Ne sot, nga kjo sallë në Shqipëri nderojmë me një minutë heshtje kujtimin dhe kontributin e madh që ata dhanë në interes të lirisë së shprehjes, të fjalës, të qytetërimit.

Tashmë në këtë takim që po shndërrohet në tradicional kam kënaqësinë t’ju uroj ‘Gëzuar vitin e Ri 2015’, qoftë i mbarë dhe i suksesshëm për ju, familjet dhe gjithë njerëzit tuaj të dashur!

Viti 2014 ka qenë intensiv dhe i mbushur me ngjarje dhe mbi të gjithë, ju keni mbajtur një peshë të madhe, ndaj përfitoj nga ky takim që t’ju falënderoj këtu të pranishmit, por edhe kolegët tuaj kudo gjinden në Tiranë, apo në çdo rreth të Shqipërisë.

Ngjarje të gëzuara, ngjarje me tension, ngjarje edhe tragjike janë konsumuar në harkun e këtij viti por falë jush ato i kanë mbërritur opinionit publik në kohë reale tek ndodhnin.

Edhe pse na kritikoni shpesh ne, njerëzit e institucioneve dhe të politikës jam thellësisht i bindur që heshtja juaj do të ishte shqetësim, jo kritika!  Për mua ajo është një mundësi më shumë për të gjykuar  veten në raport me të tjerët, shoqërinë, institucionet, Kushtetutën dhe nevojat e këtij vendi.

Jeni ju, ata që përmirësoni mënyrën tonë të përditshme të komunikimit, informimit, vetë standardet demokratike të shoqërisë sonë.

Si President i Republikës, si qytetar i këtij vendi jeta e të cilit u përket dy epokave mund të pohoj se shkalla e lirisë së medias, debatet që përcjell, kauzat që ngre, denoncimet që bën kur abuzohet me pushtetin dhe detyrën,  janë  matësi më i mirë i standardeve të demokracisë.

Në diktaturë ajo ishte mjet propagande, në liri vetë simboli i saj. Në pluralitetin e saj media është roje e parimeve demokratike dhe fermenti më aktiv i ndërgjegjes shoqërore.

Në këto 24 vjet liri, sistemi i mediave, falë tregut të lirë, me investime  cilësore teknologjike, në industrinë radiotelevizive e në shtypin e shkruar si dhe me formimin e një elite të re profesionale, ka marrë një zhvillim të cilin  dikur as që e imagjinonim. Kjo është një arritje e madhe që duhet ruajtur e inkurajuar.

Personalisht të qenit  në këtë pozicion e konsideroj edhe si obligim të madh   për  të garantuar lirinë tuaj të shprehjes sepse në qoftë se  gazetari dhe puna e tij vihen në rrezik, vetvetiu gjithçka tjetër rrezikohet. 

Të dashur miq, Në fjalët dhe kamerat tuaja, ju posedoni një pushtet dhe përgjegjësi të madhe ndaj sa më shumë t’i shmangeni tundimit për sensacion duke mbajtur referencë vetëm të vërtetën, atëherë pushteti që konsiderohet i katërti, etikisht mbetet i pari.

Unë mendoj se në qoftë se respektoni  të drejtën e individit për privatësi,  pa ngatërruar sferën private me atë publike, kur objektit të kritikës  publike i jepni të drejtën e mbrojtjes publike ju shndërroheni në partner të besueshëm të shoqërisë shqiptarë, në avokatë publikë të interesave të saj.

Gjithashtu është detyrë e juaja të informoni krahas të tjerave sa ma shumë mbi politiken, Parlamentin, Presidentin, Qeverinë, mazhorancën dhe opozitën sepse transparenca e aktivitetit të tyre  e bën më të shëndetshme jetën demokratike të vendit.

Bëjeni këtë pa rënë në varësinë dhe pa pranuar joshjen e tyre kështu u shërbeni më mirë standardeve demokratike e evropiane të vendit tuaj. Puna juaj nuk është e përfunduar në momentin që shoqëria informohet  por në momentin kur  ajo reagon  ndaj problemeve  të përditshme që media shtron për zgjidhje.

Liria mediatike dhe liria në tërësi dëmtohen kur shoqëria hesht po aq sa kur një shoqëri e mbyllur e pengon informacionin. Ne si popull kemi bërë rrugëtim të gjatë për të pasur një shoqëri të hapur dhe media të lirë. Le të punojmë së bashku që t’i ruajmë këto karakteristika duke e parë njëri-tjetrin në sy në trajektoren e së vërtetës gjatë vitit 2015. Gëzuar dhe punë të mbarë!

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)