Edhe pse festojmë 100 vjetorin e Pavarësisë, edhe pse mezi presim të antarësohemi në BE, edhe pse kemi 22 vite shtet demokratik, është e dhimbshme dhe revoltuese që 89560 punonjësit e administratës shtetërore hiqen e vihen nga puna sikur të ishin gurë shahu. Arsyeja e vetme është bindja e tyre politike. Përse duhet kjo përndjekje? Çdo ditë pa asnjë motiv të vërtetë shkarkohen punonjës me përvojë, me eksperiencë, punonjës që janë trajnuar në zhvillimin e karrierës së tyre, punonjës që kanë shërbyer me integritet të lartë moral e profesional në të gjitha nivelet e administratës deri më tani. Me lista emërore, në grup i heqin nga puna pa menduar fare për anën e tyre profesionale dhe për familjet e tyre. Nga njëra anë deklarojnë rritje të paqenë ekonomike dhe premtojnë për rritje rrogash dhe nga ana tjetër nuk japin buxhet për t’u dhënë rrogat që u takojnë të gjithë atyre që i kanë fituar me vendime të formës së prerë ose rikthimin në detyrat që kanë pasur, o rrogat e mohuara për shkarkimin e padrejtë nga puna. Te ne ekzistojnë plot ankesa, raste pafund shkeljesh flagrante të ligjit për largimin e punonjësve, e duket, se gjithë shqetësimet bien në vesh të shurdhër në një administratë që politizohet çdo ditë e më shumë. Një punonjës rekrutohet, investohet për profesionalizmin e tij, me paratë e taksapaguesve, me paratë tona për cilësinë e shërbimit që ai do të kryejë ndaj qytetarëve. Por tashmë zhvillimi i karrierës dhe meritokracia e kanë humbur sensin e tyre logjik. Megjithatë, mendoj se një zgjidhje ekziston. Të gjithë së bashku duhet të organizohemi në lëvizjet sindikaliste, të solidarizohemi me të gjithë punonjësit për kauzën që është e vërteta jonë, puna dhe jeta jonë. Dhe duhen marrë shembujt më të mirë për këtë. Le të shohim sindikatat nëpër botë. Janë të fuqishme sepse janë shumë, por edhe të bashkuara. Kanë mundur të çojnë zërin e tyre në instancat më të larta për të mbrojtur të drejtat e tyre. E ndërkohë, të gjithë duhet të dimë se ligji i parë që ka firmosur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama sapo hyri në Shtëpinë e Bardhë, ishte një ligj i propozuar nga sindikatat për diskriminimin në pagë për shkak të gjinisë, moshës, origjinës, besimit fetar apo edhe aftësive të kufizuara. E kush ka drejtuesit e këtyre 22 viteve e ka bërë këtë në Shqipëri. Eshtë krijuar një praktikë e mbrapshte, jashtë çdo lloj standarti apo afrimi me Bashkimin Evropian për lirimin e vendeve të punës për të futur në po ato zyra pa asnjë lloj kriteri profesionalë, në po të njëjtat vende pune militantë pa eksperiencë, pa nivel profesional që e kërkon pozicioni i punës. Dhe kjo, është kthyer në një standard. Realiteti duhet të ndryshojë e sindikata ka mbështetur fuqishëm ndryshimet në Statusin e Nënpunësit Civil për të drejtën e grevës, të drejtë që duhet ta kenë dhe punonjësit e administratës. E ndërkaq, duhet mbështetur çdo lloj akti për të siguruar mbrojtje të vërtetë e të rëndësishme për të gjithë punonjësit e administratës shtetërore, në të gjitha nivelet e administratës ku ata punojnë.

*Drejtuese e FSPSH (Federata e Sindikatave të Punonjësve të Shërbimit Civil të Administratës shtetërore)

(Analiza u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)