Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa deklaroi sot se, nuk ka asnjë arsye për grevë në arsim.
Sipas tij, "Qeveria nuk mund t'i paguajë borxhet që kanë mbetur që prej 15-20 vjetësh". "Por ne po i lajmë borxhet e tanishme", tha Mustafa, duke shtuar se pagat në arsim janë konkurruese me ato të rajonit.
Ai tha se, nëse greva vazhdon edhe më tej ajo nuk është grevë për paga, por siç tha ai, "mund të jetë me motive politike dhe që i bën dëm arsimit".
Mustafa këto komente i ka bërë gjatë vizitës në Gjilan, ku është takuar me kryetarin Lutfi Haziri, si dhe ka vizituar disa nga bizneset e këtij qyteti.
Mustafa me këtë rast tha se, Qeveria do të përkrahë dhe gjithmonë do të modifikojë politikat fiskale dhe politikat e tjera zhvillimore karshi kërkesave të bizneseve.
Mustafa tha se orientim themelor është të rritet biznesi dhe cilësia e tij si dhe të përkrahen bizneset e vogla dhe të mesme e veçmas sektori privat. "Kjo, në mënyrë që të ketë sa më shumë njerëz të punësuar", tha Mustafa.
Mustafa tha se, komuna e Gjilanit dhe disa komuna të tjera kanë trashëguar borxhe nga e kaluara për shkak të investimeve që janë bërë. Sipas Mustafës, Qeveria do të shikojë që të bëjë disa përmirësime me rishikim të buxhetit.
Mustafa në Gjilan vizitoi edhe fabrikën e Duhanit, kompaninë Ask Foods dhe kompaninë RC/Colla./atsh/