PRISHTINË, 16 Janar/ATSH/.- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka pritur sot në një takim informues Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafën, me të cilin biseduan për avancimin dhe realizimin e projekteve konkrete që kanë për qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe ambientit.
Sipas KosovaPres, ministri Agani u zotua se do të përkushtohet fuqishëm në zbatimin e legjislacionin dhe strategjive të veprimit të cilat janë në fuqi.
Këtë takim, ministri Agani, e shfrytëzoi për të njoftuar Kryeministrin e vendit mbi prioritetet e tij si ministër, e që sipas tij janë, procesi i legalizimit, ruajtja dhe përmirësimi i mjedisit, ambienti i pastërt etj. Projekte këto që synojnë të realizohen me anë të donatorëve dhe partneritetit publiko-privat, pasi buxheti i ndarë për këtë ministri e pamundëson realizimin e këtyre projekteve.
Kryeministri Mustafa premtoi mbështetje të Qeverisë për realizimin e këtyre projekteve, duke i vlerësuar si shumë të rëndësishme për rritjen e kualitetit të jetës së qytetarëve të vendit./m.m/










