Mustafa Kruja, një jetë e
vrullshme politike e patriotike

Mustafa Kruja, një jetë e<br />vrullshme politike e patriotike<br>
(Vijon nga numri i se premtes…) Ishte në Rrëshê të Kthellës kur nji ditë prej ditsh, me 12 qershuer 1915 e gjet nji Krutan me nji letër zyrtare qi i dërgonte prej Kruje nji njeri i cili cilsohej Kryetari i Qeverís së Përkohshme të Krujës. Ky i shkruente se Esad Pasha i kishte zânë e burgosun të tânë mashkujt e shtëpís e të fisit dhe po të mos biente vetë në dorë mbrênda 15 ditve “s’kishte pse pyette mâ për njerzit e tij”. Vêndos me shkue e m’u kshillue me miqt e shokët qi kishte në Shkodër. Të gjithë e kshilluen me rá në dorë. S’kishte zêmër të kulluet, zêmër burri qi, për me pasun kryet e vet shëndoshë, të lênte në rrezik aqë krenë tjerë të gjakut të vet, atje edhe i ati. Kështu bâni edhe ai. Mbasi shkroi e la në dorë të nji miku nji farë testamênti shpirtnuer u nis për Durrës. Mbrâmjen e së mërkurës, më 21 korrik 1915, shkoi me kâmbë të veta e hŷni në burgun e madh të Durrsit. Atje, posë të vetvet gjet edhe shumë të burgosun tjerë politikë e shumë i u bânë shokë mâ vonë. Esad Pashë Toptani u difue burrë me Mustafa Krujën. Ki – i mëní e foli hakun. Të gjithë mashkujt Merlikaj qi kishte burgosun i liroi n’e nesre: babë, axha, kushrîj, veç nji të kushrîni qi qe dorzue bashkë me tê e qi u lirue mâ vonë. Vetë Mustafa, qi me shpirt të kthiellt e të kënaqun për shpëtimin e të vetvet pritte për gjithë agim tragjedín mâ të shëmtuet të jetës së tij  - vdekën në konop – u kursye prej atij qi s’i kishte humbun të gjitha vërtytet e Shqiptarit të hershëm, qi përfaqsonte mâ fort typin e feudalit kalorës të Mesjetës se sa atê të nji ambicjozi politik të pashkrupull të kohvet moderne.

 

 

 

Vjeti 1915 ishte tue perëndue. Flaka e luftës kishte marrë tashmâ Evropën mbarë. Kishte përfshimë edhe Italín. Ushtrija austro – hungare kishte nisun t’i rrasej Shqipnís nga veriu dhe Bullgarët nga lindja. Esad Pashës s’i kishte mbetun mâ shpresë se mund të sundonte në Shqipní, nemose për sa të ngjatte lufta. Po përgatitej të ndiqte fatin e qeveritarvet të Beligradit qi kishte pritun e përsjellë mâ parë përtej Adriatikut. Dhe e dinte se, me t’ardhun Austrijakët, të burgosunit politikë do të liroheshin. Nji burgim kaq’i shkurtën për anmiqt e tij i dukej tepër pak. I a dorzoi Italís si anmiq të rrezikshëm të politikës së saj në Shqipní. Nji anije barrtore italjane, e nisun me 2 Shëndré prej portit të Durrsit, i muer e i shkarkoi në Brindisi dhe disa vagona hekurudhe i muerën prej andej e u a dorzuen burgjeve të Barit.

 

Mbas gjashtë javë burgimi në Bari Mustafa Kruja me shokë u mërguen n’ishullin e Favinjanës, nji ishull i vogël shi në perëndim të Siqilís. Por miq e shokë të tij të lirë kishin bâmë ç’kishin mundun në Romë për t’a lirue edhe atê, e mb’anë tjetër Esad Pasha, qi kishte formue në Selanik nji hije qeverije shqiptare në mërgim, ishte vûmë kryekëput nën urdhnat e Parisit gati në kundrështim të plotë me udhzimet e Romës. Për këtë shkak kjo e gjên t’arsyeshme tash me i sjellë sŷt kah kundrështarët e Esadit dhe prandej Mustafa Krujës i epet leja me shkue te i vllai, student në Caserta, mbas 16 muej ndêjtjeje të shtrëngueme n’ishullin e vogël t’Egadvet. Mbas dy muejsh tjerë thirret në Romë prej Ministrís së Jashtme dhe i kumtohet se ishte i lirë në të tânë Italín.

