Mustafa Kruja: E vërteta e
grupit terrorist "Krahu Kombëtar"

Mustafa Kruja: E vërteta e<br />grupit terrorist "Krahu Kombëtar"
Ndodhít’e perjodës gjashtmojore të sundimit ëidjan s’përmblidhen dot në pak radhë e mb’anë tjetër janë edhe mjaft të njohura. Ato përbëjnë një akt shumë të pleksur e të koklavitur të tragjedisë s’onë kombtare, ku faktorë të ndryshëm psykologjikë që na përkasin neve vetë kryqzohen e ngatrrohen me interesa të huaja të çasit të një tragjedije tjetër botore. Esadi arrestohet prej mbretit të tij për tradhtí, si shtyrës nën dorë i kryengritjes reakcjonare – politikisht reakcjonare, se në të vërtetë ka qênë komuniste pa dijtur edhe se ç’ishte komunizma–, i dorzohet Italisë, kthehet në vênd e në pallat të Princit nja pesë javë si ikën ai, shpejt rrethohet në Durrës prej rebelavet sikundër Wiedi para tij, shlirohet prej regjimentave të Sërbisë që i vijnë në ndihmë, kapen e varen njerëz me duzina.

Un vetë, soit dit en passant,  (Frëngjisht : për të thënë kalimthi) kisha ikur nga Durrsi n’Italí për një ditë me princin, me 3 shtator; por tuke qênë se pa të holla – kisha dalë vetëm me 10 napoljona në xhep, gjithë ç’kisha, tuke lënë familjen pa një dhjetësh – n’Italí nuk rrojsha dot, isha kthyer pas 5 javësh nëpër Shëngjin në Mirditë ku Durrsi s’arrinte dot të sundonte. Pas disa muajve, kur Esati kishte kohë që qe forcuar në vêndin e tij prej ndihmës së Sërbet, mora prej tij një imtim (intimation) dorzimi, pasi kishte kapur e burgosur tërë mashkujt e familjes e vllazrisë (fisit) s’eme. U shtrëngova t’i dorzohem për të shpëtuar tjerët. S’më gjykoi, por pas nja pesë muaj burgimi, më dorzoi te Italjanët, që aso kohe kishin hyrë në luftë e që m’internuan në një ishull të vogël të quajtur Favignana. Shqiprija u shkel pastaj prej Austrijakvet, ndërsa Vlor’e Gjirokastër ishin nën pushtimin italjan e Korça nën atë të Frëngjet. Kështu që qyshë atëherë e për së gjati gjithë luftës së madhe un kam qênë n’Italí. U ktheva s’andejmi pas armpushimit, në nëndorin e 1918-s.

Falmni që, me gjithë se thashë en passant, më mori ana e fola si gjatë për vete. Por e keqja më e madhe ësht që tani, tuke arrirë në prakun e përgjegjevet që Ju pritni prej meje e gjatë tyre, do të jemë i shtrënguar t’a përmênd veten edhe më dëndur. S’kam si të bëj ndryshe, se kam qênë brênda me duar në qullët.
Isha atëherë pa mbushur edhe 32 vjet. Ndër katër vjett e luftës kundra Tyrqve të rij, dý si student në Stamboll dhe dý tjerat në Shqiprí, kisha luajtur një rol në të gjitha lëvizjet t’ona kombtare: me pêndë, me fjalë dhe me armë. Isha i njohur e i dashur prej gjithë djelmrisë nacjonaliste, sidomos jugore, që ka qênë më e shumët. Karrjer’e ime gjer atëherë kishte qênë më tepër revolucjonare. Kur mbarova studimet në 1910 në Mylkije (studime politike e administrative) nuk desha punë në karrjerën për të cilën isha përgatitur. Dojsha t’isha në Shqiprí dhe sa më afër asaj zone që më njihte dhe njihsha; në prefekturën e Durrsit, që përfshinte dhe Krujën. U bëra profesor mathematike (kam pasur një aftí fenomenale në këtë shkencë) në gjymnazin tyrk të Durrsit. Kur hyri 1912-ta qeverija tyrke i ra n’erë veprimtarisë s’eme dhe deshi të m’internonte n’Urfa të Syrisë. Ika e dola në mal para se të fillonte kryengritja në Shqiprí të Mesme. U mora me përgatitjet e ksaj tuke bredhur edhe nëpër Mirditë.

Në Vlorë, si u shpërnda kuvêndi, u emruash nënprefekt, pas tre muaje Ismail Kemali më deshi sekretar të Kshillit Ministror. Brênda asaj kohe të shkurtër që Esat Pashai pat marrë pjesë në qeverin’e Vlorës si Ministër i Brêndshëm, Ministër i Arsimit Luigj Gurakuqi më vuri gjishtin për drejtor arsimi të prefekturës së Durrësit. Por Esati vuri veto. Nuk bëri zë kur ajo zyrë m’u kthye për n’Elbasan. Më vonë, kur shpalli rebelizmën e tij kundra Vlorës, m’u lut me të madhe e me premtime të majme që të më bënte sekretar privat në kabinetin presidentor, dmth. vegël të tradhtisë së tij. Natyrisht refusova me përbuzje e me fjalë që nuk më faleshin. Kur erdhi Wiedi, min.i ri i arsimit Dr. Turtulli më mori si kshilltar n’atë ministrí, ku L. Gurakuqi ishte nënministër. Këtu më gjeti dita e ikjes së Wiedit. E kjo pat qênë karrjer’e ime burokratike gjer më 3 shtator 1914. Tepër e shpejtë e e shkëlqyer ndër kushte normale, po ndër perjoda revolucjonare çdo gjë mund të ndodhë. Pastaj, në mes të të verbërvet ai që ka një sŷ bëhet mbret, thotë një proverb tyrk!

    Nuk ësht pra çudí që në kongresin e Durrsit që u mbyll me 25 dhetor 1918 me zgjedhjen e qeverisë së dytë (e para pat qënë nën Princin Ëied) të Turkhan Pashait, un dola i zgjedhur prej atij kongresi mis i asaj qeverije, aq’i ri sa isha, e me shkandullimin e bejleret kolegë. Një pjesë e jonë u dërgua në Paris për t’u dalë zot të drejtave të Shqiprisë në konferencën e paqës: Mehmet Konica – min. i jashtëm –, Dr. Turtulli, Luigj Gurakuqi, Imz. Bumçi, P. Gjergj Fishta, un dhe Midat Frashëri; por ky i fundit s’mori dot pasaportë nga qeverija italjane, e nuk dij se pse, mbasi Italjanët nuk deshën t’i apin arsye as kryetarit t’onë që ishte Turkhani vetë. Qeverij’e jonë, porsa e formuar, s’kishte pasaporta të saja.

Kjo qeverí ishte në një positë të vështirë sa s’bëhej më: 1) përbrênda sepse ishte një qeverí sa për formë nën okupatën ushtarake t’Italisë e për një pushtet efektiv për të qeverisur vêndin e sepse, veç të krishtervet e meje,  ministrat tjerë ishin të gjithë bejlerë e prandej të papëlqyer, thuajse t’urryer prej nacjonalistet “harbutër”; 2) përjashta sepse Austro-Hungarija që kishte ndihmuar gjashtë vjet para për 75% në krijimin e Shtetit shqiptar kishte vdekur, Italija ishte e lidhur me paktin e Londrës që coptonte Shqiprinë pjesrisht në favor të saj dhe s’donte të hiqte dorë n’asnjë mënyrë nga Vlora; Pushtetet tjera t’Evropës (Francë e Anglí) ishin për armiqt t’anë. Ëilsoni s’merrte vesh gjë prej gjëje nga problemat e Evropës dhe prandej Clemenceau-i e Lloyd George-i loznin me tê si macja me miun. Dërgatën t’onë në Paris, pa asnjë përkrahje të fuqishme, kush e përfillte? Sa për përpjekjet e saja dëshmojnë dy blêjt e librit të kuq që kanë qênë botuar aso kohe me dokumentat e paraqitur konferencës. Kontaktet t’ona personale ishin anore (marginale) me njerëz pa rëndsí, se të mëdhajt s’na qasnin; propaganda e jonë në shtyp ishte e pamundur, se fletoret e mëdhá, për sympathí, për opinjon apo pará, anojshin të gjitha nga armiqt t’anë.

