KORÇË - Medreseja apo si njihet ndryshe, Myftinia, një prej ndërtesave themeluese të qytetit të Korcës, shumë shpejt do të prishet dhe në vend të saj do të ndërtohen zyra.

Kjo godinë 517-vjeçare është ndërtuar sëbashku me xhaminë, rreth vitit 1496 nga Iliaz Bej Mirahori dhe përbëjnë dy prej ndërtesave të para dhe më të vjetra të qytetit juglindor.

Sikurse citon edhe në testamentin e tij, themeluesi i saj, godina shërbente si shkollë, ku të gjithë vajzat dhe djemtë myslimanë mësonin Kuranin dhe dituri të tjera. Ndërsa rezistoi për pesë shekuj, sot pamja e jashtme dhe e brendshme e ndërtesës le shumë për të dëshiruar.

Suvatë po bien çdo ditë, ndërsa drejt rënies është dhe dyshemeja. Por, në vend që ndërtesa 517 vjeçare të rindërtohet për të ruajtur vlerat e saj të dikurshme historike, kulturore dhe arsimore, mesa duket, si rrugë më e shkurtër, është zgjedhur shembja dhe ndërtimi në vend të saj i zyrave moderne.

Ndërtesa ndodhet shumë pranë qëndrës së qytetit, mes xhamisë së vjetër të Iliaz Bej Mirahorit dhe drejtorisë së policisë.

Sot dyert e saj janë me kyç, ndërkohë që syri të sheh shumë pak besimtarë. Shembja e “Medresesë”dhe ngritja në vend të saj e disa zyrave pranohet edhe nga vetë myfti Haxhi Qazim Muçi, por askush nuk pranon të flasë para kamerave.

Ndërsa historia po shtrembërohet dhe shkatërrohet çdo ditë, duket se të njëjtën rrugë po ndjekin dhe ndërtesat qindravjeçare, ndërkohë që askush nuk e ngre zërin.


Redaksia Online
(ar.sh/Shqiptarja.com)