- Në prag të 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë -
TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/.- "Muzeu i Memories" emërtohet ekspozita e çelur të shtunën në mjediset e Presidencës, e cila shpalos fotografi të viktimave të diktaturës dhe të dhëna të detajuara të periudhës së errët komuniste në Shqipëri.
Ekspozita, e çelur nën kujdesin e Presidentit Bujar Nishani, është konceptuar si një muze virtual në prag të përkujtimit të datës historike të fillimit të Lëvizjes Studentore Shqiptare, 8 Dhjetorit, e njohur ndryshe dhe si "Dita e Rinisë", e cila simbolizon fillimin e rrëzimit të komunizmin në Shqipëri.
Qëllimi i kësaj ekspozite lëvizëse, është përveç pasqyrimit të së kaluarës së errët diktatoriale të vendit tonë, ajo të jetë prezente dhe për brezat e rinj duke u hapur më pas nëpër qytetet dhe institucionet arsimore publike anembanë Shqipërisë.
Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite, ku ishin të pranishëm të përndjekur dhe të burgosur nga regjimi komunist, studiues, historianë, studentë, etj, Presidenti Nishani tha se momentet e përcjella përmes saj, i përkasin të kaluarës sonë shumë të hidhur të një regjimi të cilin ata që nuk e kanë jetuar apo vuajtur vetë, nuk arrijnë ta kuptojnë se sa lëndues, denigrues, penalizues ka qenë ai për individin dhe shoqërinë në tërësi duke i privuar nga hapësira e lirë.
"Po, është e vërtetë që Shqipëria ka qenë një burg i madh, por sot ka mbetur vetëm çështje e retorikës. Ky muze ngacmon më shumë se çdo gjë tjetër përgjegjshmëritë e shoqërisë", u shpreh ai.
Ai i drejtoi një apel shoqërisë shqiptare, sidomos rinisë, për të memorizuar të kaluarën dhe sidomos pasojat e rënda psikologjike të asaj kohe. "Ne duhet ta memorizojmë të shkuarën, në mënyrë të tillë që së paku të kemi shpirtin e qetë dhe mendjen e kthjellët, për të parë tek ajo që është më kryesorja për ne, tek e ardhmja, sepse edhe sot që jetojmë e punojmë, kemi detyrimin për të ndërtuar të ardhmen, por kurrsesi për të harruar të kaluarën. S'ka gjë më të mirë për një shoqëri dhe për individin e saj kur shpirtin e ka të pastër dhe mendjen e ka të kthjellët", u shpreh Presidenti në fjalën e tij.Duke iu drejtuar studentëve të pranishëm si elita e ardhshme vendimmarrëse në drejtim dhe menaxhim të shoqërisë sonë dhe të resurseve të saj, Presidenti u kërkoi dhe i nxiti që të ndajnë me këdo e të reflektojnë mbi atë çka kemi kaluar dhe kryesisht mbi pasojat që ka sjellë ajo kohë.
"Koha jo fort e largët që prodhoi ato pasoja ishte një sistem konkret me mekanizma, kryesisht ideologjikë, që përfaqësohej përmes një rrjeti të tërë politik dhe struktura të tjera. Por, mekanizmi ekzekutiv dhe më i tmerrshëm ka qenë Sigurimi i Shtetit, që ka qenë ndër më të egrit edhe ndër të gjitha vendet ish-komuniste të Lindjes në Evropë. Dhe në fakt, krimet e kryera nga ish-Sigurimi i Shtetit janë konkrete, janë madje edhe në shkelje të rëndë të legjislacionit të kohës, të lirive themelore të njeriut dhe në dhunim të parimeve të humanizmit njerëzor. Unë besoj që përtej mekanizmit ideologjik që meriton gjykimin publik të shoqërisë, mekanizmat represivë, të cilët kanë kryer akte kriminale duhet të njohin përballje ligjore", u shpreh Presidenti i Republikës. /a.s/