Kulm’i mjerimit qe dhe përçarja e dërgatës s’onë dyshë: Konica dhe Turtulli u ndanë nga ne dhe nisën një veprimtarí mbë vete. Edhe pse? Kur çeshtj’e jonë po dukej ndër kushtet më të këqijat, ata dy shokë proponojnë që të kërkojshim zyrtarisht përpara konferencës mandatin amerikan për Shqiprinë! Na tjerët arsyetojmë kështu: 1) Mandatin e Amerikës e ka kërkuar Tyrqija që vêndin t’onë e merr brênda nja 20 herë bashkë me gjithë Kosovën, dhe ajo s’e ka pranuar; 2) Në kongresin amerikan ka fituar shumicën partija republikane, ka të ngjarë shumë që të fitojë edhe kryesinë, e Senatori Logde po na thotë haptas se partij’e tij s’ka për t’i futur Shtetet e Bashkuara as në Lidhjen e Kombevet, jo që të pranojë mandatin e një Shqiprije të krimbur plot me ngatrresa; 3) Po t’i thonim konferencës së paqës që kemi nevojë për një mandat, do t’i kemi thënë se Shqiprija s’ësht e zonja të qeveriset vetë e me këtê i apim të drejtë Italisë të ngulë këmbë për protektoratin që i njeh Pakt’i Londrës: për të gjitha këto arsye, na s’mund të nënshkruajmë një vëndim të këtilë.

Mirpo që shokët t’anë jo vetëm që s’u tundën nga mendim’i tyre, po i dërguan konferencës shkresën ashtu siç e kishin menduar tuke e nënshkruar Mehmet Konica, ministër i jashtëm i Shqiprisë! Kurse zakonisht gjithë aktet zyrtare të dërgatës i nënshkruante kryetari. Për t’a asnjansuar efektin që druajshim të këtij akti të çmêndur të dy shokve t’anë, i dhamë konferencës notën e botuar shqip në fashikullin I të librit të kuq (Shqipnija përpara Konferencës së Paqës), f.48...
...Përveç dërgatës së qeverisë së Durrsit, dërgatës zyrtare, kishin ardhur në Paris edhe tri tjera nga an’e kolonivet: ajo e USA-s me zonjzën Qiriasi në krye, e Rumanisë me Pandeli Evangjelin e Dhimitër Beratin, e Tyrqisë me Haki Pashë Alizotin, Fuad Dibrën, Imz. Bonatin e Shan Tepelenën. Ajo e Rumanisë ka bashkpunuar lealisht me t’onën, e Amerikës më ftohtas dhe e Stambollit thuaj fare.

Por në Shqiprí punët venin dhe më për lumë. Këtu tashti po hyjmë mû në thelbin e themës s’Uaj, po fillojmë të flasim drejtpërdrejt për organizim partishë. Për të marrë vesht situatën e brêndshme si duhej, vëndosëm të thërrisnim nga Durrsi dy prej shokve t’anë, Mehdi Frashërin dhe Mufid Libohovën. Këta erdhën dhe pikë së pari u bëmë na atyre një exposé (Frëngjisht : paraqitje) të hollsishme mbi veprën t’onë e veçanë edhe mbi shkaqet e përçarjes së dërgatës. Nuk gjetën as më të voglën gjë për të na kritikuar. Gjêndj’e brêndshme që na raportuan dhe ata me hollsira, ishte ajo që dijshim. Vetëm se ata, fajin kryesor e gjetën tek ambicjet personale të njerzet e jo te kaosi e anarqija që kishin shkaktuar në vênt ndërhyrja e pushtetevet ushtarake italjane në çdo punë të brêndshme sado të vogël. Fundi, u vëndos që ishte nevoja të kthehesha un në Shqipri e ata dy të mbeteshin ca kohë në Paris për të bashkpunuar me dërgatën.
Porsa vajta në Durrës hetova se në Shqiprí ishte formuar një shoqrí terroriste kundra Italjanvet dhe “tradhtorvet”. Emrin e kishte Krahu Kombtar e në krye kishte Eshref Frashërin. Antarët s’i kam marrë vesh kurrë të tërë. U poqa me Eshrefin e u llafosa gjër’e gjatë me tê përmbi gjêndjen.

