- Kryeministri i Kosovës, Mustafa, takim kokë më kokë në Tiranë me homologun maqedonas Gruevski -
TIRANË, 28 Maj/ATSH/.- Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, u takua sot në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Dy kryeministrat diskutuan rreth ngjarjeve të fundit në Kumanovë dhe ecurinë e hetimeve të deritanishme.
Kreu i qeverisë kosovare, Isa Mustafa, tha për mediat pas takimit se me kryeministrin Gruevski diskutuam për çështjen e Kumanovës.
"Na ka tronditur ngjarja që ka ndohur në Kumanovë në radhë të parë për pasojat në njerëz dhe vetë ngjarja, sepse ne jemi shumë të interesuar të mbajmë stabilitetin në Maqedoni dhe në rajon dhe nuk ka asnjë arsye që në periudhën e tanishme të kemi ngjarje të tilla, të cilat përfundojnë me viktima në njerëz në territoret e vendeve fqinje. Autopsia është bërë dhe rezultatet e autopsisë do të dërgohen në prokurori, e cila ndjek këtë situatë në Kosovë. Deri tani nuk ka asnjë rezultat, i cili tani është publik, të gjitha ato që kanë dalë në media, janë çështje të mediave dhe jo çështje të qëndrimeve zyrtare të institucioneve që e kanë bërë autopsinë", theksoi Mustafa.
Ne, vijoi Mustafa, kemi kërkuar që të bëhet një hetim ndërkombëtar për të gjithë ngjarjen që ka ndodhur në Maqedoni sepse ne mendojmë se do të jetë më e drejtë dhe do të nxjerrë informacione dhe të dhëna që do të na shërbejnë më tutje edhe në Kosovë edhe në Maqedoni, në mënyrë që të menxhohen dhe kontrollohen situata të caktuara në mënyrë që individë të caktuar të mos shkaktojnë viktima dhe rezultate të tilla.
Në lidhje me atë që është shkruar në media se shtetasit kosovarë janë vrarë pasi janë dorëzuar autoriteteve maqedonase, Mustafa tha se organet që kanë kryer autopsinë e kanë mohuar këtë sepse ata kanë thënë që akoma nuk e kanë dhënë raportin zyrtar të autopsisë.
I pyetur nëse kryeministri serb Vuçiç ka patur një qëndrim paksa të ftohtë sot para se t'i jepte dorën, Mustafa tha se ky është takimi i tretë me Vuçiç, e kam takuar dy herë në Bruksel . Unë mendoj se është krijuar një raport normal i komunikimit natyrisht që me gëzim të madh as njëri as tjetri nuk e presim , por është me rëndësi themelore që ne të ulemi të bisedojmë për çështje, për të cilat jemi të interesuar t'i zgjidhim përmes dialogut, me mjete paqësore dhe me bindje të dyanshme dhe këtë do të vazhdojmë ta bëjmë.
Takimi kokë më kokë mes dy homologëve u zhvillua teksa vijojnë punimet e Forumit Ekonomik të Vjenës, ku Mustafa dhe Gruevski marrin pjesë së bashku me kryetarët e qeverive të vendeve të tjera të rajonit./k.s/ /a.ke/