/ATSH/.- Procesi i reformimit të administratës publike në vend duhet të përfundojë deri në fund të muajit maj. Ky proces i filluar vite më parë, sipas kryeministrit Isa Mustafa, domosdoshmërisht duhet të kryhet në të gjitha dimensionet e tij para fillimit të qershorit , fazë kjo në të cilën pastaj do të koordinohen veprimet që duhet të kryhen me Bashkimin Evropian.
Këto paralajmërime kryeministri Mustafa i bëri në takimin e sotëm të Këshillit Ndërministror për Reformën e Administratës Publike.
"Dua të them se ne domosdoshmërisht duhet ta bëjmë këtë proces, duhet ta përfundojmë procesin në të gjithë dimensionin e tij. Dua të kem informacion edhe prej ministrive të tjera për të parë se ku janë me detyrimet dhe me përmbushjen e tyre dhe të bëjmë një axhendë të cilën ne dëshirojmë ta përmbyllim deri në fund të muajit maj dhe jo më tutje, sepse periudha tjetër mbetet periudhë e bashkërendimit dhe korrigjimeve të nevojshme, të cilat duhet t'i bëjmë me Bashkimin Evropian", nënvizoi Mustafa.
Kreu i qeverisë kosovare theksoi rëndësinë që ka për vendin pasja e një administrate profesionale, e depolitizuar dhe efikase. Ai u zotua se së bashku me kabinetin e tij qeveritar do të bëjë gjithçka duhet për të arritur këtë.
Mustafa përmendi edhe sistemin e pagave për të cilat tha se "duhet të jenë të barasvlefshme me punën që bëhet dhe që në këtë kuadër të ketë edhe vlerësim të punës që bën çdo njeri i përfshirë në administratën publike.
"Për ne është me rëndësi që të krijojmë kushte të kemi një administratë profesionale, të depolitizuar dhe funksionale, të mos kemi dyzime apo trefishime të punëve ndërmjet ministrive, apo ndërmjet sektorëve të ndryshëm të cilët i mbulojmë. Të kemi sistem të pagave, i cili është në baraspeshë me punën që bëjmë, që çdonjëri e bën në administratë publike dhe mendoj që atë po arrijmë ta bëjmë tani", tha Mustafa.
I pranishëm në takim ishte edhe ministri i Administratës Publike dhe Pushtetit Lokal, Mahir Jagxhillar , i cili tha se "reforma është një prej çështjeve kryesore dhe kërkesë nga Bashkimi Evropian në procesin e marrëveshjes së stabilizim asociimit, për të cilën sot dhe që nga janari janë organizuar grupe pune për të kryer sa më shpejt këtë proces të nisur kohë më parë".
Reforma në administratën publike ka filluar që pas pavarësisë së vendit dhe vazhdon të ketë ngecje në realizimin e këtij procesi. /KosovaPress/