Myftar Gjana: Berisha-Basha t'i
hapin rrugë grupit të Olldashit

Myftar Gjana: Berisha-Basha t'i<br />hapin rrugë grupit të Olldashit
TIRANE-Ish-themeluesi i PD-së dhe një ndër aktorët kryesorë të dhjetorit ’90 Myftar Gjana, në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” flet për ecurinë e zhvillimeve në Shqipëri, që nga dalja e të parës parti opozitare PD, e deri tek gjendja aktuale në të cilën ndodhet kjo parti. Ai thotë se në zgjedhjet e para pluraliste dhe më pas më 22 mars 1992, PD u përball me partinë tradicionale të majtë, duke fituar, madje duke zotëruar që në përballjen e parë dominimin në qytete dhe duke nxjerrë jashtë Parlamentit ish-presidentin Ramiz Alia, i cili humbi garën me një inxhinier të panjohur deri atëherë dhe që sot nuk jeton më, Franko Krroqi.

Duke analizuar lëvizjet e PD-së, ai thotë se Berisha ishte njeriu që për pushtet personal, lejoi instalimin e piramidave mashtruese që thithën kursimet e të gjithë shqiptarëve dhe që sollën tragjedinë e marsit 1997, e rrënimin e shtetit nga themelet. Duke evidentuar rolin e Azem Hajdarit, pyetjes se përse asnjëherë nuk mori post ministri, Gjana thotë se pavarësisht se nuk ka luftuar për post, ndaj Hajdarit, lidershipi politik i PD-së kishte kompleks inferioriteti. Duke analizuar situatën brenda PD-së, ai thotë se Basha është një lider formal, ndërsa i sygjeron atij që të ndjekë politikën e afrimit dhe jo të mënjanimit të atyre që mendojnë ndryshe në këtë parti, për shkak se dhe mbështetësit e alternativës së Olldashit, janë pjesa më e rëndësishme e grupit parlamentar të PD-së.

Në këtë kontekst, ai sugjeron lejimin e fraksioneve dhe një opozitarizëm real dhe jo duke reaguar për shkarkime të emrave të përveçëm. Nga ana tjetër, Gjana thotë se që të marrë fund pandëshkueshmëria ndaj zyrtarëve të lartë, puna e parë që duhet bërë, përtej elementëve të tjerë, është verifikimi i gjirhë pasurive të zyrtarëve dhe në veçanti të prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke lënë për të kuptuar se shumë pak prej tyre do të vijojnë profesionin që kanë, nëse bëhej një verfikim i tillë.
 
Po afron 22 marsi dhe 31 marsi, dy nga datat më të rëndësishme për pluralizmin në Shqipëri dhe vetë PD, ajo e konkurrimit të së parës parti opozitare pas 45 vitesh, hyrjes në Kuvend e fitores pas një viti më 22 mars 1992. Si e kujtoni atë kohë?
Ka kaluar gati çerek shekulli nga këto dy data, që janë më të rëndësishmet në historinë politike shqiptare, pas shpalljes së pavarësisë. Mendoj se këto dy ngjarje në distancë të vogël nga njëra-tjetra, u bënë të mundura vetëm nga vizioni i qartë dhe këmbëngulja e lëvizjes studentore shqiptare, e cila ishte shpirti, energjia dhe forca e PDSH-së opozitare për të bërë atë transformim epokal-politik pas diktaturës 45 vjeçare të një pjese të baballarëve tanë, që luftuan kundër fashistëve, por i lanë fatet e veta në duart e një kaste politike antieuropiane.

Atë kohë e kujtoj me admirim, sepse bëmë atë që s’mund të imagjinohej as nga fantazia më pozitiviste e brezit tonë. Ishte një përplasje paqësore mes brezave, ku brezi ynë përfaqësonte lirinë me gjithë derivatet e saj, ndërsa brezi tjetër i zhgënjyer, kishte frikë nga liria dhe pasiguria që mund të vinte.
 