Natyrisht, sekretin e K.K. e mbajtëm secili për vete. Thes’e Eshrefit ishte e thjeshtë: për t’i bërë ballë situatës duhej ndërruar qeverija me anën e një kongresi të dytë e me njerëz më të lirë nga influenca italjane, kështu që Italija të shtrëngohej t’a lînte krejt të lirë qeverinë shqiptare në veprimet e saja. Nga të gjitha kontaktet e dêndura që pata me njerëz të ndryshëm u binda se ndër syt’e intelektualet nacjonalista, thesa, me shkallzime të ndryshme ndër hollsira, ishte po ajo e Eshrefit, bar’i të gjitha të ligave do t’ishte ndërrim’i qeverisë. Por aqëherë, tuke përfituar nga anarqija e për t’a rënduar këtê gjer n’ekstrem, nisi në Shqiprí të Mesme edhe një lëvizje aktive esadiste, andej - këndej me çeta propagandiste t’armatosura. Un thërrita një ditë në shtëpinë t’ime nja 4 - 5 shokë që besojsha e që e dijsha se a ishin pjestarë të K.K. ase nën influencën e tij. Sot të gjithë kanë vdekur përveç Rexhep Mitrovicës. Biseduam disa orë me radhë. Thesa e ime; situat’e brêndshme s’kishte si të bëhej më e keqe, por qeverija s’kishte si t’a jepte dorheqjen menjëherë, e para se në Paris losej fat’i Shqiprisë dhe e dyta, mbledhja e kongresit për të formuar një qeverí të re kur esadizma në ca prefektura kishte marrë hov aqë shumë, më dukej i rrezikshëm.

Ata më pyetën nëse un isha në gjêndje t’a shtypsha esadizmën brênda një kohe relativisht të shkurtër dhe pastaj t’a mblidhshim kongresin në Krujë. U përgjegja se po, nëse do të kisha edhe përkrahjen morale t’atyre e të shoke të tyre. Edhe ata m’a premtuan këtë përkrahje. Me këtë kuptim nënshkruam një protokoll nderi e të fshehët. Caktuam edhe emrin e personalitetit që do të proponojshim e të përkrahshim për kryetar qeverije në kongresin e ardhshëm: Reshit - Aqif Pashanë nga Prishtina, ish ministër i brêndshëm me famë i Tyrqisë. Edhe u ndamë.            Ndërsa un bënja planet e mija vetë me vete për të nisur zbatimin premtimit që kisha dhënë, një lajm i papritur m’a behu nga Kruja si rrufé : 400 esadista kishin pushtuar atë qytet nën komandën e një oficeri krutan të Pashait. Vëndosa : gjindarmërija ësht kudo në Shqiprí të Mesme e infektuar me esadizën, puna s’pret, ushtrinë italjane s’dua t’a lê që të veprojë. S’kishte pra veçse një rrugë: do të vê në provë bashkqytetarët e mij.

N’e shpëtofsha Krujën kam fituar luftën të tërë kundra esadistavet. Mora prej komandës italjane një veturë ushtarake dhe u nisa për Krujë filli vetëm me një djalë. Hyra në mëngjes shpejt në qytet, mblodha në shtëpinë t’ime kushrinj e miq (jo shumë), thirra gjithë nëpunsit e nënprefekturës atje tuke u dërguar njerëzit e mij (se kishin urdhër nga komandari të mos dilshin nga shtëpit’e tyre ndërsa ai vetë e kishte kurdisur selin’e tij jo në nënprefekturë, por në shtëpi), dhe bashkë me ta fill e lart në nënprefekturë! “Alea jacta est” (Shprehje latine : Zaret u hodhën)  ( vendimi u muar)  thashë në Durrës dhe në Krujë pashë se me të vërtetë “audaces fortuna juvat”.(Idem : Fati ndihmon guximtarët) Nuk po zgjatem më ndër hollsira. Brênda nja dý javësh Kruja u kthye përsri nacionaliste siç ka qënë kurdoherë dhe lidhur me besë e me bé nën urdhrat e mij me gjithë 50 fshatrat e saj. Katër burra, që kishin mbi kurriz e ndërgjegje të tyre krime gjithë farësh u kapën e u eksekutuen pas një gjyqi të shkurtër disa orësh. Hysni Curri (i nipi dhe krahu i djathtë i Bajramit) vrapoi në Krujë nga Krasniqja për të më përgzuar; ca krerë të Mirditës erdhën t’i ofrojnë Krujës lidhje bese. Kisha ndër mênd tashti, pas këtij sukcesi, të zbrissha në Tiranë, në Kavajë, në Shjak për të shkatrruar çerdhet më të rrezikshmet t’esadizmës.

Po kur ja një letër nga Matja (kështu në vênt e në tërë malet e Gegrisë, jo Mati): m’a dërgonte Ahmet Beg Zogu! Më lajmonte se kishte marrë një ftesë nga Eshref Frashëri n’emër të një grupi nacjonalistash për të vajtur e marrë pjesë në një kuvênd kombtar me akç datë dhe më lutej që mos të mëngojsha un n’atë mbledhje... Kjo qe një bombë më e fortë për mua se ajo që kisha marrë ca kohë më parë nga Kruja në Durrës. Tradhtija ishte fare e qartë. Pse vallë? Faktet Ju a kam treguar, natyrën dhe shkaqet e tradhtisë i gjykoni vetë. Ç’të bëjsha un tashti? Prita edhe ndonjë ditë se mos merrsha edhe unë ndonjë letër me spjegime së paku nga ndonjë prej atyre që ishin lidhur me mua me një protokoll nderi. Asgjë. Zogu më dërgoi dhe një letër të dytë nga Tirana n’udhtim për Lushnjë. Të nisesha dhe un për Lushnjë si delegat i Krujës? S’kisha ftesë, po në fund të fundit kush ishin ftonjsit? Ç’cilsí kishin më shumë se un? Pa asnjë dyshim Eshrefi me shokë ishin në dije të lidhjes së R. Mitrovicës e tjervet me mua; ky i fundit dhe një tjetër shok i tij, Sadik Gostivari, ishin antarë të komitetit eksekutiv të K.K. dhe Eshrefi ishte kryetar’i tyre.

E këta kishin nënshkruar ca kushte me mua, njëri nga të cilët ishte që kongresi do të mblidhej në Krujë. Po vêndi s’kishte asnjë rëndsí, Kruja dhe Lushnja ishin dý qytete të Shqiprisë, si njëri tjetri. Krujën m’a kishin proponuar ata mua, jo un atyre, mbase për një sigurí më të madhe. Po Eshref Frashëri, pasi shokët e tij bënë me mua një lidhje kundra esadizmës, ai u lidh me esadistat vetë kundra meje. Esadistat më të rrezikshmit ishin bërë bejlerët e Tiranës e të Shjakut kur Esadit nisi t’i shkëlqente ylli. E këta me sejmenët e tyre qenë delegatë e projë e Kongresit të Lushnjës. Osman Bali me shokë ishin dhe ata atje, dhe Eshrefi u kishte thënë që do të punojshin të gjithë për Esadin, e vetmja shpresë që paskish mbetur për shpëtimin e Shqiprisë! Këto i nxorën të gjitha në shesh Esadistat kur e panë veten të gënjyer e që, sikur të mos kish qënë grusht’i Bajram Currit, qenë tuke pushtuar Tiranën. Por as Bajram Curri s’do të kishte mjaftuar, i cili qe larguar nga komanda porsa mbaroi opercjonin, madje pa e mbaruar edhe si duhej. Shpëtim’i vërtetë qe Avni Rustemi.     

