Në Kuvend "Për Amnistinë", Kuçi:
Ne s'kemi mëshirë për askënd

Në Kuvend "Për Amnistinë", Kuçi:<br />Ne s'kemi mëshirë për askënd
PRISHTINË -  Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës po diskutojnë mbi projektligjin "Për Amnistinë", i cili sipas shoqërisë civile do të jetë ndër ligjet më të këqija që ka miratuar legjislatura aktuale. Në fjalën e tij, zv/kryeministri Hajredin Kuçi u shpreh se "më mbeti merak, që si nuk e kemi mbyllur kapitullin e luftës pas lufte. S’kemi mëshirë për askënd. Me këtë kemi menduar të tregojmë humanitet me të gjithë qytetarët tanë. Po të më pyesni mua do të bëja edhe 10 për qind amnisti për të gjithë të dënuarit”, ka shtuar Kuçi, transmeton Express. Por ai ka shtuar se "vrasjet e Enver Zymberit dhe Servela Haradonajt nuk amnistohen". Ndërkohë që Kuvendi ka ndërprerë debatin mbi projektligji për pushimin e drekës, grupi Parlamentar i PDK-së, ai i LDK-së, i AAK-së dhe ai i AKR-së janë deklaruar pro miratimit të Ligjit për Amnistinë në leximin e parë, në parim

ORA 14:00 -  PDK, LDK, AKR DHE AAK PARIMISHT PRO AMNISTISË
Kuvendi ka ndërprerë debatin mbi projektligjin për amnisti për pushimin e drekës. Debati rifillon në orën 15:00. Grupi Parlamentar i PDK-së, ai i LDK-së, i AAK-së dhe ai i AKR-së janë deklaruar pro miratimit të Ligjit për Amnistinë në leximin e parë, në parim.
 
Që të gjitha grupet kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me disa dispozita ligjore të këtij projektligji, duke kërkuar që ato të ndryshohen deri në leximin e dytë, përndryshe ata nuk do ta mbështesin atë që të kalojë.
 
LDK dhe AKR kanë kërkuar ndryshime te neni 3 i Ligjit. Ndërsa shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini kërkon që të mos ketë amnisti për zyrtarët shtetërorë, transmeton Express.
 
“E votojmë në parim për shkak të pjesës politike, por do të punojmë për të bërë ndryshimet që i përmenda. Nëse ato nuk ndryshojnë nuk do të ketë mbështetje të AAK-së, në lexim të dytë”, tha Gjini.

ORA 11:00 - KUÇI: VRASJA E ENVERIT DHE SELVERIT NUK AMNISTOHEN
Zëvendëskryeministri i Drejtësisë, njëherit ministër i drejtësisë, Hajredin Kuçi ka prezantuar para Kuvendit të Kosovës Projektligjin për Amnistinë të hartuar nga dikasteri i tij.

Kuçi me këtë rast iu është përgjigjur debatit të ditëve të fundit lidhur me këtë ligj dhe mundësitë e amnistisë së personave, që kanë kryer vepra penale. Ai ka bërë të qartë se me këtë ligj nuk do të ketë një qind për qind amnisti, derisa ka theksuar se vrasjet e Enver Zymberit dhe Servela Haradonajt nuk amnistohen, duke shpjeguar se ligji s’ka për qëllim faljen e vrasësve.

“Në jetën time asnjëherë nuk kam menduar t'i lëndojë ata që janë dëmtuar, por për të mbrojtur bilancin Këtu nuk përfshihet asnjë vrasje apo lëndim i personave zyrtarë”, tha ai.

“Nuk përfshihet rasti i Enver Zymberi apo Servel Haradinaj. Më mbeti merak që si nuk e kemi mbyllur kapitullin e luftës pas lufte. S’kemi mëshirë për askënd. Me këtë kemi menduar të tregojmë humanitet me të gjithë qytetarët tanë. Po të më pyesni mua do të bëja edhe 10 për qind amnisti për të gjithë të dënuarit”, ka shtuar Kuçi, transmeton Express.

Kuçi po ashtu e quajti kënaqësi, që Kuvendi të diskutojë sot për amnistinë si institucion të veçantë, që deri tani nuk e ka pasur asnjëherë në kompetencë e tij.

“Unë kam qenë i vetëdijshëm, që kur e kam propozuar që çështja e amnistisë të hyjë si juridiksion në Kushtetutën e Kosovës se do të ketë debate të tilla. Që nga marrja e mandatit tim kam thënë se do të bëj arkitekturën e drejtësisë; të kemi ligje si në krejt vendin”, ka thënë Kuçi.