Deri në mbarim të luftës botore mbet n’Italí. Ky mërgim i dha rasë me nxânë italishten, me njohun Italín, bukurít e saja natyrore e artistike, karakterin fisnik të popullit të saj, kulturën e saj. Zhvilloi nji veprimtarí gazetarije në bashkpunim me Sotir Gjikën në faqen shqip të gazetës së Barit Corriere delle Puglie e mbandej në të përjavëshmen “Kuvêndi” të Romës. N’artikujt qi ka shkrue në këto dý fletore ndrisin me nji qartí nga mâ të kulluetat ndjenjat e tija patrijotike, stili i tij i rrjedhshëm, logjika e fortë, urtija e mêndimevet.

Me të marrë fund lufta Mustafa Kruja kthehet n’Atdhe. Ky mërgim prej gjînit të familjes së tij ka ngjatun nga 3 shtatuer 1914 deri në mbarim të Nândorit 1918. Djalin e parë qi ka lânë pa lemë e gjên 4 vjeç, nânën të vdekun. Me gjithë këtê nji telegraf i papritun e shkëput prap prej shtëpís së vet  pa u pasë pamë edhe me të gjithë të dashunit. Thirrej me organizue, bashkë me Luigj Gurakuqin, Fejzi be Alizotin, Myfid be Libohovën e Mehmet be Konicën, Kuvêndin e Durrsit qi do të shqyrtonte gjêndjen e ré të krijueme në Shqipní mbas luftës botore. Prej këtij Kuvêndi duel qeverija e kryesueme prej Turkhan Pashë Përmetit në të cilën Mustafa Kruja, pa mbushun as 33 vjet moshë, zgjidhet si Ministër i Postelegrafavet e si pjestar i Dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqës në Paris.

Por punët e Shqipnís nuk venë mirë as përjashta as përmbrênda. Përjashta, pse Shqipnija s’ka pothue se vetëm anmiq në Konferencën e Paqës ; përmbrênda, se Italija, qi kishte nën pushtimin ushtarak pjesën mâ të madhe të Vêndit, me fjalë tjera gjithë atë pjesë qi njihte auktoritetin e qeverís shqiptare, s’kishte nji politikë të caktueme për Shqipnín : e donte për Shtet më vete? E donte nën protektoratin apo mandatin e saj? Ku i donte kufîjt? E ky qëndrim i pavênduem i Romës shkaktonte nji qëndrim po t’atillë edhe ndër auktoritetet ushtarake të pushtimit, të cilat tërhiqshin e s’këputshin kudo pa përfundue kurrgjâ e as qeverís shqiptare s’i lêjshin nji lirí veprimi për me qeverisun si duhej as vetë me vargun e addetti civili  – ve të tyne s’dijshin se kah me i a mbajtun e ç’me bâmë.

Kjo gjêndje e mjerueshme kishte shkaktue pakënaqsí e anarkí në të gjithë Vêndin. Esad Toptani vepronte me anën e agjentave të tij në Shqipní për veten e vet e kundra Italjanvet. Nacjonalistat punojshin nën përshtypjen e humbjes së pavarsís e të tânsís së Shqipnís, për të cilën të gjithë fajin i a hudhshin gabimisht Italís dhe mâ gabimisht qeverís s’atëhershme qi bashkëpunonte me Italín. Shumë prej sish idealit patrijotik i shtojshin edhe ambicjet personale. E të shtŷmë verbnisht prej këtyne dy faktorve të fortë, kishin mërrîmë në nji lidhje të ngushtë me të tânë elementat e pakënaqun, të kshilluem e të nxitun edhe prej disa Shteteve të hueja, për me rrëzue qeverín italofile të Durrsit. Nga ky lâmsh heterogjen të përbâmë prej nacjonalistash ambicjozë, esadistash e disa bejlerësh fatndjekës leu Kuvêndi i Lushnjes.