Për herë të parë, pas 45 vitesh një parti opozitare fiton në qytetet e mëdha, duke lënë partinë tradicionale fshatrave, madje duke sjellë dhe humbjen e Ramiz Alisë, President i asaj kohe në zgjedhjet e 31 marsit. Si u prit humbja e ish-presidentit Ramiz Alia, përballë inxhinierit të panjohur Franko Krroqi?
Në kushtet e asaj klime, PDSH-ja fitoi në qytetet kryesore sepse lëvizja studentore shqiptare dhe krijesa e saj opozitare PDSH, përfaqësonin qytetarinë e lirisë dhe të vlerave, orientimin europeist, ndërsa PPSH-ja dhe Ramiz Alia, përfaqësonin izolimin, luftën e klasave, lindjen komuniste të diktaturave totalitare. E dinim që do të fitonim ne dhe do të humbte Ramiz Alia, vazhduesi i diktatorit Hoxha, që i rrëzuam monumentin më 20 Shkurt 1991, një muaj më parë. Humbja e ish-Presidentit Ramiz Alia ishte kompensimi i humbjes nëpër zonat rurale dhe Franko Krroqi ka hyrë në historinë politike shqiptare të shekullit të 20-të.
 
Me gjithë kontributin e madh për shembjen e komunizmit, lideri i dhjetorit Azem Hajdari në 5 vitet e qeverisjes së PD asnjëherë nuk u ngjit në ndonjë post ministri. Frikë apo mosbesim ndaj tij?
Azem Hajdari ishte në krye të PDSH, për 2 muaj, bashkë me disa eksponentë të tjerë të LSSH-së. Sa ishte me to, në një gjatësi vale ai ishte Kryetar i PDSH-së, por kur qëndrimet e tij me grupin e studentëve, anëtarë të Komisionit Nismëtar të PDSH-së u larguan, atë e shmangën nga drejtimi kryesor me gjithë studentët e tjerë. Kjo gjë ndodhi në shkurt 1991.

Sa i përket posteve politike në qeveri, Azemi sikundër dhe udhëheqësit tjerë kryesorë të LSSH-së, nuk e kishte qëllim pushtetin politik personal në fazën e parë, por edhe establishmenti intelektual vendimmarrës i PDSH-së, kishte komplekse inferioriteti historik krahasuar me Azem Hajdarin. Kur ai u rrit politikisht dhe fitoi eksperiencë, plasi viti 1997 dhe ai vazhdoi të ngjitej politikisht nga Pishtar i Demokracisë, për t’u kthyer në Martir të Demokracisë.
 
Mendoni se ish-presidenti i asaj kohe Sali Berisha mund t’ua kishte kursyer shqiptarëve tragjedinë e marsit të 1997 dhe sistemin piramidal që thithi të gjitha kursimet e shqiptarëve e që shënoi dhe humbjen e katër mijë jetëve të pafajshme…?
Mendoj se po. Ish-Presidenti i asaj kohe mund t’i ndalonte firmat piramidale, që në gjenezë të tyre. Por ai mendonte vetëm për pushtetin personal dhe rrëshqiti në autoritarizëm politik, i cili funksionon vetëm përkohësisht në sistemet demokratike formale. Verbëria për të mbajtur pushtetin me çdo kusht, sidomos pas humbjes së referendumit për Kushtetutën të vitit 1994, shmangia e institucioneve demokratike, dhe largimi i PDSH nga vlerat e krijimit të saj, sollën atë tragjedi të vitit 1997, që nuk duhej të ndodhte në asnjë mënyrë.
 
Duke parë trajektoren e PD në 23 vite, nën drejtimin e hekurt të Sali Berishës, e duke iu rikthyer asaj, që ishte PD ajo që e ktheu të majtën në një parti që fitonte vetëm në fshatra, tashmë kemi një raport të përmbysur: PD s’ka mbështetje në asnjë nga qytetet e mëdha… Komenti juaj?
Kjo pyetje do të kishte një përgjigje të gjatë. Po i bie shkurt. PDSH-ja iu largua vlerave, mbi të cilat u krijua. Të gjithë partitë politike të Lindjes ish komuniste kanë pasur para nesh pothuajse këtë trajektore të transformimit të tyre politik. PSSH-ja duke qenë shumë vite në opozitë u transformua duke sjellë prurje të reja dhe një brez tjetër në krye të saj. Ndërsa lidershipi i PDSH-së mbeti pothuajse rigjid dhe ishte zgjedhje personale e liderit të saj historik. Po të transformohet PDSH-ja duke u rithemeluar me të gjithë krijuesit e saj dhe kontribuesit e saj, po t’u drejtohet me një ndjesë anëtarëve e simpatizantëve të saj, po të riformatojë programin dhe shtresat e saj të vitit 1992, ajo sërish fiton në zgjedhjet e ardhshme.
 
