Ai ka kujtuar në fillim të prezantimit se që nga viti 2001, kur është botuar libri i parë i Mustafa Krujës “Antologji Historike” nga Sejko e deri më sot, nuk është bërë asnji përurim i veprave të autorit, edhe se kanë parë dritën e shtypit plot 15 vëllime. Siç e shpjegon Eugjen Merlika, pas kaq vitesh botime, prezantimi i kësaj kolane me epistolarin e Krujës jo më kot është bërë në qytetin e Shkodrës.
Në gjithë letërkëmbimet e Krujës Shkodra dhe shkodranët kanë një vend të posaçëm. Në termin shkodranë nuk nënkuptoj vetëm banorët e qytetit të Shkodrës, por edhe ata të rretheve për rreth si Mirdita e Puka, që njihnin qytetin 2400 – vjeçar si shtëpinë e tyre të madhe. Me Shkodrën dhe bijtë e saj u lidhën shumë ngjarje të jetës së firmëtarit të Krujës.
Ishte 25 vjeç kur e vizitoi për herë të parë në pranverën e vitit 1912, duke shoqëruar Abdi Toptanin, për të biseduar me krerët e saj dhe të 12 bajrakëve të Mirditës, rreth mundësisë së një lidhjeje të Shqipërisë së Veriut dhe asaj të mesme në kryengritjen që kishte shpërthyer në Kosovë e që po fillonte edhe në pjesët e tjera të Vendit. Aty u takua edhe me Hasan Riza Pashën, për të cilin ruajti nji konsideratë shumë të mirë. Vrasja e tij dhe dorëzimi i Shkodrës malazezve në pranverën e vitit 1913 qenë veprime që ngjallën tek M.Kruja dyshimin e tradhëtisë së Esatit dhe e shtynë të mbante qëndrim kundër tij, edhe se i detyrohej shumë për shkollimin e tij.
Në një çast të vështirë, në dhjetor 1914, kur Esat Pasha kërkonte dorëzimin e tij, mbasi kishte arrestuar gjithë meshkujt e familjes, Mustafai shkoi në Shkodër, për të zgjidhur në një rreth miqsh rebusin e përgjigjes që duhej të jepte.
Viti 1919 e gjen ministër e sekretar të Dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, ku bashkëpunon ngushtësisht me Luigj Gurakuqin, Atë Gjergj Fishtën dhe Imzot Luigj Bumçin. Më 1920 gjindet përsëri në Shkodër, në krye të 200 vullnetarëve kruetanë në Koplik, në mbrojtje të krahinës nga malazezët. Më 1921, si deputet i Kosovës në të parin parlament të Shtetit të pavarur shqiptar, bëri pjesë në grupin e deputetëve të Shkodrës, që ishin si një forcë e ndërmjetme mes dy partive përparimtare e popullore e propozoi kryeqendrën e Veriut për kryeqytet të Shqipërisë.
Më 1924 emërohet Prefekt i Shkodrës me fuqi të plota dhe i drejtohet asaj, ndërmjet të tjerash, me këto fjalë në përshëndetjen e 28 nandorit 1924 : “... Popull i Shkodrës ! Ti, sidomos, me malet e tueja nuk do t’i harrojsh traditat glorioze qi trashigon prej të parvet tuej, qyshë prej Kara Mahmudit e te Oso Kuka, nj’ashtu si t’i kanë përshkrue Vaso Pasha i yt e auktori i pavdekshëm i Lahutës së Malsiës ! Meritoje pra edhe me veprat e mbaskëndejme vêndin e nâltë qi të ka caktue historia në gjî të kombit shqiptar !” Nuk është thjeshtë retorikë festive e rastit, është shprehje e bindjeve dhe opinionit të M. Krujës për kryeqendrën e Veriut e djepin e kulturës e traditave më të mira. Nuk do të vazhdonte gjatë qëndrimi në Shkodër. Kthimi i Ahmet Zogut do të çonte në mërgimin 15-vjeçar dhe largimi i Mbretit të shqiptarëve në 7 prillin e zi të historisë së tyre, në kthimin e të mërguarve të Krishtlindjeve 1924.
Në dhjetor 1941 M.Kruja merr përsipër formimin e nji Qeverie nacionaliste, në përbërjen e së cilës marrin pjesë si ministër i Financave Shuk Gurakuqi, i Partisë Jup Kazazi, zv.sekretar shteti i Punëve të brëndëshme, Mark Gjomarkaj e sekretar i përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Çoba, që të katër përfaqësues të inteligjencës shkodrane. Ishte përfaqësia krahinore më e spikatur në Këshillin e ministrave, që plotësohej me personalitete nga gjithë krahinat e tjera si Korça, Gjirokastra, Vlora, Dibra, Kosova, Përmeti.