Mustafa Kruja pat qênë themelisht i bashkuem e i marrë vesht me organizatorët e nji Kuvêndi si për ndërrimin e Qeverís ashtu dhe për shpalljen dhe zbatimin e nji programi kombtar. Por bashkpunimi i tij kishte për bazë, të pranueme në fillim edhe prej tjervet, pastrimin e Vêndit nga esadizma e nga influencat personale të dâmshme. Edhe i a kishte hŷmë vetë këtij pastrimi tue fillue prej Kruje. Kjo nisjativë e Mustafa Krujës dha fryte të shpejta e të paprituna. Aqë sa disa nga shokët nacjonalista qi i a kishin me të pabesë, me shkak se gjoja ai do t’arrinte të ngrihte nji diktaturë personale italofile, e tradhtuen dhe Kuvêndin qi do të mblidhej në Krujë me tê e ftuen m’u mbledhun në Lushnje me esadistat e bejlerët dhe Ahmet Zogun. Ky i fundit, tue e çmue e drashun personalitetin e Krutanit, u përpoq shumë t’i a mbushte mênden me letra qi të merrte pjesë edhe ai n’atë Kuvênd. Por Mustafa Kruja, i fyem nga tradhtija qi i u bâ e i pabindun për rezultatet e pasojat e mira të nji pune të nisun n’atë mënyrë desh të mbesë dorjashtë, por pa i shkue kundra, sadoqi n’atë kohë, po të kishte dashun, ndoshta edhe mund t’a kishte bâmë me dështue.

Prej Kuvêndit të Lushnjes leu nji qeverí e ré. Ahmet Zogu, si Ministër i Mbrêndshëm, ishte burri mâ i fortë i ksaj qeverije. Mustafa Kruja u tërhoq në qytetin e tij. Qeverija donte t’a ndiqte si kundrështar, por s’guxonte. Bâni nji udhtim deri në Lumë e në Dibër me qëllim qi të lidhte ndër vete krenët e atyne viseve qi gjindeshin nën pushtimin sërb për t’i përgatitun mâ së pari për nji qëndresë kombtare qi të mos i thente me pare anmiku pushtues siç kishte fillue me bâmë ; dhe mâ në fund për nji kundërveprim me armë po t’a donte e kur t’a donte nevoja. Në këtë veprim propagande Mustafa Kruja asnji gjymsë fjale s’e foli kundra Qeverís së Tiranës.

Ma se nji herë i u shkruen letra prej Tirane e i u çuen lajmës për t’i mbushun mênden qi të pranonte nji ministrí në qeverín Sulejman Delvina – Ahmet Zogu. I prapsi të gjitha proponimet qi i u bânë.

Por kur Tirana qe në rrezik me râmë në duer t’Esadistavet me Osman Balin,  Halit Lleshin e Tafë Kazín në krye, ai i dha dorën Bajram Currit për të shtypun e dërmue këta. E kur i u kërcnue rreziku i sërbit Shkodrës, vrapoi mbrênda 24 orve me 200 vullnetarë krutanë atje dhe ndêjti katër muej në ballin e Koplikut.

Ahmet Zogu i dërgoi në Shkodër dy sikarë për t’a vramë kur të vinte për ndonji ditë pushimi. E shpëtoi prej atij rreziku nji mik i tij, Ibrahim Hamzai (Kumanova), qi, i lajmuem vetë gand me të tâna hollsít për sa po përgatitej, lajmoi edhe atê.

U kthye mbandej në shtëpí të vet. Nga pushimi e qetija e ksaj kohe kanë dalë prej pêndës së tij disa artikuj politikë e shoqnorë të botuem në “Mbrojtjen Kombëtare” të Vlonës.Më 1921 u zgjodh deputet në të parin parlament shqiptar. Edhe këtu mbajti gjith’atë qëndrim, gjith’ata parime qi kishin frymzue të tânë jetën e tij: anmik i çdo vepre antikombtare e antipopullore. Prandej anmik i papajtueshëm i Ahmet Zogut e prandej kundrështar i atyne nacjonalistave qi bashkpunojshin me tê. U përpoq fort për nji bashkim të shênjtë ndërmjet gjithë deputetvet patrijotë me qëllim qi të vetmohej Zogu e t’u pritej hovi intrigave e ambicjeve të tija, por mjerisht s’u ndëgjue.

