Mik i dashun,
Nga bregu i Lemanit, tue jetue e tue punue n’at atmosferë të pastër, të shëndoshë e tradicjonalisht të lirë, të paska râmë ndër mênd të më pyesish mbi gjêndjen t’onë këtu n’ Itali.
Të falem nderës për kujdesin t’ând. Veç, a s’gjete tjetër, me e futun në këtê pyll, posë meje?...
E ku po don tash me t’a fillue? Kishte me t’ interesue, besoj, mâ fort kjo faza e re e jetës s’onë, mbasi u rralluem e mbetëm tepër pak këtu n’ Itali e sidomos na këtu në Zarë. Por un due me t’a nisun qysh ditën qi kemi shkelun në këtê vênd, tue të përshkrue faktet bashkë me gjithë nështypjet e mia.