   Un nuk vajta në Lushnjë, se kam lindur me parime morale të papërkulshme dhe, me gjithë shkollë e botë që kam parë, kam mbetur malsor i lashtë, i pagdhêndur. Un nuk besoj në të mirën e një pune që niset me tradhtí, për çdo arsye që të jetë. Eshref Frashëri, për të larë veten nga njolla e asaj tradhtije kundrejt meje paskish pasë thënë se t’a kishin lënë Mustafa Krujën që të zhbinte esadistat do t’i kishin vënë vetes mbë krye një Esad më të rrezikshëm! Edhe sikur t’a ketë besuar sinqerisht një absurditet të këtilë, tradhtij’e tij ishte gjithnjë tradhtí për mua. Nuk vajta në Lushnjë për të mos bërë edhe un një tradhtí: kur pranova dhe dhashë fjalën për një kongres, un kisha ndër mênd që t’i ftojsha më parë edhe shokët e qeverisë në të cilën isha pjestar që t’a pranojshin dhe ata, për ndryshe do t’i epsha dorheqjen kryetarit e do të veja në kongres me ballë të pastër. Isha në gjêndje, kisha mjaft fuqí t’a shkatrrojsha kongresin (un s’kisha nevojë për bataljonat shqiptarë që kërkoi Mufid Libohova nga Italjanët e s’i a dhanë, për të bërë një punë t’atilë), por do të kishte qênë edhe ajo një tradhtí, dhe një tradhtí kundra atdheut, me një armik brênda. Prandaj as kjo s’ishte punë për mua. Për arsye morale humba politikën e s’jam i penduar.

 Kjo, lum bashkatdhetar’i im, historij’e Kongresit të Lushnjës, historij’e vërtetë si Zoti që ësht një, historija lakuriq: e ka nisur Krahu Kombtar, për të cilin do të na duhet të flasim dhe më poshtë, se ka luajtur rol të madh në Shqiprí dhe një rol nefast; ka punuar më shumë, ndër ata njerëz, e më parë patrijotizma e sinqertë apo lakmija e kulltukut, nakari, egoizma? Ketë vetëm Perëndija e din me të sakët. Shpirt’i lëvizjes ka qënë Eshref Frashëri. Pa asnjë dyshim, të gjithë delegatët që kanë vajtur atje, të ftuar prej tyre, kanë pasur qëllime të pastra, veç cave që mund t’a kenë quajtur një rasë të volitshme për të kapur ndonjë kulltuk, për të shtuar influencën, et. Esadistat e thjeshtë un s’i dënoj, ata i vê në një kategorí me rebelët antividista që vërsuleshin për të kapur me dorë mitraljozin e për t’i hypur topit sipër mbi kodrat e Durrsit.

 Kongres’i Lushnjës ka bërë shërbim mjaft, por jo aqë sa e ka zmadhuar propaganda e interesuar. Lëvizja çlirimtare e Vlorës ësht krejt e pamvarë nga ai kongres sidhe nga qeverija që polli ai. S’ka në mes të tyre veçse një lidhje të përfaqëshme shënakótet. Dëme, në pastë pasur, i gjykoni vetë nga faktet që dijni sidhe në lidhje me ato që këndoni prej meje. Tashti po ju flas më gjersisht për K.K., të parën organizatë politike në Shqiprí pas independencës. Si thashë më lart, ka qênë një shoqrí e fshehët, jo partí; por më vonë, siç do t’a shohim tani shpejt, ka pasur edhe fytyrën e përjashtme si partí. Shoqrí e fshehët patrijotike, për të vrarë tradhtorët e atdheut, armiqt e popullit! Kjo motto-ja. Po në të vërtetë, Eshrefi me shokë s’kanë qënë aqë të thjeshtë sa të besojshin se në Shqiprin’e vogël mund të mbahej e fshehur një koxha shoqrí për të vrarë; në Shqiprí ku s’kanë mbetur thuajse kurrë vrasje të pazbuluara se kush i bëri, edhe kur i ka bërë vetëm një dorë e një familje, jo që po mbeten vrasje me vëndim të një komiteti.

