Myrto Uzuni e ka mbyllur këtë sezon me Granadan në La Liga. Skuadra e sulmuesit të Kombëtares nga sezoni i ri do jetë pjesë e La Liga 2, duke mos ia dalë të mbijetojë paçka 11 golave të beratasit.

Trajneri Sandoval ka konfirmuar se Uzuni, Batalla dhe Jozuiak nuk do luajnë në tre ndeshjet e mbetura për shkak të gjendjes fizike. 28-vjeçari beratas ka luajtur në javët e fundit duke "shtrënguar dhëmbët" nga një dëmtim.

Trajneri i Granada konfirmoi para transfertës në Madrid me Vallecanon se Uzuni nuk do luajë më në La Liga këtë sezon, ndërsa nuk shtoi asgjë më shumë për të ardhmen e shqiptarit.

Tekniku tha se Uzuni do qetësohet dhe do jetë gati për në Euro 2024 me Shqipërinë. Pritet që vera të jetë e nxehtë për sulmuesin anësor, kjo për faktin se është objektiv i disa klubeve në La Liga dhe jo vetëm.

Klauzola prej 26 milionë eurosh rrëzohet meqë Granada u rrëzua nga La Liga, teksa vlera e tij në treg është 10 milionë euro.