Në Cikago me Visar Zhitin..

Në Cikago me Visar Zhitin..
CIKAGO - Takimi i organizuar në nder të poetit të njohur Visar Zhiti tërhoqi shumë bashkëatdhetare në Chicago. Zhiti, një emër i mirënjohur tashmë i letërsisë shqiptare, në poezi dhe në prozë, po prezantohet me dinjitet edhe në hapësirën e komunitetit shqiptar nëAmerikë.

Gjatë takimit me Zotin Visar Zhiti u vu në dukje gjuha e pasur shqipe, me të cilën autori ndërton vargun, krijon karakteret dhe artikulon mesazhet e qarta. Gjuhë e cila simbolizon edhe një qëndrim qytetar kurajoz që sfidon absurditetin e shtrembërimeve dhe huazimeve pa vend që po ndodh kudo në realitetin tonë.

Mendimi i tij filozofik është i lidhur ngushtë me atdhedashurinë, me kulturën kombëtare dhe orientimin e qartë human. Stili unik me të cilin autori ndërthur të shkuarën me të tashmen krijojnë qartë tablone e jetës sonë si dhe perspektiven perëndimore të shoqërisë shqiptare. Vuajtjet dhe dashuria janë pjesa më e natyrshme dhe më e artikuluar e veprës së z. Zhiti.

 Përcjellja e tyre në publik nga eksperienca personale nuk bën gjë tjetër vecse e ngjallon përjetimin e tij, krijon emocione te lexuesi dhe konsolidon të vërtetën me të cilën autori duket se ka një pakt të heshtur. Vetëm e vërteta ka domethënie në mendimin e tij. I pyetur për këtë gje Z. Zhiti pergjigjet se ...zgjodha rrëfimin në vend të romanit se kisha frike se mos dëmtoja sado pak të vërtetën. Edhe romani Ferri i Care citohet nga autori si roman i vërtetë.

Dashuria si koncept zë një vend të spikatur në tërë veprën e Visar Zhitit, ajo duket e pastër njerëzore në cdo aspekt të marrëdhënies së tij, si në poezi edhe ne prozë. Dashuria për nënën, shokun, të dashurën, njeriun fatkeq si dhe adhurimi për jeten, përbëjnë kulmin e shpërthimit të shpirtit të tij të zjarrtë, të poetit romantik dhe njeriut të mirë.

Ai përfaqëson me veprën e tij fytyrën e qytetarit të ndershëm, të drejtë dhe konseguent për lirinë e tij dhe të të tjerëve.
Liria, ndoshta është elementi më pikant e më i vyer me të cilën Zhiti ka krijuar marrëdhënie të vecantë e pothuajse hyjnore. Natyra poetike duket kudo, dashuria për frymëmarje të lirë të pushton gjate leximit.

Ai debaton gjerë e gjatë me konceptin e lirisë, ndërthur aty gjykimin e tij racional me realitetin e trishtë të kohës dhe në perfundim arrin në një konkluzion logjik të cilin e perifrazon si më poshtë.. “Por lirinë përgjithësisht nuk e njohim, se dimë c’është. Sidomos jashtë burgut, e mendojne thjesht si mungesë të vuajtjes fizike ose të mos kesh përreth tela me gjemba, të mos i shohesh, të paktën - Mund te jesh i lire dhe s’je i cliruar..”

Por, liria është e lidhur ngushtë me njeriun, me popullin, me pushtetin dhe diktaturën të cilët gjithnjë përpiqen të minimizojnë sadopak hapësirat e lirisë për popullin. Në realitetin e diktaturës liria është vetëm një term, një fjalë boshe e pa kuptim njerëzor. Sa bukur Zhiti e ka sintetizuar . ‘Ti kujton se populli ka marrË pushtetin, por pushteti ka marrë popullin. S’ka me popull..”

Visar Zhiti është një njeri i thjeshtë pa komplekse, një njeri që nuk e njeh urrejtjen, fjalën urrej nuk e gjen në asnjë faqe të tij. Ai ia ka dedikuar veprën kujtesës kombëtare të popullit të tij. Ne, lehtësisht arritëm të kuptonim se Zhiti përfaqëson të ardhmen dhe unitetin njerëzor, ngritjen e vetëdijes njrëzore e kombëtare, qytetërimin e vazhdueshëm të popullit shqiptar.

Nuk mund të ketë më mirë se sa njerëz të tillë si Visar Zhiti të na përfaqësojnë me dinjitet kudo në botë, keta janë ambasadorët tanë më të mirë. Ai nuk ka bërë asgjë me shumë se sa detyrimin e tij qytetar për te përfaqësuar denjësisht kulturën kombëtare, atdhedashurinë dhe shtetin tonë, Shqipërinë.

Shkrimi erdhi në Redaksinë Online të Shqiptarja.com, nëpërmjet Rubrikës Raportoni Ju!
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit