Miratimi i paketës ligjore antikorrupsion, duke bërë ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale për të klasifikuar korrupsionin si krim të rëndë kur kryhet nga zyrtarët e lartë, gjyqtarët, prokurorët etj. Gjithashtu, u përcaktua se në këto raste do të gjykohen nga Gjykata e Krimeve të Rënda, jo në kuptimin e rritjes së masës së dënimit, por për faktin që këto vepra penale do të luftohen me të njëjtat mjete siç luftohen organizatat dhe bandat kriminale dhe për këtë u realizuan edhe ndryshimet në ligjin antimafia, me qëllim sekuestrimin apo konfiskimin e pasurive që rrjedhin nga veprimet kriminale korruptive.
 
“Ne jemi të vendosur që luftën ndaj korrupsionit do e fillojmë nga gjyqësori. Kemi treguar rezultate konkrete. Janë arrestuar 2 gjyqtarë për veprat penale të korrupsionit, ndërsa 3 të tjerë po hetohen për fshehje të pasurisë në miliona euro, pa lënë mënjanë edhe rastin e një inspektori të KLD-së”-u shpreh ministri Naço.