Mustafa Kruja:Pse nuk mund të flitet
për origjinën e nji race shqiptare

Mustafa Kruja:Pse nuk mund të flitet<br />për origjinën e nji race shqiptare
Origjina e racës shqiptare âsht ajo e racës së gjithë popujvet arjanë a indoevropjanë, tue qênë se të gjithë këta n’origjinë kanë qênë po nji popull e nji racë...

Një shkrim i Mustafa Krujës botuar në revistën “PËRPJEKJA SHQIPTARE”  në maj të 1938-ës me titullin “Origjina e popullit shqiptar”, edhe pse i botuar afro 80 vjet më parë ruan një dozë të fortë aktualiteti sa i takon temave të debatit historik që sillen vit pas viti rreth këtij argumenti.

Siç e thotë në mbyllje të shkrimit të tij Mustafa Kruja “QËLLIMI praktik i këtij shkrimi âsht me bâmë të njohun shqiptarit veten e vet si pjestar të nji kombi. A, mâ mirë me thânë, nji pjesë të vogël të vetvetes, atê qi i përket origjinës”. 

Sa i takon lexuesit, kruja thotë se “kemi pasun para sŷsh, si lexues, mâ fort intelektualin mesatar, e me këtê spjegohet edhe stili i përdorun e disa përsritje në kambëngulje.

Shkrimi është botuar me pseudonimin Shpend Bardhi, dhe është botuar në “PËRPJEKJA SHQIPTARE” Tiranë, maj 1938. Dje per lexuesit botuam pjesën e parë të këtij shkrimi, ndërsa sot do të vijojmë me pjesën e dytë të tij.
               
Tashti e dijmë se kush ishin Indevropjanët e vjetër e kush janë përgjithsisht popujt qi kanë dalë prej atij trungu.

Njohim edhe kartën e moçme të Ballkanit me popujt qi banojshin në tê. Mund t’a kapim pra përsrí e tash me nji mënyrë mâ të kthielltë e mâ të bindshme se përpara bisedën e origjinës s’onë.

Në katër pika i kishim përmbledhun mendimet e dijetarvet të gjuhsís mbi burimin e shqipes e pra edhe mbi origjinën e popullit shqiptar : 1) Origjinë iliro-indevropjane ; 2) Or. Thrako-indevropjane ; 3) Or. Iliro-thrako-indev. E 4) Or. Iliro-pelazgjike (iliro-paraindev.).

Nji glotolog fort i squet e i dijshëm i ditvet t’ona, Z. Carlo Tagliavini, profesor i gjuhsís shqipe n’Universitetin e Padovës, shkruen në “Enciclopedia Italiana” (II, 124) se origjina ilirjane ase thrake e shqipes ka nji rândsí të veçantë nga pikpamja e autoktonís së popullit shqiptar.

Sepse në qoftë se shqipja lidhet me indevropjanishten nëpër ilirishten, s’ka dyshim atëherë se populli shqiptar âsht autokton n’atdhén e tij, mbasi motit ky vênd ka qênë i banuem prej Ilirësh ; por në qoftë se shqipja nuk rezulton nji gjuhë ilirike por thrake, atbotë shqiptarët janë dynd’e ardhun në Shqipní nga Thraka.

Auktori nuk shkon mâ gjatë e prandej nuk dijmë se në ç’epokë do t’a vênte Z. e tij këtë ndërrim vêndi të shqiptarvet nga Thraka n’Ilirí po të provohej se shqipja rrjedh nga thrakishtja. Por mbas mêndimit t’onë nji shpërngulje e tillë nuk mund të kish ndodhun veçse në nji kohë shumë të lashtë.

Se ndryshe nuk mund të spjegohej nji influencë aq’e madhe e ilirishtes mbi thrakishten e shqiptarvet sa m’u quejtun nji thrakishte e ilirizueme apo nji gjuhë thrako-ilirishte, siç e pohojnë Bariqi, Jokli e Tagliavini, posë tjervet.

Sidoqi të jetë, edhe autoktoníja, si shumë gjâna tjera të ksaj bote, âsht relative. Po t’a marrim autoktonín në kuptimin absolut, duhet të quejmë autokton vetëm nji popull qi, mbas teorís poligjeniste, të parët e tij origjinarë të jenë krijue në vênd ! E atëherë asnji nga popujt indevropjanë, për me folun vetëm për këta, nuk do të quhesh dot autokton në krahasim me popujt e mâparshëm të Ballkanit të cilve kanë ardhë e u zânë vêndin.

E në qoftë se popujt pararjanë të Ballkanit, si edhe ata t’Evropës mbarë, qi janë zhdukun tue u shkrimë etnikisht me Arjanët qi u ranë mbi shpinë, në qoftë se ata nuk hŷjnë mâ në numër dhe do të quhen këta autoktonë, të këtillë janë atbotë në Ballkan Grekët, bijt e Helenvet, e të këtillë edhe Shqiptarët, bijt e Thrako-Ilirvet. Kurse, në krahasim me këta, Sllavët janë ardhacakë, pse kanë zdrypun në këto vise jo mâ pak se nja dymijë vjet mâ vonë.

Po qe se do t’i quejshim Shqiptarët ardhacakë ndër viset ilirike, tue i njohun si Thrakë, cilët do t’ishin atëherë autoktonët e këtyne viseve sod ? Sepse po e përsrisim, fjalët ardhacak e autokton s’kanë kuptim veçse për dy popuj qi rrojnë në nji vênd ase përbrí shoshoqit, nga të cilët i pari të ketë ardhun e pushtue vêndin a nji pjesë të vêndit të të dytit tue e shtŷmë e shtrënguem këtê në nji qark banimi mâ të ngushtë.

Qoftë pra edhe tue pranue tezën e Gustav Weigandit – qi për ne âsht nji hipotezë absurde – qi Shqiptarët të kenë ndrrue vênd nga Thraka n’Ilirí në Mesjetë, b.f. nën shtrëngimin e valës sllave, prap se prap përfundimi logjik qi do të nxiret âsht po nji : qi Shqiptarët janë autoktonë dhe Sllavët ardhacakë. Ase këto dý fjalë s’kanë asnji kuptim !
Mâ së fundi, themeli thrako-ilir i shqipes besojmë se mund të spjegohet fare mirë me kontaktet e drejta e të zhdrejta t’atyne dy popujve të moçëm pa qênë nevoja qi nji fis Thrakësh të jetë shkëputun prej trevës së vet për me ardh’ e m’u futun në tokën ilire.

Të vijmë tashti te origjina pelazgjike (pararjane) e gjuhës e e popullit t’onë. A âsht vallë me të vërtetë për t’u hjedhun poshtë pa tjetër ky mêndim i Pott-it ? Ky dijetar i madh ka qênë plot 54 vjet (1833 – 1877) profesor i glotologjís n’Universitetin e Halle-s (Gjermaní). Poliglot me nji dituní të gjânë tejet, ka qênë i specjalizuem në studime etnografike me anën e gjuhsís. Ka lânë grumbull të madh veprash me rândsí. Tezën e tij mbi gjuhën shqipe s’e ka hjedhun përpara si nji hipotezë të thatë intuitive, por e ka zhvillue me argumenta gjuhsorë dhe ka qëndrue në tê deri në fund. E quen shqipen nji “tepricë paraindevropjane iliro-pelazgjike” (Carlo Tagliavini, Enciclopedia Italiana II, 123/2).

Ç’duhet të kuptojmë nga këto fjalë ? E para qi auktori gjerman quen pelazgj popujt paraindevropjanë të Ballkanit a të nji pjese të Ballkanit ; dhe e dyta, qi Shqiptarët, për tê, janë Pelazgj t’ilirizuem. Ç’thonë kundërshtarët e tij? Thonë se s’ka pikë dyshimi mbi karakterin  indevropjan të gjuhës shqipe. Fare mirë. Por a nuk mund të jetë nji paraindevropjane e indoevropjanizueme? S’ka asnji arsye, na duket neve, qi të na ndalojë me pranue për shqipen, pranë hipotezës së nji thrakishtje t’ilirizueme edhe atê të nji paraindevropishtje t’ilirizueme a të thrako-ilirizueme.

Le të ndëgjojmë tashti edhe nji dijetar italjan, Z.in Piero Sticotti, Drejtorin e muzeut të qytetit të Trieshtës : 

“Ilirishtja njihet përgjithsisht si nji dialekt indoevropjan. Mbas mêndimit të disave, populli ilir qi flitte këtë gjuhë, të cilën duhet me e rendue ndër ato të tipit satem mbasi të këtillë e karakterizojnë përgjasít toponomastike, po ky popull ilir po u diktueka në Verí deri në viset balltike e në Jugë deri në Kretë (Gjirit). Në Greqí e në Kretë ai na qênka parahelenik : tash vonë, tue u mundue me decifrue do shkrime vorresh parahelenike, kanë gjetun fjalë qi spjegohen me gjuhën shqipe. Ky fakt na bân me mêndue se, edhe tue mos qênë ndoshta të parët e Shqiptarvet krejt të njâjtë me banorët parahelenikë, ata mund të kenë pasun lidhní fort të ngushta me këta, lidhní qi duken të vërtetueme edhe prej legjendavet beotike mbi heroin ilir”. (Enciclopedia Italiana, XVIII, 833/1).

N’i besofshim pikë për pikë këtij versioni, Shqiptarët na dalin Indevropjanë Ilirë parahelenë. E në këtë rasë Ilirët duhet të kenë zdrypun në Ballkan para Helenvet. Për ndryshe edhe këtu gjêjmë nji vërtetim të tezës së Pott-it.

Nga sa u shkrue deri këtu kuptohet qartë pra se Shqiptarët janë ase nji popull pelazgo-pararjan, banues në Ballkan qysh prej kohës neolitike nja pesmijvjeçare dhe i arjanizuem prej Thrako-Ilirvet ; ase drejt për drejt nji popull thrako-ilir, banues në Ballkan  prej nji kohe nja 3500 vjeçare.

*****
E kemi titullue kët’artikull “Origjina e Popullit shqiptar”, edhe gjithkund po këtë fjalën popull kemi përdorun kur na âsht dashun të përmêndim grumbuj të përbâmë prej njerzish qi kanë nji origjinë të përbashkët. Âsht nevoja të merremi vesht mirë me kënduesin mbi kuptimin e ksaj fjale. Siç dihet, populli ka pikë së pari kuptimin e banorvet të gjithë bashkë : të banorvet të nji katundi, të nji qyteti, të nji krahine a të nji Shteti.

Këtu, me këtë kuptim, të vetmet lidhní ndërmjet njerëzvet (individëvet) qi përbâjnë popullin, janë banimi i përbashkët në nji vênd e marredhânat shoqnore qi rrjedhin si pasoja të faktit të këtij banimi. Ky pra âsht nji kuptim thjesht shoqnuer.

Populli këtu âsht sinonim me neologjizmën popullsí. E me gjithë qi jemi përpara nji emni përmbledhës, kur e flasim a e shkruejmë, e ndëgjojmë apo e këndojmë, në mênden t’onë çfaqen fare kthielltë individët qi formojnë bashkarín, na dalin para sŷvet të mêndes nji nga nji si pjesë të dame. Krahasonie fjalën popull , në këtë kuptim, me fjalën komb.

Kjo e fundit nuk na sjell aspak ndër mênd persona të veçanta, por nji gjithsí krejt të pandame e të pandashme, m’u nj’ashtu sikur s’na bie ndër mênd kurrë për atomet e nji trupi fizik kur kemi të bâjmë me nji të këtillë.

Besojmë se kënduesi i ynë e ka marrë vesht hollë qi ky kuptim s’ka vênd në këtë studim.

Nji tjetër vështrim i popullit âsht turma, bota, gjindja, gërdhja : kur thomi, po zâmë, shumë popull âsht mbledhun. Kuptohet vetiu se as me këtë vështrim s’kemi punë këtu.

Të tjera vështrime të popullit qi s’na interesojnë në kët artikull janë edhe këto : shtetasit e sunduem, kur thomi, b.f. popull e qeverí, popull e parlament. E mandej kur e përdorim për vogjlí, në kundërshtim me klasat e nalta të shoqnís. Mâ në fund, populli ka edhe nji kuptim politiko-juridik, si element kryesuer ndër ata tre qi përbâjnë bazat e nji Shteti : popull, tokë e qeverí.

Por ky vështrim nuk duhet ngatrrue me atê të parin qi spjeguem si gjithsí të banorvet të nji Shteti. Atje kuptimi âsht thjesht shoqnuer, demokratik e gjeografik, kurse këtu âsht vetëm politik e juridik, filozofik e shkêncuer. Atje kemi para sŷsh banorët e Shtetit të gjithë bashkë e njikohsisht edhe veç e veç,  si t’ishim tue i numrue e regjistrue  këtu popullin gangull, të pandamë e të papjestueshëm.

E si të këtillë duhet të kemi kujdes qi mos t’a ngatrrojmë as me kombin, me gjithë qi këtë trazim gati s’ka shkrimtar qi s’e bân pa vumë ré. Nuk âsht pun’e madhe, mbasi as ai  qi e flet e e shkruen as ai qi e ndigjon e e lexon nuk i ep dum gabimit, në qoftë madje se s’jam un vetë i gabuem qi quej gabim nji përdorim gati të përgjithshëm në sheshin e politikës, due me thânë përjashta shkencës. Me gjithë këtê, mbasi këtu bâjmë shkêncë e jo politikë, qe ndryshimi midis dy skanjevet : e par’e punës si element juridik nuk thuhet kurrë se “Shtet pa komb s’ka, por “Shtet pa popull s’ka”. Dhe e dyta kur thomi populli, kuptojmë nji lândë të papunueme, t’aftë me marrë çdo formë, nji brumë të pagatuem ; por kur thomi kombi kemi ndër mênd nji aparat kolosal të gjallë, nji makinë të ngrehun e në punim e sipër, nji organizatë me të tânë organët e saj në vênd. Këtu kombi âsht sinonim me Shtetin, gati si nji metaforë e Shtetit.

As ky s’âsht kuptimi  qi ka populli n’artikullin t’onë. Na e kemi përdorun këtë fjalë me vështrimin etnologjik.  Âsht gjithsia e atyne njerëzve qi zakonisht flasin nji gjuhë të përbashkët, të trashigueme brez mbas brezi qysh prej nji kohe qi mund t’arrijmë na me dijen t’onë  me i gjetun fillesën. Shqiptarët flasin shqip. Shqipja âsht faza e ré e ilirishtes apo e thrakishtes.

Pra Shqiptarët qênkan nji tepricë e Ilirvet dhe Thrakvet, nji tepricë qi ka mundun t’a ruej qysh atëherë themelin e asaj gjuhe të lashtë, kurse   Ilirët dhe Thrakët e tjerë e kanë humbun, në vênd të saj kanë nxânë nji gjuhë tjetër, janë bâmë nji si ai, janë shkrimë me tê, pushtues e të pushtuemt janë bâmë të tânë nji brumë.
Edhe thrakishtja e ilirishtja janë faza mâ të vjetra se shqipja të nji gjuhe mâ të moçme qi flitte nji popull i quejtun Arja e qi sod, ajo gjuhë, thirret indevropjane.

Pra shqipja rridhka prej ksaj gjuhe e populli shqiptar prej Arjanvet të hershëm. E s’ka pikë dyshimi se edhe indevropishtja vetë âsht nji tjetër fazë mâ e moçme se thrako-ilirishtja e nji gjuhe shumë mâ të lashtë.

Veçse shkênca s’ka mundun sod për sod me shkue mâ përtej, dhe për këtë arsye na jemi të shtrënguem të qëndrojmë atje e të thomi se origjina mâ e vjetra e shqipes âsht  indevropishtja, origjina e shqiptarvet janë Arjanët.

Mirë po ndokush nga dijetarët don të thotë se në shqipet të soçme ka disa elementa qi nuk mund të spjegohen kurrsesi me indevropishten e se, krejt për kundra, do shkrime vorresh parahelenike vetëm shqipja mund t’i spjegojë. E po, atbotë, në qoftë puna vërtetë ashtu, shqipja paska nji themel mâ të vjetër në Ballkan se indevropishtja, e në  këtë rasë shqiptarët qênkan nji popull par-arjan në këtë trevë.

