PRISHTINË - "Karta e LDK-së dhe partnerëve të koalicionit është vota, të cilën disponojnë", shprehet lideri i partisë së koalicionit të pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit në Kosovë.
"Kartat u kanë djegur atyre që nuk kanë vota dhe atyre që nuk tregojnë vullnet ta sqarojnë mundësinë që deputetët të gjejnë mënyrën për të konstituar Kuvendin e Kosovës dhe të cilët Vendimit të Gjykatës Kushtetuese i japin karakterin e një letre për marrëveshje politike ndërmjet liderëve, duke pretenduar të ruajnë interesat e partisë në pushtet", shkruan kryetari i LDK-së në Facebook.
Reagimi vjen pas përgjigjes së djeshme të Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në kërkesën që ajo t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të 26 gushtit, ku në pikën 127 thuhet se, "është e drejtë dhe detyrë e të gjithë deputetëve të Kuvendit që të gjejnë mënyrën për të zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, në pajtim me dispozitat kushtetuese në lidhje me Rregulloren relevante të Kuvendit dhe të bëjnë Kuvendin funksional". Kërkesa e dorëzuar të entjen në Presidencë ishte e nënshkruar nga tre liderë të subjekteve politike parlamentare të koalicionit paszgjedhor, Isa Mustafa, kryetar i LDK, Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së dhe Fatmir Limaj, kryetar i Nisma-s.
Presidentja nuk iu drejtua Kushteteses, ndërsa në përgjgje, mes tjerash ka theksuar se, "duke marrë parasysh Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe duke marrë parasysh rolin kushtetues të Presidentes si faktor i unitetit të popullit, e vlerësoj kërkesën tuaj, por besoj se është detyrë dhe përgjegjësi e të gjithë liderëve të partive politike parlamentare, si deputetë të zgjedhur të Kuvendit dhe si qytetarë të Republikës së Kosovës, të punoni së bashku për të gjetur një zgjidhje të pranueshme dhe të qëndrueshme"./ATSH/