Nuk kishte në atë qeveri asnjë kruetan ose tiranas. Indro Montaneli i përshkruan kështu ministrat e kabinetit Kruja : “Ministrat shqiptarë shëmbëllejnë me njëri tjetrin. Janë të gjithë të rinj, nuk them si moshë, por si shërbim. Janë të gjithë të veshur thjesht, pak t’ashpër, të pregatitur mirë teorikisht. E shkuara e tyre është pothuajse e njëjtë : kanë vuajtur për Vendin e tyre. Idetë e tyre janë të lidhura me disa dogma themelore : bashkimi i Shqipërisë, autonomi e brëndëshme, mbrojtje e racës dhe pasurisë së saj kulturore, bashkëpunim me Italinë në bazën e të drejtave dhe detyrave të përbashkëta. Janë të ndershëm e të varfër. Janë njerëz të veprimit e jo të burokracisë...”
Një kompleks rrethanash të brëndëshme e të jashtëme bënë që objektivi kryesor i Kryeministrit, ai i ndalimit të lëvizjes komuniste shqiptare, të drejtuar nga komunistët jugosllavë, të dështonte. Qeveria dha dorëheqjen më 4 janar 1943 e Kruja u tërhoq në jetën private, duke ruajtur lidhjet me personalitetet e ndryshme nacionaliste, për të vazhduar të punonin për atë objektiv, mos sendërtimi i të cilit rezultoi tragjik për fatet e Shqipërisë. Një ditë tetori të vitit 1943, në dalje nga klinika e Xhevdet Asllanit i u bë një atentat që, fatmirësisht, dështoi me një plagosje të lehtë në krah. Në mbrëmjen vonë t’asaj dite miku i vjetër i Mustafait, Kapidani i Mirditës Gjon Markagjoni, i shoqëruar nga 500 vullnetarë t’armatosur dhe nga bijtë e tij, Mark e Llesh, ia behën para portës së shtëpisë Merlika në rrugën “ Vllazën Huta”.
Bisedat në studion e ish Kryeministrit vazhduan deri në orët e mëngjezit. Ngulmimit të Markut e, kryesisht, të Lleshit për raprezalje mbi njësitet guerile e komunistët i u kundërvunë viktima e atentatit dhe miku i tij, Kapidan Gjoni me argumentin se “më ka shtie partia komuniste dhe jo individët”, për pasojë asnjë hakmarrje mbi këta të fundit. Ky episod është tregues i personalitetit të M. Krujës, të cilit historiografia komuniste, pa të drejtë, i ka veshur cilësinë e qeveritarit që jepte urdhëra vrasjesh, internimesh, arrestimesh e të tjera veprime shtypëse.
E vërteta është një tjetër dhe në largësinë kohore të 71 viteve, me të gjithë terrorin e gjithanshëm që pësoi Shqipëria, mbetet tepër i diskutueshëm gjykimi mbi të, por nuk është objekt i kësaj fjale. E kujtova këtë episod, jo shumë të njohur, sepse ai lidhet përsëri me Shkodrën, në të cilën, mbas ditës së plagosjes, Mustafai kaloi tre muaj në kullën e Kapidanit, si mik i nderuar i asaj familjeje princore, me vlera madhore morali, ndershmërie, gjykimi e atdhetarizmi.
Këtu mbarojnë episodet që kanë shënuar praninë e Shkodrës në jetën e Mustafa Krujës. Por një tjetër aspekt i kësaj pranie janë marredhëniet e ngushta me shumë shkodranë të jetës politike e kulturore kombëtare. Në krye të listës së miqve e të bashkëpuntorve ishte Luigj Gurakuqi, për të cilin gjyshja ime e ndjerë, Caja, më thonte shpesh se ai, në bisedat familjare në shtëpinë e saj, i përsëriste : “Eh moj Caje, të ka marrë më qafë ky – duke treguar me gisht të shoqin – i kam thanë sa herë të mos martohej. Kush ban politikë në Shqipni nuk duhet të krijojë familje.”
N’atë listë janë rrjeshtuar Atë Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Gjon Marka Gjoni, At Ambroz Marlaskaj, Dom Lazër Shantoja, Imzot Luigj Bumçi, Gjovalin Kamsi, Kol Bib Mirakaj, Karl Gurakuqi, Ernest Koliqi, Ndoc Sheldija, Riza Dani, Maliq Bushati, Dan Hasani, Shuk Gurakuqi, Engjëll Çoba, Anton Paluca, Zef Valentini e mjaft të tjerë njerëz të shquar e më pak të shquar.
Ja sepse, të nderuar pjesëmarrës, vendosëm që të vetmin përurim të veprave të Mustafa Krujës t’a bëjmë në Shkodër.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)