Kështu dëshmon nji prej dëshmitarëve kyç të kësaj ngjarje, dhe njëkohësisht një prej firmëtarëve të pavarësisë Mustafa Merlika Kruja.
Në dorëshkrimin e tij “TË SHPALLËT E PAMVARËSISË”, Kruja jep detaje ngacmuese rreth detajeve ceremoniale të kësaj dite të pazakontë në historinë e Shqipërisë. Me interes janë riprodhimi prej tij i fjalimit të mbajtur në këtë ceremoni nga Ismail Qemali dhe i hartimit të procesverbalit nga Luigj Gurakuqit dhe emrat e firmëtarëve në fund të tij, sikurse edhe shumë detaje mbi flamurin që ngriti Ismail Qemali, ditën e mbajtjes së kuvendit dhe entuziazmin që që kishte përfshirë popullin e Vlorës atë ditë.
Me 27 nânduer gjithë delegatët e Shqipnisë së pashkelun prej ushtrivet të hueja kishin mbërrîmë në Vlonë. Nesret me 28 u mblodh Kuvêndi Kombtar në nji çardak të madh të shtëpisë së Xhemil beg Vlorës, ku kishte ramë Ismail – Kemali. 24 distrikte ishin përfaqësuem n’atë kuvênd prej 47 delegatësh. Edhe 20 delegatë tjerë mbërrînë me vonesë prej visesh të ndryshme. Ishte ora 4 mbasdite. Kuvêndi brohoriti (to açlaim) njizâni Ismail – Kemalin për kryetar.