“Vetë keni kërkuar që të kalojë me 2/3 e votave e jo me 51 për qind si në çdo vend tjetër të botës si kalon ky ligj. Kjo besoj është e mirë, sepse i bie që miratimit të bëhet me konsensus të plotë juridik e politik”, iu drejtua Kuçi deputetëve.

Ministri tha se, ligji parasheh parimin bazë të demokracisë, e që është barazia para ligjit. “Ky projekt ligj përmban atë që nuk përmend asnjë pjesë të terrorit tonë , ne kemi marrë ligje të rajonit nëse shohim atë të Maqedonisë atje përmendet terrorit dhe etnicitetit i caktuar. Kemi qenë të kujdesshëm që ky të mos jetë i përfshirë vetëm me balancën etnike”, tha Kuçi.

Ai foli edhe për nenin 3 dhe 5, duke thënë se si ministër i Drejtësisë nuk ia ka lejuar vetës, që të bëjë amnisti vetëm për Veriun e Kosovës apo serbët ndaj ka futur edhe nenin 3.

“Është hera e parë që ata në veri po kërkojnë amnisti, sepse tani pas 14 viteve po e ndiejnë se dora e shtetit të Kosovës dhe Kushtetuta e saj do të shkojë deri atje”, shtoi Zëvendëskryeministri i Kosovës.

Kuçi tha se Neni 3 është i diskutueshëm dhe mund të hiqet nëse deputetët vendosin ashtu. Ai tha se pavarësisht fitimit, që njerëzit mund ta kenë me amnistinë, pasuria e konfiskuar nuk do t’u kthehet.

“Nuk kemi menduar amnisti njëqind për qind”, tha ai. Derisa shtoi se me këtë ligj përfituesit do të jenë shumë më pak fitues se sa vetëm një rast i faljes nga ana e Presidentëve në të kaluarën. Mbështetjen për miratimin këtij ligji e dha ne emër të Komisionit për legjislacion, Behar Selimi.

“Rekomandojmë të amandamentohet në parim. I bindur se do të plotësohet me dispozita. Unë mendoj që duhet ta amandamentojmë me qëllimin ma të mirë që disa amendamente t'i diferencojë më mirë strukturat ilegale, që trajtohen politikisht nga ato kriminale. Në veri kjo ka qenë e vështirë se këto struktura kanë bashkëjetuar e tani është koha më e diferencuar”, tha Selimi.

Derisa ka kërkuar që të kërkohet reciprocitet nga Serbia për amnistimin e ish-ushtarëve të UÇK-së, të cilët gjenden nga ai shtet në listën e Interpolit.

“Është edhe detyrim nga marrëveshja për normalizimin e këtij procesi nga BE. Ajo kërkon edhe nga Serbia që të amnistojë ushtarët e UÇK-së, që janë në listën e Interpolit nga shteti serb. Pra të ketë reciprocitet edhe në amnisti në emër të normalizimit”, tha Selimi.

ORA: 10:00 - PRITET NË KUVEND DISKUTIMI I LIGJIT PËR AMNISTINË
Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës do të votojnë Projektligjin për Amnistinë, ligj ky që sipas shoqërisë civile, do të jetë ndër ligjet më të këqija që ka miratuar legjislatura aktuale.

Ligji që sot do të jetë në dorën e deputetëve rrjedh nga dialogu Prishtinë-Beograd, i zhvilluar në Bruksel nën ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton. Qëllimi primar i këtij ligji ishte amnistia e kriminelëve të Veriut, por si duket autoritetet e Prishtinës e kanë përshtatur ligjin edhe për njerëz afër tyre, të cilët kanë precedentë penalë.

Burime të Gazetës Express thonë se ligji, sipas gjitha gjasave, do të miratohet pa problem në seancën e sotshme, meqenëse grupet parlamentare tashmë kanë marrë instruksionet e nevojshme - jo vetëm nga liderët e tyre, por edhe nga prania ndërkombëtare në vend.

“Përveç Vetëvendosjes, ne besojmë se partitë e tjera do ta votojnë ligjin”, ka thënë një zyrtar i qeverisë për "Express" në kushte anonimiteti.

Fillimisht shumë njerëz nuk e kishin kundërshtuar Projektligjin për Amnistinë, të bindur se përmes tij do të arrihet të integroheshin rreth 50 mijë qytetarë serbë të Veriut të Kosovës. Por, gjithçka ndryshoi, kur ligji doli në publik dhe njerëzit panë se autoritetet kanë ndërmend t’i falin edhe krime nga më monstruozet e mundshme.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Balla mbërrin në Shëngjin: Zjarrvënia nuk është e qëllimshme! Shpreh shqetësim për zonën pranë kishës

Balla mbërrin në Shëngjin: Zjarrvënia nuk është e qëllimshme! Shpreh shqetësim për zonën pranë kishës