Mustafa: Tiranën e konsideroj si
Prishtinën! Gati të vizitoj Beogradin

Mustafa: Tiranën e konsideroj si<br />Prishtinën! Gati të vizitoj Beogradin
PRISHTINE- Kryeministri i ri i Kosovës Isa Mustafa është shprehur se Tiranën e konsideron si Prishtinën, ndërsa thotë se edhe "Tirana është shprehur e hapur për një vizitë të shpejtë atje". Kreu i qeverisë së Kosovës foli edhe për një vizitë të mundshme në Beograd, në çdo rast që të organizohet ndonjë takim i kryeministrave. Sipas Mustafës, kjo është e rëndësishme për të qetësuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Tiranën e konsideroj si Prishtinën. Tirana është shprehur e hapur për një vizitë të shpejtë atje. Edhe në Beograd, kurdo që të organizohet ndonjë takim i kryeministrave, unë do të shkoj atje. Përmes këtyre takimeve, do të qetësohen marrëdhëniet. Natyrisht se para Beogradit do të doja ta vizitoja Brukselin, Washingtonin, pasi janë dy qendra që na kanë ndihmuar shumë në shumë pikëpamje”, ka thënë Mustafa.

Në një bisedë për "TV21", Mustafa ka folur për shumë tema dhe çështje të cilat e presin atë si kryeministër të një vendi me ekonomi të brishtë e me shumë probleme tjera.

Kryeministri i ri i Kosovës, ndërkaq tha se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodhë në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.

“Unë jam shumë i bindur që vitin e ardhshëm kjo punë do të kryhet [liberalizimi i vizave]. Në pjesën e parë të vitit të ardhshëm do të insistoj që kjo çështje të mbyllet”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se megjithatë, “ne nuk jemi ata që vendosim për këtë çështje”.

Duke iu referuar ministrave e zyrtarëve serbë në Qeverinë e Kosovës, Mustafa ka thënë se ata i njohin institucionet e Republikës së Kosovës.

“Ata natyrisht se janë të lidhur me Beogradin, pasi edhe pakoja e Ahtisaarit parasheh që komunat kufitare të kenë afërsi me Beogradin, por nuk duhet t’i marrim gjërat e ngurta që nëse dikujt i rrëshqet diçka nga fjalori, ai qenka për të minuar Republikën e Kosovës”, ka thënë kryeministri Mustafa, duke iu referuar deklaratës së Zëvendëskryeministrit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Branimir Stojanoviç.

Duke folur për integrimet evropiane, Mustafa ka thënë se duhet të vazhdojë bashkëpunimi me ndërkombëtarët, në veçanti me Gjermaninë dhe SHBA-të, vende të cilat, sipas tij, e kanë ndihmuar Kosovën në këtë proces jashtëzakonisht shumë.

“Të gjitha gjërat duhet t’i sqarojmë në Bruksel. Jemi të interesuar që krahas Serbisë, apo edhe më shpejtë, të shkojmë drejt integrimit evropian. Gjermania e ka ndikimin kryesor në këtë proces dhe ne kemi biseduar me ta për këtë proces. Edhe SHBA-të na kanë përkrah në këto procese. Nuk duhet assesi t’i harrojmë këta miq. Konfliktet duhet t’i tejkalojmë, të krijojmë logjikë të urave të bashkëpunimit”, ka thënë Mustafa.

“Do të mundohem që si kryeministër të punoj me BE-në, në veçanti me Gjermaninë, që të punojmë shumë për të arritur liberalizimin e vizave. Njerëzve duhet t’ua hapim dyert që të shohin Evropën, por të kthehen këtu e të punojnë e ta zhvillojnë vendin”, ka thënë Mustafa.

Në çështjen e Forcës së Armatosur të Kosovës, Mustafa ka thënë se rëndësi ka që ligji të kalojë në Kuvend dhe të rrisim statusin e këtyre forcave.

“Nuk ka rëndësi a do t’i themi Forca të Armatosura të Kosovës, apo të Republikës së Kosovës. Megjithëse jemi republikë, më mirë do të ishte t’i themi Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës”, ka shtuar kryeministri Mustafa.

Marrë nga "Koha.net"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)