Besnik Mustafaj u pa sot në fushatën elektorale në Dibër. Si një dhëndër Dibre, mik i Sherefedinit, por dhe i lodhur nga të qëndruarit larg politikës, ai ka shkuar në takimin e Shehut në Dibër dhe ka tërhequr vëmendjen, më shumë se sa vetë kandidati për kryetar Bashkie.

Dhe kjo ka arsyet e veta.

Mustafaj është larguar me dorëheqje nga qeveria e Berishës në vitin 2007, për shkak të përpjekjeve të Berishës për të mos e konsideruar si ministër të Jashtëm, dhe është hequr prej tij dhe nga lista e kandidatëve për deputet të vitit 2009, me arsyetimin se ai ka votuar kundër PD, në një prej ligjeve vendimtarë të saj, që më pas u hodh poshtë dhe nga Gjykata Kushtetuese.

Prej asaj kohe Mustafaj ka qëndruar larg PD dhe ka qenë deri diku kritik me politikat e saj. I vetmi rast që ai ka shfaqur entuziasëm ishte zgjedhja e Bashës kryetar i PD, por dhe atë e kishte më shumë nga problemet që kishte me Olldashin, se sa me mënyrën si Berisha e emëroi Bashën kryetar, me një proces të pandershëm dhe të padinjitetshëm, fiks siç di të bëjë “ndere” Berisha.

Në krah të Mustafajt ishte dhe Selami Xhepa, një tjetër ekspert i njohur i ekonomisë, i afërt dikur me Berishën si këshilltar i tij, por që u mënjanua deri në largim nga PD, për shkak të qëndrimeve të tij kritike me politikat e saj.

Edhe ai ishte në Dibër si një mik i Shehut, dhe si dibran.

Kaq ka mjaftuar që Basha, në vend të shkonte për fushatë për Sherefedinin, të prodhonte lajme me problemet e PD. Biles për ta çuar deri në fund, edhe Mustafaj u kujdes që të lavdëronte më shumë Bashën se sa Sherefedinin.

Të gjitha lajmet e sotme, flasin më shumë për faktin që Mustafaj dhe Xhepa kanë shkuar në Dibër, se sa çfarë ka thënë Basha dhe pse nuk ka shkuar Berisha bashkë me të tjerët.

Arsyeja është se PD, e ka më shumë “gjakun e ngrirë” nga mënyra se si Basha po diktohet nga Berisha në drejtimin e PD, se sa nga fitorja apo humbja e Shehut në Dibër, të cilat janë thjeshtë zgjedhje lokale.

Dhe kjo vjen nga fakti se mbështetësit e PD, e gëlltisin të mërzitur në heshtje faktin që Basha nuk e bashkon dot PD-në dhe bëhen entuziastë menjëherë dhe nga gjeste të tilla të vogla.

Por deri për në Dibër kanë leje të gjithë. Dhe Basha ka leje nga Berisha të bëjë sikur se ka mendjen. Basha mund të marrë me vete Mustafajn, Zogajn, Xhepën dhe këdo tjetër, por vëmendja nuk është shkaktuar nga fakti se ata kanë shkuar për Sherefedinin, por nga fakti nëse Basha ka fuqi të afrojë në PD ata që ka larguar Berisha. E vërteta është se Sherefedini e bashkon PD më shumë se Basha, dhe sot fushata e tij, u kthye më shumë në një tribunë promovimi më shumë për ata që Basha nuk ka fuqi t’i kthejë në PD, se sa për sebepin që ishin mbledhur. Dasma ishte e Sherefedinit, por si “dhëndër” u prit Besniku!

Redaksia Online
Shqiptarja.com