Muxhahedinët, me qira në Tiranë
Noka u gjen shtëpi UNCHR paguan

TIRANE - Pak ditë më parë, Qeveria shqiptare pranoi që vendi ynë të strehojë 210 muxhahedinë irakianë me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vendimi u bë i ditur në një takim që kryeministri Sali Berisha pati me zëvendësndihmës sekretaren në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Zyrën e Çështjeve të Lindjes së Afërt, Barbara Leaf, së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Irakun, Ambasadorin Martin Kobler, të shoqëruar nga përfaqësues të Komisionerit të Lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR).

“Pasi u ripohuan marrëdhëniet e bashkëpunimi i shkëlqyer midis SHBA e Shqipërisë, biseda u ndal në kërkesën për zhvendosjen e disa individëve të grupit MEK, të cilët ndodhen në Kampin e “Liria”, në Irak dhe strehimin e tyre për arsye humanitare në Shqipëri.

UNHCR-ja u ka dhënë disa residentëve të Kampit “Liria” statusin e refugjatit dhe po bashkëpunon me qeverinë shqiptare për t’u gjetur atyre zgjidhje të sigurt, të garantuar e humane për këta rezidentë”, thuhej në njoftimin e kryeministrisë.

Gjithashtu, mësohet nga zyra e shtypit se kryeministri Berisha i theksoi zëvendës ndihmës sekretares së Shtetit Leaf se sikundër ju premtua Sekretares së Shtetit Clinton, gjatë vizitës së saj historike në Tiranë dhe qeverisë së SHBA, qeveria shqiptare është e gatshme dhe po merr masa për t’u ofruar strehim për arsye humanitare për një numër të kufizuar prej 210 personash, të cilët janë të mirëpritur dhe do t’ju krijohen të gjitha kushtet për një strehim të sigurt në Shqipëri në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e vendit.


Ndërkohë, burime nga Ministria e Brendshme, kanë deklaruar dje për Shqiptarja.com, se megjithëse po afron muaji, ata nuk kanë mbërritur ende. “Nuk e dimë se kur do të vijnë. Ministria e Brendshme merret vetëm me anën teknike, por mesa dimë, në bazë të marrëveshjes, duhet të mbërrijnë shumë shpejt”, kanë thënë burimet.

Sipas tyre, Ministria e Brendshme ka për detyrë t’u sigurojë atyre strehmin. Në këtë rast, po sipas burimeve, po shikohet mundësia e strehimit në ndonjë ish-objekt shtetëror, si dhe po kërkohen shtëpi me qira.

“Në ndjekim anën teknike. Kostot e qirave të tyre i paguan UNHCR. Ministria e Brendshme ka sigurisht për detyrë që t’i ruajë, mbrojë, që të mos kenë problem, incidente, të kujdeset për sigurinë e tyre”, treguan të njëjtat burime.

Në fakt, nuk kemi të bëjmë me disa qytetarë të thjeshtë në nevojë, por për pjesëtarë të një organizate, që, deri në 21 shtator të vitit të kaluar, kanë qenë në listën e organizatave terroriste të DASH-it. Historia e kësaj organizate është shumë e gjatë dhe me komplikime diplomatike dhe ushatarake ndërkombëtare.

Muxhahedinët e Iranit, zakonisht të njohur si Mujahadeen-e-Khalq ose MEK, janë renditur si organizatë e huaj terroriste (FTO) nga Shtetet e Bashkuara për vrasjen e personelit të saj në Iran, gjatë viteve 1970 dhe, lidhjet e tyre me diktatorin Sadam Huseinit, në vitet 1980 dhe 1990.

 MEK-u ndihmoi islamistët të përmbysnin Shahun properëndimor në vitin 1979, gjatë revolucionit islamik, por u larguan me dhunë nga klerikët, menjëherë pas triumfit të revolucionit dhe liderët e organizatës u detyruan të mërgonin në Francë në vitin 1981.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Kontrata që i shkaktoi humbjen e madhe, në Spanjë zbulojnë pse erdhi divorci i papritur i Pep Guardiolës

Kontrata që i shkaktoi humbjen e madhe, në Spanjë zbulojnë pse erdhi divorci i papritur i Pep Guardiolës