Në emër të transparencës

Në emër të transparencës
Gjithçka po ndodh me shitjen e Albpetrol dhe oferta marramendëse e dhënë nga firma Vetro SilkRoad prej 850 milionë eurosh, ngre shumë pikëpyetje dhe shton konfuzionin për të gjithë shqiptarët. Shtrohen disa pyetje që nuk marrin përgjigje nga asnjë zyrtar i lartë i administratës. Ajo që duhet të ishte procedura më transparente në vend pasi bëhet fjalë për shitjen e një prej kompanive të fundit të mbetura në Shqipëri, po mbështillet me një “hije” misteri të jashtëzakonshëm. Një ndër pyetjet e para që këto ditë të vjen ndërmend është: Pse po hesht Sali Berisha? Si ka mundësi që kryeministri nuk flet për firmën që ka dhënë shifrën 850 milionë euro, të paktën tre herë më të lartë sesa e kanë vlerësuar atë ekspertët e PattonBoggs që është kontraktuar nga qeveria shqiptare për të vlerësuar këtë pasuri publike. Si ka mundësi që kryeministri, i cili nuk lë rast për të prerë shirita e bërë deklarata, edhe për kontribute deri në 10 mijë euro për ndonjë shkollë, nuk flet për 850 milionë eurot që po jep një kompani e huaj e për më tepër që nuk ka një të kaluar në fushën e hidrokarbureve.

Po aq e rëndësishme për t'u bërë është pyetja: Pse po hesht Edi Rama? Si ka mundësi që kryetari i opozitës, i cili ka deklaruar në mënyrë të kohëpaskohëshme se kur të vijë në pushtet do të shohë çdo lloj tenderi të shitjes së pasurive publike, nuk flet për tenderin e Albpetrolit. Pse nuk ka kërkuar deri tani Edi Rama ndonjë informacion nga ministritë shqiptare apo nga qeveria shqiptare për transparencën e këtij procesi, kur në fakt asnjë nga mediat, nuk ka parë e nuk ka filmuar asnjë dokumentacion të kompanive pjesmarrëse në tender? Kush janë ata faktorë dhe aktorë që i mbyllin gojën opozitës?

Çfarë roli ka pasur në gjithë këtë proces Philip Reeker, i cili u gjend në Tiranë në një vizitë pesë ditore pikërisht në kohën kur hapeshin zarfat për shitjen e Albpetrolit? Si koincidoi një vizitë zyrtare e planifikuar nga Departamenti i Shtetit pikërisht në këtë moment dhe çfarë misteri fshihet në takimet që ai zhvilloi me ndonjë biznesmen shqiptar?

Pse hesht ambasada amerikane në Tiranë kur përmendet fakti se konsorciumi fitues është firmë amerikane? Eshtë e tillë, apo siç thotë Pushkar se është firmë nga Singapori?

Çfarë e lidh Essad Pushkarin, qw pranoi publikisht se është ai personi pas ofertës marramendëse prej 850 milionë eurosh me Damir Fazlliç, i cili mbërriti në Tiranë vetëm 10 orë para hapjes së procedurës së tenderit, përveç fatit se të dy e kanë origjinën bosnjake.
Kush person apo qeveri qëndron pas Essad Pushkarit? Kemi parë një djalosh të ri, i cili është ngatërruar sa në Baku, aq edhe në Libi, sa në prezantime si model, aq edhe nëpër punëra biznesi. Sa në kompani konsulence, aq edhe në skandale si ajo me ambasadorin amerikan Dell në Kosovë. Essad Pushkar, nga prezantimi i deritanishëm, duket se nuk është personi kyç në këtë lojë të madhe me shumë të panjohura, por thjesht një gardian i lëvizjeve në Tiranë.

Pse komisioni i vlerësimit të ofertave nuk nxorri publikisht garancitë bankare të ofertave që u dhanë në tender nga të paktën 5 firmat? Sa është garancia e dhënë në bankë nga firma "Vetro" dhe në cilën bankë është vendosur ajo? Pse nuk nxirret publikisht garancia e ofertës së kësaj firme dhe firmave të tjera pjesmarrëse në tender?

Kush do të jetë autoriteti që do të ketë guximin të shkelë ligjin shqiptar të miratuar në kuvend për shitjen e Albetrolit, dhe a do të mbajë nesër përgjegjësi publike dhe penale për shkeljen e ligjit nëse në qeverisje vjen e majta?
Dhe pyetja finale, nëse do të vijnë këto para në Shqipëri, në emër të transparencës, a do të bëhet e qartë se ku do të shkojnë këto para dhe si do të bëhen pagesat? A do të bëjë transparencë qeveria nëse firma e deklaruar si fituese me ofertën më të lartë i ka në rregull gjithë dokumentat?
Në Shqipëri flasim çdo ditë për transparencën, por enigmat që po shoqërojnë tenderin për privatizimin e Albpetrolit, ngrenë pikëpyetje të mëdha për një proces të delegjitimuar që në nisje.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

DOSJA/ 446 kilogramë kokainë nga Amerika Latine në Holandë u kapën, bisedat e Suel Çelës dhe biznesmeni Shega: Na vodhën, ta vrasim, duhet bërë shembull

DOSJA/ 446 kilogramë kokainë nga Amerika Latine në Holandë u kapën, bisedat e Suel Çelës dhe biznesmeni Shega: Na vodhën, ta vrasim, duhet bërë shembull