Në dhetorin e 1921-s bashkë me nji tog patrijotësh tjerë organizoi nji grusht shteti për të zëvëndësue qeverín e Pandeli Evangjelit, qi, pa i dhânë dum as vetë ndoshta, ishte bâmë vegël e verbët e intrigavet të Zogut, me nji qeverí Koculi – Gurakuqi. Por edhe kjo nisjativë dështoi nga mungesa e guximit dhe energjís të disa shokve të tij. Ashtu siç dështoi në mars edhe veprimi kryengritës i Elez Isufit të Dibrës dhe i Mustafa Krujës me pak krutanë kundra Ahmet Zogut.

Këta tentativa të dështueme për t’a shpëtue vêndin para se t’ishte tepër vonë nga rreziku zogolljan i shkaktuen Mustafa Krujës nji mërgim të dytë gjatë vjetvet 1922 e 1923 dhe deri në korrik të vjetit 1924. Nji pjesë të këtij mërgimi e kaloi ndër malet e Veriut, pjesën tjetër në Sërbí dhe ca në Vjenë e në Romë.

Mbas lëvizjes kryengritëse qi mbaroi me dëbimin e Zogut nga Shqipnija në qershorin e 1924-s, u kthye n’Atdhe. Mbas gjithë këtyne mundimeve desh të pushojë për do kohë në gjî të familjes pranë së cilës i kishte tokue me kalue kohë të shkurtna si i huej. Por si Qeverija ashtu edhe përfaqsuesit e Shkodrës e sidomos këta, të krishtênë e myslimanë bashkë, i u lutën fort qi të pranonte me qeverisun atë krahinë aqë delikate si prefekt. Dhe Krujës i u desh me i u shtrue vullnetit të Shkodrës ku kishte edhe shumë miq personalë.

Mustafa Kruja e sundoi prefekturën e Shkodrës për gjasht muej rresht me auktoritet e energjí të pashoqe, me të drejtë e me takt tue lânë kujtime të pashlyeshme deri n’ata qi kanë pamë interesa apo mêndime të tyne të cenueme prej veprimit të tij. Mënxyra e Kërshëndellave të 1924 e shtrëngoi t’i thotë edhe nji herë lamtumirë Atdheut të dashun e ksi shtegu për nji mërgim aqë të gjatë sa me plasun deri zêmrën mâ të durueshme.

Por këtë kohë mjerimi ai s’e shkoi kot. Trupin e kishte larg, por mêndja, por shpirti i rrinte në Shqipní. Ndêjt 8 vjet në qytetin e vogël e të qetë të Zarës, trí vjet e gjymsë në qetín mâ të madhe të nji katundi të vogël të Rivjerës lindore afër Gjenovës, dý vjet në Gjenevë dhe nja motmot ndër vise tjera t’Austrís e t’Italís. Gjatë këtij mërgimi ngushllimin mâ të madh e ka gjetun ndër studime gjuhsore rreth shqipes dhe në punime për këtê. Ka botue, posë shumë artikujve politikë në Lirín Kombëtare të Gjenevës e në Shqipërín e Ré të Kostancës, studime gjuhsore në rivistat shkodrane Hylli i Dritës e Leka edhe një përkthim të librit të Vladan Gjorgjeviçit me titull Shqiptarët e Fuqít e Mëdhá  prej sërbishtes në Zara. Ka përpilue nji fjaluer të madh të gjuhës shqipe me spjegime shqip e nji pjesë edhe italisht, të cilin nuk dishron t’a botojë pa e sqyrtue edhe nji herë këtu në vênd. Ka gati për shtyp nji vëllim dokumentash qi i përkasin rilindjes shqiptare prej Lidhjes së Prizrendit e deri në 1915. Ka në dorshkrim edhe disa përkthime tjera nga frêngjishtja e italishtja. Të gjitha këto, fryti i një mërgimi të gjatë të nji njeriu qi nuk din të rrijë kot.
mustafa kruja

mustafa kruja

d.c./shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Festa e Pavarësisë, BE në Tiranë: 112-vjetori e gjen Shqipërinë me hapjen e negociatave për Grupkapitullin e parë

Festa e Pavarësisë, BE në Tiranë: 112-vjetori e gjen Shqipërinë me hapjen e negociatave për Grupkapitullin e parë