Muzikë nga shtëpia dhe spektatorë nga divani! Artistët, këngë dhe mesazhe që na bashkojnë…

Muzikë nga shtëpia dhe spektatorë nga divani! Artistët, këngë dhe mesazhe që na bashkojnë…

Artistët na kanë bashkuar në ditët e distancimit social nëpërmjet muzikës. Ata kanë sjellë nga shtëpitë e tyre tinguj shprese dhe mesazhe të cilat na ‘shkundin’ për të na thënë se kjo me të cilën po përballemi, dashur pa dashur është edhe përgjegjësi e njerëzimit. 
Këngët e vjetra shqiptare, por edhe notat e kompozitorëve më me zë të historisë së muzikës, vijnë nëpërmjet artistëve shqiptarë, nga shtëpitë e tyre drejt tonave, si një himn I lirisë dhe jetës me mesazhin se ato do të triumfojnë…sërish e sërish…

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:50
Artistët shkodranë këndojnë 'Lule të bukura sjell pranvera'

Prej Shkodrës loce, mesazhe zemre të gdhendura në art sfidojnë melankolinë e kësaj periudhe izolimi prej COVID-19. Katër artistë shkodranë, performojnë për “ReportTV” “Lule të bukura sjell pranvera", duke sjell më pranë, përmes muzikës atmosferën e stinës së ngrohtë, e mbi të gjitha solidarizimin me të gjithë bashkëkombasit.

Ora 14:21
'Ju kënoftë zemra...' Mesazhi i krutanëve me këngë popullore

Kënga popullore, në këtë periudhë izolimi, bëhet nismëtare e mesazheve të shpresës, duke sjellë në çdo shtëpi grimca harmonie. Kësaj here, artistët 'misionarë' janë nga Kruja, dhe interpretojnë "Ju k'noftë zemra pleq krutan". Kjo performancë, e realizuar prej ambienteve familjare, ishte planifikuar si pjesë e Festivalit të Këngës Popullore Qytetare të Elbasanit, por ndonëse pandemia bëri që aktivitetet të pezulloheshin, kënga vazhdon e buron, dhe artistët iu gjenden pranë qytetarëve.

Ora 13:49
Nga Venecia, pianisti Aredion Lici luan ‘Mazurka’ të kompozitorit polak Chopin

Pianisti Aredion Lici i cili prej vitesh jeton në Itali ka përshëndetur shqiptarët me tinguj qetësie në këto momente të trishta, duke sjellë nga shtëpia e tij në Venecia Mazurka op.68 n.3, të Chopin.
Këto tinguj që të japin shpresë se gjithshcka do të mbarojë, përbëjnë një nga meloditë më të bukura të krijuara nga kompozitori dhe pianisti virtuoz polak i epokës Romantike që shkroi kryesisht për piano solo, Frédéric Chopin.

Ora 13:45
U shua dy ditë më parë, Shpat Deda këndon për Violeta Rexhepagiq: Nuk të harrojmë…

Në një kohë kur si pasojë e koronavirus, edhe nderimet e fundit për gazetaren e njohur dhe artisten kosovare Violeta Rexhepagiq që u nda nga jeta dy ditë më parë, duhet të bëhen nën kujdesin e plotë, këngëtari Shpat Deda ka zgjedhur një mënyrë tjetër për të shprehur nderimet…nëpërmjet këngës, asaj që edhe Rexhepagiq e donte kaq shumë…
Së bashku me mikun e tij Fatos Derguti, këngëtari ka sjellë në kitarë një këngë të ndierë nga shtëpia dhe e ka ndarë atë me miqtë virtualë.
“IN MEMORIAM: Violeta Rexhepagiqi 1965-2020…Me shokun e dashtun Fatos Derguti…Nuk të harrojmë”, shkruan këngëtari.

Ora 13:42
Baritoni Gëzim Myshketa interpreton nga shtëpia 'Fati ynë shpresë dhe marrëzi'

E kemi dëgjuar më shpesh se kurrë zërin e tij të veçantë gjatë ditëve të karantinimit. Baritoni Gëzim Myshketa ka sjellë këtë herë nga shtëpia e tij, një nga këngët më të bukura shqiptare të këngëtares me zërin po ashtu fantastik, Aurela Gaçes “Fati ynë shpresë dhe marrëzi”.
“FATI YNË, SHPRESË E MARRËZI” Festivali i 36 Rtsh, viti 1997 . Çfarë Viti e çfarë kënge nga gjenialiteti i Maestro Ferdinand Deda teksti Ilirjan Zhupa e mbi të gjitha e kënduar nga një mike e artiste me zë dhe shpirt të madh si deti i vlorës, Aurela Kombëtare (Aurela Gaçe)” shkruan artisti krahas videos, të cilën e shoqëron me mesazhin “Rri në shtëpi, do ia dalim si gjithnjë”.

Ora 13:41
Të bashkuar, por nga shtëpitë… Katër artistët sjellin ‘Himnin e Flamurit’ në një tjetër version

Roni Gjura, Emilian Dhimo, Gent Rushi dhe Ermal Rodi kanë sjellë nga shtëpitë e tyre melodinë e “Himnin e Flamurit” nëpërmjet instrumenteve.
Kjo melodi, mesazhi I së cilës është të qëndrojmë të bashkuar gjatë sfidave të përbashkëta, vjen nga shtëpitë e tyre, drejt tonave nëpërmjet rrjeteve sociale.

D.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Zbardhet’ Valbona! Pamje magjepsëse nga veriu i vendit, vizitohet nga turistët

‘Zbardhet’ Valbona! Pamje magjepsëse nga veriu i vendit, vizitohet nga turistët