Ndërsa në vëllimin e parë u botua letërkëmbimi ndërmjet Mustafa Krujës dhe familjes Gjomarkaj e më tej letërkëmbimi i tij me prof. Zef Nekaj, në këtë vëllim të dytë botohet letërkëmbimi mes Krujës dhe gjashtë profesorëve të shquar të universiteteve të ndryshme të botës, njëkohësisht ndër personalitetet më të spikatura të jetës kulturore shqiptare, përkatësisht Ernest Koliqit, Karl Gurakuqit, Martin Camajt, Namik Resulit, Atë Zef Valentinit dhe Stavro Skendit.
Siç thotë Eugjen Merlika, nipi i Mustafa Krujës, kjo është një nismë e familjes për t’i paraqitur lexuesit të sotëm letërkëmbime të Tij me personalitete të ndryshme të jetës kulturore e politike të Shqipërisë.
“Ideja, për të botuar atë pjesë të letërkëmbimeve të mbetur në arkivin e familjes, është nxitur edhe nga vlerësimi që personalitete si E. Koliqi apo K. Gurakuqi kanë shprehur për to”, thotë Eugjen Merlika, duke sjellë dy citime të Koliqit e të Gurakuqit.
Koliqi në revistën Shęjzat me rastin e 70 – vjetorit të lindjes së M. Krujës shkruan se “Aty ku Mustafa, mendoj, arrin në përsosje letrare âsht stili epistolar. Ata qi patën fatin me pasë letra prej tij, duhet t’i ruejnë me kujdes sepse në to âsht derdhun visar i paçmim i shqipes”.
Ndërsa Karl Gurakuqi shkon edhe më tej. Në një letër ngushëllimi që i dërgon familjes në rastin e vdekjes së tij shprehet kështu: “Unë nuk do t’a harroj kurr e deri sá të jemë gjallë do t’i ruej me kujdes e me nderim letrat e Tija plot dashuní për mue personalisht, e për gjuhën shqipe veçanisht.
Ndoshta do të vîjë koha, e për këtë i lutem me afsh Perendís, qi të më jepet rasa të mbledhi e të përmbledhi krejt korrespondencën e Tij me miqt e shumtë qi ká pasë, e t’a botoj në vëllim të posaçëm”.
Nga ky letërkëmbim i Mustafa Krujës me miqtë e tij mësojmë shumëçka “rreth atmosferës politike të emigracionit, nji pjesë e udhëheqësve të t’cilit qenë angazhue thjesht për me kapë dollarë prej amerikanëve e s’tregonin as ma të voglin vullnet e zell për me organizue nji aktivitet konkret kundër regjimit të Tiranës”, shkruan prof.Ardian Ndreca në hyrje të vëllimit të dytë të “Kuvend letrash me miqtë”.
Sipas tij në këto letra ndihet gjithnjë e më tepër, me kalimin e viteve besimi në rritje i Mustafa Krujës ndaj figurës së sovranit, “të cilin ai e trajton si nji element që mundet me favorizue bashkimin e të gjitha forcave politike jashtë atdheut”.
Nga ana tjetër prej letrave që i drejton Koliqi shihet qartë vështirësia për të bashkërenduar veprimet mes grupeve e partive, ndihet atmosfera e mosbesimit dhe e ndasive, paqartësia për të ardhmen dhe pesha e sakrificave morale dhe ekonomike që i duhet të përballjë një grushti të vogël idealistësh atdhetarë që jeta “i ka hjedhë e shpërnda pa plang e pa shtëpi”.
Një vend të rëndësishëm në këtë “bashkëbisedim miqsh” zënë gjithashtu rrahjet e mendimeve në fushën e gjuhësisë e të historisë, zelli i botimeve, projektet për krijimin e qendrave të studimeve shqiptare në mërgim, botimi i të përkohshmeve me karakter shkencor, etj.
Një pasion i veçantë e dallon për ortografinë, tek e cila Mustafa Kruja preferon kryesisht parimin etimologjik, mandej vjen kujdesi për leksikun, sintaksën, etj. Prof.Ndreca vë në dukje në shënimin e tij hyrës se “jo rrallë stili i Mustafa Krujës paraqitet i vrazhdë, fjalët ndonjiherë bahen plumb të randa, por mbas tyne rrin nji njeri i drejtë me nji zemër të kulluet që urren rrenën e laselyesinë (dyfytyrësinë) dhe don vetëm të vërtetën. Në këto letra shihen xixat e jetës së mërgimtarit, por edhe hijet e vështirsive ekonomike. Mbi të gjitha mërgimtarëve politikë u mungon atdheu”.
Këto letra, siç thekson prof.Ndreca, përbëjnë një visar dhe ndriçojnë një hark kohor të rëndësishëm të historisë sonë, prandaj leximi i tyre padyshim do ta pasurojë historianin dhe do t’i shërbejë edhe lexuesit të thjeshtë.
