Në Shqipëri, si rrallë ndodh në shtete të tjera të botës, harmonia fetare është për t’u vlerësuar. Këtë e vërtetojnë me veprimet e tyre jo vetëm qytetarët, por edhe klerikët fetarë.

Rasti më i fundit ka qenë veprimi i Myftiut të Korçës, Ledian Cikalleshi, i cili ditën e sotme ka shkuar në Mitropolinë e Korçës dhe ka uruar nga afër Mitropolitin Anastas me rastin e Pashkës Ortodokse.

Një mesazh urimi Cikalleshi e ka pasur edhe për të gjithë besimtarët Ortodoksë, të cilëve u uroi ‘për shumë vite Pashkë të gëzuara’.

Gjatë fjalës së tij për mediat, Myftiu i Korçës deklaroi se pavarësisht dallimeve, feja Islame dhe ajo e Krishterë Ortodokse kanë edhe shumë të përbashkëta.

“Sapo uruam me mitropolinë e Korçës besimtarët ortodoksë të zonës së Korçës dhe jo vetëm, festën e tyre të Pashkës. Janë disa elementë që edhe në fenë Islame ne i kemi të përbashkët, siç janë figura e Marias, apo Merjemes, siç e quajmë ne në fenë Islame, apo figura e Jezu Krishtit, që ne e konsiderojmë profet të Zotit. Ungjillin e konsiderojmë si libër të zbritur nga Zoti. Normalisht për çështje të tjera teologjike kemi dallimet tona, por kjo nuk na pengon që ne të vijmë, të urojmë, të jemi në gëzime me njëri-tjetrin. Dhe me këtë rast, ashtu siç e shpreha edhe te Mitropolia e Shenjtë, që urova Mitropolitin, dua t’i uroj edhe njëherë të gjithë besimtarët ortodoksë të zonës së Korçës dhe jo vetëm, gëzuar për shumë vite Pashkët”, tha mes të tjerash Myftiu i Korçës, Ledian Cikalleshi.


Lajmi kryesor:

Krishti u ngjall! Besimtarët ortodoksë kremtojnë Pashkën, Kryepeshkopi Joan: Bëni paqe në zemrën tuaj, ta përhapim në botë