Por atyre u ka pëlqyer motto-ja për qëllime tjera që kishin, për ato të vërtetat. S’kanë vrarë asnjë, kanë bërë vetëm një atentat kundra Mufid Libohovës një herë me anën e komandarit të gjëndarmërisë së Gjirokastrës, të cilin e kishin militant. Komandari përdori ca gjëndarmë të tij që u besonte, dhe këta hodhën, po s’i a ngjitën dot ase nuk deshën t’i a ngjitshin. Komandarit i a dha urdhrin prefekti, dhe ky i K.K. I njoh të dy këta, njëri është i gjallë e tjetri ka vdekur. Të dy me të vërtetë patrijotër. Lum ai Shtet e ai popull që ka prefekta e oficera gjëndarmërije me një mêndsí të këtilë. Një tjetër vrasje të këtilë “patrijotike” kishin dhënë urdhër t’a bëjshin, prap me anën e gjëndarmërisë në një tjetër vênd. Po një pjestar i komitetit që e kishte partizan personal kandidatin për t’u vrarë nuk bëri zë fare kundra vëndimit që u dha, po menjëherë i dërgoi lajmin mikut që të vente në Tiranë dhe u a paraqiti shoke të tij si aspirant të flakët për t’u bërë shok militant i K.K. U pranua menjëherë, natyrisht i purifikuar, dhe... shpëtoi nga vrasja! Ishte njeri me influencë në vêndin e tij. Qëllimi pra ishte, jo të vrisnin, po të trêmbshin e të bëjshin vegla ase partizanë nga frika ata njerëz që u hyjshin në punë.

Një tjetër armë e tyre ishte shkreditim’i kundrështaret me shpifje çdo lloje. Kjo shoqrí qesharake e për turp të vêndit quhej prej kundrështarvet klikë e më shumë se me emrin e vërtetë me këtë ka marrë famë. Vetëm se ashtu – kështu roli që ka luajtur ka qênë shum’i madh, sepse vepronte nën maskën e patrijotizmës, të popullit e të demokratisë. Klika polli në 1920 partinë popullore. Ç’programë kishte? Një programë të shkruar të saj s’kam kënduar kurrë dhe as të një tjetër partije që vjen këtu më poshtë pas ksaj. Programë ndër neve Shqiptarët janë ndo personat me influencë, ndose klikat intelektuale ndër të cilat zotron më shumë ai që ësht më i zoti për intriga. Pa fjalë keni zgjedhur një subjekt të pagratshëm (ingrat), Z. Profesor, e të padenjë për pêndën t’Uaj në qoftë se thelbin e tij do t’a përbëjnë rrymat e partitë politike. Si e dijni dhe si po Ju a tregon edhe ky shkrim, e tërë jet’e ime fatkeqe ka shkuar në mes të këtyre rrymave e partive, e kur flas kështu besomni që Ju flas të drejtën.

Partija popullore përmblidhte një numër më të madh intelektualësh dhe kishte ndër ta patrijotër të vërtetë, më e shuma jugorë, siç ishin edhe viktimat e Eshref Frashërit në K.K. Si parim të njohur, po jo të pohuar, partija popullore, që drejtohej pa kuptuar prej klikës, kishte : Shqiprija ësht gjysma e qytetruar (Juga) dhe gjysma primitive (Veriu), gjysma popull dhe gjysma fise. Prandaj ligj’e përparimit njerzor na mëson se populli duhet t’i qeverisë fiset, jo këto popullin. Nuk llogaritet dot dëmi që na ka bërë për afrimin e besimin, me një fjalë për bashkimin e këtyre dý pjesve të mëdhá të kombit ajo politikë. Ka gjëra, që kur janë për interesë të përgjithëshme do të bëhen, edhe sikur mos t’u pëlqejnë një palve; por bëhen e nuk thohen dhe ka mënyrë e mënyrë të bëri. Bejlerë të mëdhaj s’ka pasur n’atë partí, veç Zogut. Po ky mjeshtër prej natyre i politikës shqiptare, për klikën e partinë popullore të tërë ishte më demokrati i gjithë demokratvet. Vetëm pas dý vjetve e ca nisën ata t’ulurijnë se kishin qênë gënjyer, në 1923! Qe tepër vonë. Partija e shtrëngoi t’i a lëshonte ministrin’e brêndshme një shoku tjetër gjatë zgjedhjeve të Kuvêndit Kushtetues. Ai s’bëri asnjë kundrështim, dhe i a lëshoi Rexhep Mitrovicës.