LETRAT ME KEQARDHJE
Kruja, pesha e rëndë e 13 muajve kryeministër
Ndërsa analizon letërkëmimin e Mustafa krujës me miqtë e tij, Ardian ndreca ndalet në një prej çështjeve më delikatë në jetën e merlikës, periudhën prej 13 muajve kur ai ushtroi detyren e kryeministrit.
“Mbi Mustafën peshonte gjykimi i nji pjesë të mërgatës që s’ia ka harrue faktin se kishte qenë për 13 muej kryeministër. S’u binte në mend se kishte qenë ndër firmatarët e shpalljes së Pamvarsinë në Vlonë, se kishte luftue me të gjitha forcat q’prej atëherë e deri n’ato çasa për Shqipninë, dhe mundoheshin me e prozhmue me çdo kusht, tue shpifë e tue e randue pa të drejtë”, shkruan Ndreca.
Si Mustafa Kruja ashtu edhe Ernest Koliqi ishin marrë me politikë aktive gjatë luftës, dhe sic shihet nga letrat ata shprehin keqardhje për rrugën që morën ngjarjet gjatë luftës. “Ndihet diku diku edhe dëshira për me kuptue ma thellë se ku kanë gabue, por secili asht i bindun se n’ato çasa historike s’ka pasë as mundësi dhe as dije për me veprue ma mirë.
Tue e pa Shqipninë të nënshtrueme e për ma tepër nën thundrën e “Harushës së veriut”, siç e quejnë ata Bashkimin Sovjetik, ndiejnë se kanë pasë të drejtë që e kanë luftue komunizmin, ndryshe prej ndonji force tjetër politike që u pat mundue me flirtue pa sukses me Frontin komunist”, analizon Ardian Ndreca, ndërsa citon një letër të Karl Gurakuqi I cili i shkruan Mustafa Krujës:
“Ti u mundove, ti u përpoqe, ti u rropate, ti u shkrîne, edhe me rrezik të jetës, për t’i gatue Shqipnís rrugën e mirëqënjes e të përparimit, por dolën disa bastardha qi deshën e duen edhe sot, pa fije turpi, me shkatrrue shka ti me shokët e tú t’idealit me aq flijime ndërtuet. Por s’kanë me i a dalë kurr të shlyejnë nga faqet e historís s’onë ęmnin e ndritëshëm të Mustafë Merlikë Krujës, pse themele dhe rrâjë të forta ka shtî në rinín shqiptare.
Ka pasë thânë Pater Gjergji se Shqipnija u bâ për inád të dreqit e t’anmiqvet; ashtu edhe ęmni i yt, për inát të kundrështarvet mendjeshkurtë, të vagabondavet, të trathtarvet të vendit e t’ęmnit shqiptar, të krymbavet të ndësinavet, do të qindrojë nalt, gjithmonë nalt; do të vîjë dita qi do të shkruhet në librin e Atdheut, qi do të ruhet me zilí nga brezat qi do të vîjnë” (12/3/1957).
FRAGMENTE LETRASH
“E kam pritë ka herë ket ditë që t’iau them këto fjalë me dorë në zemër: keni ma të madhen simpathi e nderim jo vetëm prej meje, por edhe te të gjithë intelektualët e ri shqiptarë në Jugosllavi që njofin pak a shum historin e kombit tash pesëdhetë vjet e këndej.”
Martin Camaj 17 – 9 – 1956
“Prandej me sinqeritetin ma të madh u them se rinija e andejshme u don pse ke ju ka diktue ndershmenin n’idealin kombtar, flijimet tueja për ket ideal e sidomos dijen e juej pse talentet e lindun për intriga né na çojnë të vjelltë.”
Martin Camaj 15 – 3 – 1957
“E dijmë se ky âsht qëllim krenar, por na shpresojmë me i dalun në skâj për hir të përkrahjes morale e landore të Shkëlqesës s’Uej qi aq shërbime i keni sjellun deri tashti Shqipnis e shqiptarizmit në lamije kulturore. Dëshirojmë qi emni i Juej t’i zdrisi e nderojë sa mâ shpesh shtyllat e së përkohëshmes s’onë.”
Ernest Koliqi e M.Camaj 25 – 9 – 1957
“Kemi nevojë për tý, pse na ké zbardhë e na zbardhë faqen me ndershmenín qi të ká dallue gjith herë e në çdo rasë, me punën t’ânde të pareshtun në dobí të popullit, me jetën t’ânde të panjollë e me shkrimet e tua të matuna, të studjueme e me kompetencë, qi kanë nji jeh në qarqet letrare e do të lânë një vrragë të dukshme në letërsín t’onë.”
Gurakuqi 10 prill 1958
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.04.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)