Kuçova do të ndërtojë Muzeun e Naftës dhe Aviacionit dhe të kryejë rikualifikimin e bulevardit kryesor dhe sheshit para bashkisë. Bashkia ka çelur zyrtarisht procedurën e prokurimit për studim-projektimin.

Muzeu planifikohet të jetë një strukturë bashkëkohore që ndërthur aviacionin pasi Kuçova ka qenë bazë historike ajrore, me naftën që përbën zhvillimin industrial dhe jetën e qytetit nga periudha e Mbretërisë e deri sot.

Në objektin e vendosur në një sipërfaqe prej 9 mijë metrash katrorë, do të ketë salla ekspozitash, hapësira edukative, arkivë digjitale, ambiente sociale dhe një shesh të jashtëm për aktivitete kulturore. Qëllimi është krijimi i një hapësire të re qytetare, edukative dhe turistike.

Bulevardi qendror, i cili ka një gjatësi prej 250 metrash dhe sheshi do të kthehen në hapësira funksionale të përmirësuara sa u përket trotuareve, gjelbërimit, sigurisë për këmbësorët. Një pjesë e bulevardit do të kthehet në zonë pedonale dhe do të krijohet një shesh që do të shërbejë për evente, panaire dhe aktivitete të tjera.

Projekti konsiderohet një ndër investimet më të rëndësishme urbane dhe kulturore për Kuçovën që do t’i shërbejë rijetëzimit dhe gjallërimit të jetës publike dhe identitetit të qytetit.