Por para popullit zgjedhës doli me një shpallje të tij personale e një listë të tij të ndarë nga ajo e partisë: fitoi më shumë deputetë se e gjithë partija! Ishte më i zgjuari, dhe ata që pandehshin se do t’a bëjshin vegël të qëllimeve të klikës qy me kongresin e Lushnjës, u bënë vetë vegla të tij pa kuptuar tri vjet e ca gjersa i shtruan mirë udhën e mbretrimit diktatorjal. Kur e kuptuan deshën të revoltohen, por kishin rënë mirë në rret dhe revoltim’i tyre nuk bëri tjetër veçse të turbullojë keq e të komprometojë fatin e Shqiprisë: atentat’i Beqir Valterit, reakcjoni me vrasjen e Avni Rustemit, lëvizja e qershorit 1924, kthim’i Zogut nga Jugosllavija, tashmë me pushtet diktatorjal të hapur e të legalizuar, dhe rest’i mëpastajmë qenë drejtpërdrejt pasojat e politikës së partisë popullore.

 Drejtonjs’i vërtetë i partisë ka qënë Eshref Frashëri, ambicjoz i madh pa zhurmë e pa reklamë, “njeri i natës”, siç e ka quajtur me vënd Konica, e i konciliabull-et, i konventikull-¬et, mjeshtër intrigash, magjistar i politikanve të thjeshtë e sylesha, armik i çdo njeriu me vlerë që s’e hidhte dot në rretin e tij. Çdo vëndim me rëndsí të partisë, Eshrefi e bisedonte më parë me shokët e klikës e si t’i kishte orqestruar mirë këta e nxirte në mbledhjen e partisë. Të gjithë deputetët e partisë popullore, me përjashtime të pakta që pajtoheshin me qëllimet, karakterin e methodat e Eshrefit, kanë qênë viktima të tija. Vetëm një i a hodhi: Ahmet Zogu. Ai s’e donte këtê edhe ky atê sa prushin në gji.

Po që të dy kishin gjetur oportunitet e interesë të huashme për një bashkpunim të vazhduarshëm e të ngushtë, intim: ai mejtonte dhe u thoshte shoke të tij demokratë e popullorë që ndiejshin një antipathí instinktive kundër Zogut, se pa këtê s’mund të mbaheshin nën frê Gegët e marrë; për hir t’atdheut, për t’i bërë fiset popull, një Gegë i fortë i duhej partisë, e ku do t’a gjejshin një tjetër më të përshtatshëm se këtë beg demokrat e të pazotin t’i kuptojë qëllimet e larta të partisë për të reaguar?! Apo doni Mustafa Krujën?” u thoshte pasi i kishte hypnotizuar gjer në mërinë më t’egrën kundra meje qy para kongresit të Lushnjës. Dhe Begu me të vërtetë e ka luajtur me mjeshtrinë më të rafinuarën rolin e demokratit të mbaruar. Leader-i dekorativ i partisë ishte Fan Noli, oratori lartushtonjës Ali Këlcyra, folsi i matur e sarkastik Stavro Vinjau. Tjerët ishin të gjithë për iso. Kaqë më vjen ndër mênd të them për partinë popullore. Mbase ndonjë send tjetër mund të dalë dhe nga pak fjalë që mund të them, tashti që i ka ardhur radha, edhe për përparimtaren.
 
Shkrimi u publikua në suplementin Rilindja të gazetës Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në Shëngjin/ Policia urdhëroi dje evakuimin e banorëve, ja cisterna me 5 mijë litra gaz

Zjarri në Shëngjin/ Policia urdhëroi dje evakuimin e banorëve, ja cisterna me 5 mijë litra gaz