Populli, me këtë kuptim, s’ka kufîj gjeografikë e aqë mâ pak kufîj politikë. Përfshin të gjithë ata qi kanë nji gjuhë të përbashkët. Kështu kur thomi pra, me këtë vështrim, “Populli shqiptar” – kështu, me P të madhe do t’ishte mirë t’a shkruejshim – kemi   ndër mênd jo vetëm Shqiptarët e Shqipnís, por edhe të tânë të tjerët qi rrojnë përjashta saj : në Jugosllaví, në Greqí, n’Italí, në vênde tjera t’Evropës, n’Amerikë a në tjetër kontinent, qofshin vêndas apo të mërguem. Mb’anë tjetër as allogjenët as alloglotët e Shqipnís nuk bâjnë pjesë në Popullin shqiptar me këtë kuptim.

Por vallë a s’ka populli tjetër veçorí, në vështrimin etnologjik, posë gjuhës qi flet ? Jo po, ka ! Ka doket e zakonet, kulturën e traditat dhe nji tog  shfaqjesh të tjera shpirtnore të trashigueme.

Por sipër të gjithave e në themel të të gjithave rrin gjuha si elementi mâ dallues se të tânë, si edhe mâ i qëndrueshmi. Për individët mâ fort se gjuha kanë qëndrim trashigimet e tjera psiqike, por për popujt, për bashkarít kombtare shum’a pak të gjâna âsht e vërtetë e kundërta.

Posë ksaj fenomenet psikologjike janë aq të pleksuna, aq të ndërlikueme, qi âsht punë tepër e vështirë me i analizue me nji farë sigurije për të caktuem nji vijë, disi të shqueme, ndërmjet psikologjisë së nji populli e të nji tjetri. Prandej i vetmi element i sigurtë e praktik a së paku elementi kryesuer për caktimin e individualitetit të nji populli sod e gjatë shekujve të kaluem deri në origjinën e tij, âsht gjuha.

*****
Me këtë kuptim qi e kemi përdorun këtu, vallë a s’kishte mundun fjala popull me i a lëshue vêndin kombit ase racës (farës, fisit)?

Të flasim mâ parë për këtë të fundit. Raca a fara ka për njerín, para çdo gjâje tjetër, nji kuptim fizik, morfologjik. I dán njerzit me ça sheh sŷni në trupin e tij : rac’e bardhë, e zezë, e verdhë, simbas ngjyrës së lëkurës. Racë brakyqefale (kokshkurtën) a dolikoqefale (kokgjatë), simbas trajtës së krês.

E kështu mandej varg e vistër të gjitha veçorit e tjera trupore qi dallojnë farët e njerzís. S’ka asnji dyshim qi popujt n’origjinën e tyne kanë qênë shque prej shoqi-shoqit si me veçorít trupore ashtu edhe me ato të shpirtit. Mirë po sa mâ fort qi të jenë largue nga origjina në kohë e me vênd, aqë mâ tepër janë përzie e kapërthye me popuj të dalun prej tjetër rrânje, e atbotë aqë mâ shumë âsht ndryshue edhe trajta e tyne fizike.

Në mënyrë qi âsht e pamundun të ndiqet nji popull, nga pikpamja raciale, nëpër fazat e ndryshme ku âsht përshkrue e me mbërrîjtun kso dore n’origjinën e tij. Për shêmbull Shqiptarë e Sllavë rendohen sot në nji racë të vetme, të pagzueme dinarike (nga Alpet Dinarike).

Âsht fara thrako-ilire qi ka bâmë për vete edhe Sllavët ? Mirë po qe se popujt arjanë të soçëm, qi pra, mbas provës së pakundrështueme të gjuhvet kanë dalë të tânë prej nji trungu, dahen në shumë raca të ndryshme. Janë bâmë e po bâhen pa prâjtun tentativa shkêncore për të mbërrîjtun në nji dallim të sigurtë racash nëpër analizën mikroskopike të gjakut. Por rezultatet qi janë shtimë në dorë, deri tash, janë fare pak të kënaqshme për qëllimin e fundit. 

Për me tregue se sa pak të sigurta e të përpikta janë veçorít e caktueme prej Antropologvet për secilën farë njerzore, po shënojmë këtu poshtë se ç’thonë ata për tipin dinarik, qi na përfshin edhe né : shtati i gjatë shumë ; rrasht’i krêsë tepër i naltë, si nji pirg, rrafshatak e me nji rreth fort pak mâ të gjatë se të gjânë (pra brakyqefal) ; hunda mâ e madhja e të tânë njerzís, tepër e naltë dhe me majë të kthyeme si grep ; fytyra e hollë e e gjatë ; veshët të gjatë ; sŷt mesatarë ; buzët të holla; flokët pa rrudha e të murrët !
Sa për qind vallë janë ata (këndo : Ballkanas, veç Grekvet të cilët rendohen në racën mesdhetare a mediterrane) qi mund të bâjnë bé se shohin bash vetveten në nji pasqyrë të këtillë ?

