Është ndarë ditën e sotme nga jeta në moshën 89-vjeçare piktori Shyqyri Sako.

Përmes një postimi të shpërndarë në rrjetet sociale nga i biri i tij, Ergys Sako, njoftohet se varrimi i artistit do të bëhet ditën e shtunë, në orën 11:00 në varrezat e Tufinës. Ceremonia mortore do të zhvillohet në ambientet e një agjencie funerale pranë ish-Ambasadës Jugosllave te Rruga e Durrësit.

Sako, një piktor me 50 vite krijimtari, studioi në Moskë në Institutin e Artit VGIG për piktor filmi, por pa mundur t’i përfundojë studimet.

Më tej u diplomua në Tiranë dhe në vitin 1963 filloi punë në Kinostudio, ku mori pjesë si piktor i filmit në realizimin e filmit të tij të parë "Detyrë e posaçme" dhe pastaj filmat e tjerë, deri në filmin e fundit ‘Plumba prej Plasteline’ në vitin 1997, kur doli në pension.

Sako u nderua me medalion në festivalin e 4-rt të filmit shqiptar për punën e tij me dekoret e rekuizitat në filmin ¨Mësonjëtorja¨.

Artisti dhe piktori Shyqyri Sako ka krijuar një pjesë të madhe të koleksonit të afishave të filmit, pjesë e trashëgimisë së Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit.