptomat përkeqësohen. Konsultohuni gjithmonë me mjekun, sidomos personat me sëmundje kronike.