Antropologjia, qi âsht shkênca e studimit të tipavet njerzorë, ka për të mundun ndoshta nji ditë me na bindun mâ fort me rezultatet e saj mbi karakterizimin e klasifikimin e farve të ndryshme, mbi origjinën e tyne dhe sidomos mbi lidhjet e tipit racial me psikën e njeriut. Se po, njeriu i mjerë, i xhveshun prej aktivitetit psiqik, jet nji gjâ verevërte fare pak tërhjekse e pa ndonji ndryshim nga kafsha përgjithsisht ! E sadoqi tepër zhurmë âsht bâmë deri sod e sidomos në këto kohët e fundit rreth eprís (superioritetit) së ndonji race përmbi tjerat, e drejta âsht qi provat shkêncore mungojnë gati kryekëput në këtë fushë. E pa këto prova fjala fjalën s’e mund kurrë. Antropologjia psikologjike âsht ende embrionale.

Tashti besojmë të jetë kuptue fare qartë se pse nuk mund të flitet për origjinën e nji race shqiptare. Origjina e racës shqiptare âsht ajo e racës së gjithë popujvet arjanë a indoevropjanë, tue qênë se të gjithë këta n’origjinë kanë qênë po nji popull e nji racë. Por sod asnji popull i qytetnuem nuk paraqet veçorí të nji race të veçantë, siç paraqet veçori kombtare të veçanta.

E tash na ka mbetun me u marrë vesht edhe mbi kombin. Në kuptimin etnologjik qi i kemi dhânë na këtu popullit, ky njisohet me kombin në të tâna veçorít e tija. Edhe vetë fjala greqishte ethnos don me thânë komb përgjithsisht e popull në kuptimin qi i kemi dhânë ksaj fjale këtu. E prandej, mbasi të jemi marrë vesht kso dore se ku e kemi qëllimin, mund t’a kthejmë fare mirë titullin t’onë “Origjina e Kombit shqiptar”.

Veçse duhet dijtun qi kombi, edhe në kuptimin etnologjik si n’atë tjetrin politik qi kemi spjegue mâ nalt, tregon nji shoqní t’organizueme me instituta shoqnore në nji shkallë etike mjaft të naltë, pjestarët e së cilës i ndîejnë thellsisht lidhjet morale qi kanë ndërmjet shoqi-shoqit. Sod populli i ynë ka mbërrîjtun në këtë shkallë. Por mbasi këtu kemi pasun para sŷsh nji popull shqiptar të konsideruem qysh prej origjinës së tij e nëpër fazat e ndryshme të jetës së kalueme deri në këtë ditë, fjala popull, qi ka nji kuptim mâ të gjânë se kombi, na përshtatej mâ mirë.

*****
QËLLIMI praktik i këtij shkrimi âsht me bâmë të njohun shqiptarit veten e vet si pjestar të nji kombi. A, mâ mirë me thânë, nji pjesë të vogël të vetvetes, atê qi i përket origjinës. Kemi pasun para sŷsh, si lexues, mâ fort intelektualin mesatar, e me këtê spjegohet edhe stili i përdorun e disa përsritje në kambëngulje. “Gnothi seaftón” (njih vetveten) qi na kanë lânë orakujt e Olympit apo t’urtët e Helenve të mrekullueshëm vlén sa për individët aq edhe për kombet, e ndoshta mâ shumë për këto se për ato, sod sidomos qi âsht bâmë modë me i ramë mohit kombsís për dashuni.... të njerzís !


Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

U shkatërrua nga flakët rreth 5 vite më parë, rihapet 'Notre-Dame'! Ja kur do të hap dyert katedralja historike e restauruar

U shkatërrua nga flakët rreth 5 vite më parë, rihapet 'Notre-Dame'! Ja kur do të hap dyert katedralja historike e restauruar