KOSOVE­- Nuk ka asnjë krizë politike në Kosovë por vetëm tentative për të penguar punën e institucioneve me masa të dhunshme. Është ky qëndrimi i kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa në përfundim të takimit të zhvilluar këtë pasdite me presidenten Atifete Jahjaga dhe zv. kryeministrin Hashim Thaçi.

Mustafa deklaroi se mbështet nismën e presidencës për një dialog ndërpartiak ndërsa i bëri thirrje opozitës të kërkojë rrugë institucionale për kërkesat e saj. Ndërakq numri dy i Qeverisë, njëherësh kryetar i partisë më të madhe në vend, Hashim Thaçi, tha se “të gjithë ata që kanë vërejtje mund t’i diskutojnë ato në Kuvendin e Kosovës”.

Presidentja e vendit Jahjaga, thirri sot në takime kryeministrin Isa Mustafa, zv. kryeministrin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli si dhe shefat e grupeve parlamentare të PDK-së, dhe LDK-së në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të krizës politike.

Prej javësh Kuvendi i Kosovës është përfshirë nga kaosi ndërsa opozita nuk lejon zhvillimin normal të seancave deri sa qeveria të tërhiqet nga marrëveshjet e 25-26 gushtit me Serbinë.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)