Berisha ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i PD, Basha është zgjedhur kryetar i kësaj partie përballë Olldashit që tashmë nuk jeton më. Mendoni se Basha është realisht kreu i PD?
Lulzim Basha është lideri formal i PDSH-së. Që të kthehet në lider faktik i duhet shumë punë dhe kohë për të realizuar atë platformë që ka paraqitur para nëntë muajsh para anëtarëve të Partisë Demokratike. Duhet të bëjë një analizë për shkaqet e humbjes së PD-së dhe të përcaktojë shkaktarët, jo për t’i larguar por për t’i përfshirë të gjithë në betejën e ardhshme elektorale. Do të kisha si sugjerim një postulat politik për Bashën: Në këtë lëvizje për reformim të PDSH-së, asnjë individ i saj nuk është i domosdoshëm, por nga ana tjetër, secili është i nevojshëm me kontributin e tij.
 
Tashmë PD po bën kauzë të saj, çdo protestë që parakalon në jetën politike shqiptare, madje dhe protestën e shoferëve të furgonëve. Cilën mendoni si rrugë të drejtë për ringritjen e kësaj partie, që është në kuotat më të ulta të saj?
Sa për protestat, duhet ta dini se PDSH-ja është parti e protestave dhe lindi nga ato. Nëse ato janë të drejta dhe mbështeten nga qytetarët dhe grupet e interesave kjo tregon një dimension bazik të demokracisë funksionale. Nëse këto kombinohen me dialogun parlamentar, kundërshtimet institucionale dhe me alternativat qeverisëse më të mira se të mazhorancës, PDSH-ja është në rrugë të mbarë. Për ringritjen e kësaj partie dua të ritheksoj ato që thashë pak më lart. Duhet ristrukturimi i të gjitha organeve vendimmarrëse të partisë, sipas statutit, duke lejuar edhe fraksionet brenda partisë, në mënyrë që të zgjerohet demokracia e brendshme dhe të përfshihen të gjitha grupet kontribuese të anëtarëve dhe mbështetësve.
 
Ka akuza për përjashtime të mbështetësve të Olldashit, mënjanim të figurave kryesore. Mendoni se është në gjendje PD në këtë situatë që të përballojë dyshen e fortë Rama-Meta..?
Nuk kam informacion të saktë për këtë. Nuk mendoj se mund të mënjanohen mbështetësit e alternativës së Olldashit, se ata janë pjesë e rëndësishme e grupit parlamentar të PD-së. Nëse Lulzim Basha do të ringrejë në kohë, sa më shpejt që është e mundur një formacion politik modern, ai do të zgjidhte gjithëpërfshirjen në vend të mënjanimit. Vetëm kështu mund ta përballonte dyshen Rama-Meta, e cila duket shumë e fortë në numra, por varet nga performanca qeverisëse për ta vërtetuar fortësinë e saj me kohë. Dhe koha po kalon me shpejtësi.
 
Ka një përplasje institucionale mes mazhorancës dhe presidentit. Çfarë ka krisur në këto marrëdhënie, dhe si e shihni një kërkesë të mundshme të kryeministrit Rama për shkarkimin e kreut të SHISH Visho Ajazi, i cili ka përgjuar drejtuesit e policisë por ka zëra se ka përgjuar dhe ministrat dhe krerët e institucioneve më të rëndësishme kushtetuese?
Uroj që gjithnjë në Shqipëri të ketë përplasje institucionale dhe  jo forcash në rrugë. Rrënjët e të tashmes janë në të shkuarën, tek ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Kush mbjell erë, korr furtunë. Mirë është që qeveria të merret me punë dhe reforma të sistemit kushtetues, gjyqësor dhe ekonomik. Në këto marrëdhënie nuk ka krisur ndonjë gjë e re, ato kanë qenë qenë të krisura. Mendoj se në këtë situatë krize që ndodhet vendi duhet dialog dhe alternativa qeverisëse, sa më pak propagandë mediatike dhe bashkëpunim për ta kthyer Shqipërinë në një vend normal. Sa për problemin e dytë, nuk kam informacion se Kryeministri do t’i hyjë një labirinthi të tillë, që të harxhojë kohën e vlefshme që i duhet për punë me inisiativa të tilla, që nuk kanë produkt.
 
PD po ndjek dy linja, nga një anë deklaron mbështetjen për integrimin e vendit, nga ana tjetër bën kauzë protestat e shoferëve, shkarkimin e Zana Xhukës, apo dhe elementë të tjerë si reforma territoriale dhe lëvizjet në administratë. Mendoni se mund të dëmtohet integrimi?
Mendoj se kauza e opozitës është fjala e saj për çdo problem që prek interesat e qytetarëve. Sa për integrimin, PD-ja ka paraqitur dhe miratuar një rezolutë të përbashkët me shumicën në Parlament. Deklarimet e saj publike janë korrekte për integrimin.

Me emrat e përveçëm që shkarkohen nuk më duket produktive të merremi. Ndërsa për reformën territoriale, mendoj se shumica e ka shtruar drejt këtë problem, madje mund të shkonte më tej: T’i japë mundësi opozitës të paraqesë një projektligj alternativ për këtë reformë të rëndësishme. Ky është konsensusi më i madh dhe më i drejtë. Lëvizjet në administratë janë një kauzë e opozitës dhe atë kauzë PD po e zhvillon me të gjitha mjetet e saj, qoftë parlamentare, qoftë kushtetuese dhe për këtë shumica po reflekton ngadalë, por pozitivisht.
 
Dhe e fundit, ndërkombëtarët po kërkojnë me të madhe që të marrë fund pandëshkueshmëria në Shqipëri, duke marrë si shembull dënimin e ish-kryeministrit kroat Sanader që për 10 milionë euro që qeveria e tij shpërdoroi, u dënua me 9 vite burg. Ka ardhur koha që dikush të mbajë përgjegjësi për abuzimin në Rrugën e Kombit ku u zhdukën sipas KLSH 230 milionë euro, vrasjet e 21 janarit ku u vranë katër protestues dhe shpërthimi në Gërdec ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë...?
Të gjitha këto çështje që formulohen janë të drejta. Pandëshkueshmëria legjendare e korrupsionit në Shqipëri duhet të nisë të marrë fund. Por kjo gjë nuk bëhet as me akuza mediatike as me propagandë politike. Shkaku është se sistemi politik në Shqipëri nuk funksionon, është një karrike me dy këmbë: funksionon pushteti legjislativ disi, pushteti ekzekutiv me mungesa, ndërsa pushteti gjyqësor aspak. Prandaj duhet një reformë rrënjësore në Kushtetutë dhe në sistemin gjyqësor.

Që do të thotë që gjyqtarët të zgjidhen nga qytetarët dhe për vendime të padrejta të prokurorëve dhe gjyqtarëve këto të fundit të ndëshkohen, jo me burg, por financiarisht, d.mth. të dëmshpërblejnë dëmin ekonomik që përmban fatura e padrejtësisë së tyre. Për këtë ka shumë për të bërë Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, i cili duhet të jetë, siç ja ngarkon ligji, kryerojtari i pasurisë publike. Le t’i kryqëzojë dhe verifikojë pasuritë e gjyqtarëve, të luajtshme dhe të paluajtshme në ZRPP, banka, brenda dhe jashtë vendit, dhe të bëjë diferencën me të ardhurat e ligjshme që kanë dhe do ta shihni sa gjyqtarë dhe prokurorë do të pranojnë të vazhdojnë atë profesion.

Shkrimi u publikua sot (18.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!