Nënshkodër, aty ku paratë
e përmbytjeve s’janë marrë akoma

Nënshkodër, aty ku paratë <br />e përmbytjeve s’janë marrë akoma
Atje ku mijra vjet më parë, Rozafa ndjeu t’i ngrihej mbi shpinë një legjendë e madhe, sa vetë toka dhe qielli, tash kanë lindur legjenda të reja dhe të frikshme: legjendat e përmbytjeve nga ujrat e hidrocentraleve. Mijra banorë në qindra fshatra, në 11 komuna të Qarkut të Shkodrës, sa herë bën mot I keq dhe meteorogët parashikojnë kohë me shira të tejzgjatur, kthejnë kokat nga malet e larta, atje ku digat e tmerrshme zbrazin, si kuçedrat, miliarda metër/kub ujë nga liqenet e mbushura dingas, për llogari të pushtetarëve të pangopur me para, para që dalin nga shitblerjet e pafundme të energjisë elektrike në stinën e dimrit. Ujrat përmbytin ç’të gjejnë përpara: toka, banesa, kultura bujqësore, hidrovore, biznese, shpendë dhe bagëti, shpresa dhe fate njerëzish të kthyera kokëposhtë. Por, le të vijmë tek problemi: dëmshpërblimi I fshatarëve, pas dëmeve katastrofike nga përmbytjet e fundit të dhjetor 2010-të, janar 2011-tës. Të cilët, prej më shumë se një viti, shohin ëndrra me sy hapur me para, që kanë marë trajtat e fantazmave me fytyrat e qeveritarëve dhe të kreut të Qeverisë.

Vendimi i Qeverisë
Ende pa hyrë mirë dimri, Qeveria Shqiptare miratoi një buxhet të posaçëm për dëmshpërblimin e personave të dëmtuar nga përmbytjet në Qarkun e Shkodrës. Këshilli i Ministrave miratoi një fond prej 1. 112. 303. 342 lekësh për t’I ardhur në ndihmë të përmbyturve tre herë rresht nga ujrat e zbrazura nga digat e Hec/eve dhe ujrat e shirave. Pika e dytë e miratuar nga Këshilli i Ministrave ishte listat e familjeve dhe subjekteve të biznesit në Qarkun e Shkodrës, lista të hartuara nga komisione të posaçme ekspertësh, në vartësi nga shteti dhe në bashkpunim me qeverisjet vendore dhe locale në Qark. Në këto lista përfshihen banorët e komunave Bushat, Dajç, Velipojë, Bërdicë, Ana e Malit, Rrethina, Qendër Koplik, Guri i Zi, Kastrat, Gruemirë dhe të tjera. Ndërkohë VKM parashikon që fondi prej mbi 1miliard lekësh të përballohet nga shuma, në të njejtën vlerë, që do të paguaj Korporata Energjitike Shqiptare (KESH) në buxhetin e shtetit, në një llogari të veçantë, enkas për dëmshpërblimet. Për zbatimin e Vendimit u ngarkua Ministria e Financave, Ministria e Brendëshme, dhe Këshilli i Qarkut-Shkodër. Mirëpo, megjithëse ka kaluar një vit nga përmbytja biblike dhe më shumë se tre muaj nga nxjerrja e VKM, KESH deri më sot nuk ka derdhur asnjë lek në asnjë numur llogarie për Qarkun e Shkodrës, për rrjedhojë, për mijra banorë në mbi 10 komunat e lartpërmendura. Asnjë lek pra. Zero lek. Dhe fantazmat e lekut vazhdojnë vallen makabre në netët e gjata herë me drita dhe herë me qirinj, sidoqë e gjithë NënShkodra gjendet fare afër H/C të Vaut të Dejës dhe pak më larg H/C-eve të tjerë mbi lumin Drin.

Në fshatin Ças-Velipojë
Dhe, ja ku jemi, në zemër të dimrit. Bën ftohtë. Ngrica dhe akull. Në fushat e Velipojës temperatura zbret - 7 gradë celcius dhe retë, që duken si të ngrira, bashkë me fushat dhe fytyrat e fshatarëve ende të traumatizuar nga përmbytjet biblike, vijnë rrotull si buaj të zinj. Unë jam në fushat e Velipojës, që vijnë fill pas atyre të Bërdicës dhe në kufi me ato të Dajçit dhe Torovicës. Më saktë, jam në fshatin Ças. Një fshat me mbi 1600 banorë, të përmbytur në mbi 1300 ha tokë, veç prej ujrash, edhe nga varfëria dhe papunësia. Sipas Preng Ndoit, kryeplak I këtij fshati, vetëm 10% e banorëve punojnë. Të ardhurat kryesore të familjeve janë bujqësia e niveleve ende të pazhvilluara dhe blegtoria, edhe ashtu e dobët, prej pamundësisë financiare të fshatarëve. Në oborrin e familjes së Mark Zefushit shquqen qartë pasojat e përmbytjes. Çatia është zhytur, muret e banesës janë plasaritur dhe janë shëndrruar në rrudha gri për shkak të lagështirës dhe ujrave, që këtu arritën kuotën 1.5 m. ndërsa në oxhakun e ulët, mbi tjegullat e nxira, nuk tymon. E zonja e shtëpisë afrohet e trishtuar.

”Mirese erdhët. Një gotë qumësht?” dhe rend drejt një dhome të vogël, tip hauri, diçka kthen atje, ca si shishe, dhe vjen me dy gota qumësht në dorë.
“Kur u përmbytëm, ishte natë. I kam marrë lopët pothuajse në krahë dhe I kam ngjitur nelt, në kodër, për t’I shpëtu nga mbytja. Qielli ishte I zi dhe drita nuk kish. Ishte nata e qametit, sipas Biblës…”

“Çfarë keni humbur, çfarë dëmesh keni pasur dhe cili ka qenë vlerësimi që ju kanë bërë komisionet?”- e pyes.

“Na gjithsejt, në përmbytjen e parë na premtun 2,9 milion lekë të vjetra dëmshpërblim. Por, vetëm kavaleta e barit më kishte kushtu 3 milion lek. Po zetori I përmbytun dhe I djegun në motor? Po mbi 100 kren pula, rosa dhe biba deti? Po shtëpia? Po tokat e marra me qera dhe që nuk prodhun asnjisen dhe un qesh e detyrume me pagu nji më nji? Mobiljet, soba, frigoriferi, televizoret? Po disku I punimeve te tokës, edhe ai I dale jasht përdorimit? Dam I madh, katastrof. Un jam vet I gjashtë. Dhe, kur burri I çoi nji letër kryeministrit, këta të Qarkut mbërrin, sa pa shku letra atje. I ke kërku ndihm kryeministrit-aaa? Mire, mire…kan qesh dhe, asnji lek ndihm. Iken, tuj qesh, si Juda. As tash, asnji lek…Në dorë të Zotit, zotni gazetar…”
Ajo hesht dhe mbledh flokët e derdhura fatkeqsisht mbi njërën anë të supeve.

“Kur ka ardhur komisioni I fundit I vlerësimit të dëmeve? Sa lekë ju takon dëmshpërblim dhe ai keni firmos listat?”- e pyes.

“Erdhën nga gushti. Po pse, a ka lista? Jo, baj be, që nuk dij asgja. S’kam pa list me sy dhe nuk dij, a do t’përfitoj a jo, se un jam në rreth të kuq prej atyne të Qarkut. Jemi anku tek kryeministri dhe nuk mund të përfitojmë asisen…”

Argjinatura e Çasit, si Rozafa. Ndërto ditën e prishu natën…
U vendos nga Qeveria që, argjinaturat mbrojtëse të fushave dhe fshatrave nga ujrat e digave dhe reshjet e shiut, ato ndanë lumit Kir, argjinatura e Dajçit, e Torovicës, e Vilunit në Velipojë, e Bagsit, ajo e Darragjatit dhe Gurit të Zi, argjinatura e Koplikut dhe kjo këtu, në Ças, të riparoheshin nga e para. Drejtori I Bordit të Kullimit për Qarkun Shkodër, Rudolf Rasha, thotë se për rikonstruksionin e tyre, janë investuar mbi 13 mil$. Puna ka nisur në qershor të vitit të kaluar dhe brenda tre muajve, sipas Rashës, punimet përfunduan. Me sukses. Më e mira, argjinatura e Dajçit. Me penele betony dhe me garanci të plotë. Sipas Rashës, një punë shumë e mirë është bërë edhe në argjinaturat e tjera dhe, të gjitha firmave, u është mbajtur 5% e vlerës së investuar, si garanci për defektet e mundshme. I them Rashës se, sipas ekspertëve të ndërtimit të argjinaturave në Ministrinë e Bujqsisë, argjinatura në Ças, e gjatë mbi 1000 metra, ka sërish cedime, nga piketa 11 deri në piketën 18 dhe kjo gjë shihet me sy të lirë. Sikundër shihet me sy të lirë edhe lënda e parë e argjinaturës: dhe I kuq, zhavorr dhe gurë të bardhë. Mungon betonarmeja, aq më shumë strukturat metalike. Ndërsa në thellësi të argjinaturës, mungojnë jasteqet e betonit, që lidhin shtresën e torfës me damarët e tokës. Sipas kryetarit të komunës Velipojë, Pashko Ujkaj, në argjinaturë është punuar shumë keq. Kjo, sepse firma e përzgjedhur për kryerjen e punimeve, firma e mirënjohur Salillari, pasi e fitoi punën jo me tender, por sipas Ligjit të Emergjencave, me Prokurim të drejpërdrejtë, zgjodhi një firmë nënkontraktore, ate të Smajl Hykajt, një klient i rregullt dhe i favorizuar i Bashkisë Shkodër. Kjo firmë, thotë Ujkaj, e mori përsipër rikonstruksionin e argjinaturës nga Salillari, me gjysëm çmimi, vetëm për 50 mil. lekë të reja, duke berë që të bjerë cilësia dhe kosto e punimeve. Dhe ja ku erdhëm sërish tek cedimi I argjinaturës. Në rast përmbytjeje, thotë Ujkaj, argjinatura do të shembet sërish, duke çuar në lumë 100 milionët e investuara për rikonstruksionin e saj. Drejtori Rasha pranon problematikën e argjinaturës së Çasit, duke e lidhur ate me përbërjen e paqëndrueshme të tokës. Ai thotë, se firma nënkontraktore ka punuar mirë dhe e mbikqyrur nga firma Salillari dhe supervizorët e Bordit të Kullimit, që morën në dorzim argjinaturën, duke e përmirësuar në mënyrë të ndjeshme strukturën e argjinaturës, nga 2 metra e lartë dikur, në 6 metër e 20 sot, mbi nivelin e tokës. Dhe se, tash kërkohet vetëm mirëmbajtje e argjinaturës, përmes fondesh të nxjerra nga Ministria e Bujqësisë, enkas për këtë argjinaturë problematike. “Eshtë abuzive puna e kryer?”- e pyes Rashën. “Absolutisht jo”, më thotë ai. Krejt ndryshe mendon Ujkaj, kryetari I komunës Velipojë. Sipas tij, “…dhënia e punës firmave nënkontraktore, që rezulton të jenë kliente të Bashkisë Shkodër, është një abuzim I pastër me fondet publike dhe një shprehje e hapur e korrupsionit në organet e qeverisjes vendore.”
Kuçedrat e inerteve gërryejn lumin Buna
Mbi fushat e NënShkodrës po bie mbrëmja. Një mbrëmje e ftohtë dhe e mbushur me fantazma të ulura këmbëkryq në trutë e fshatarëve, edhe më shumë prej frikës dhe ankthit, se mos ndoshta rinisin shirat dhe përmbytjet rikthehen sërish, si vitin e kaluar. Jam saktësisht në fushat e Bërdicës, fare afër lumit Buna. Befas, ndihet një uturimë e mbytur. Unë kthej kokën nga ana e lumit. Një ekskavator gjigand, me një nofull sa një mal, fut qafën e gjatë mes ujrash dhe nxjerr prej andej rërë të pastër. Pastaj, kova e zezë e derdh rërën në një kamion të rëndë. Lëndë e pastër për ndërtime. Me pasojë, dëmtimin e shtratit të lumit dhe më tej, daljen e lumit mbi shtrat dhe përmbytjen e tokave dhe shtëpive të fshatrave përreth. E tmerrshme. Si guxojnë?-mendoj. E kam larg tashmë Rudolfin dhe nuk mund ta pyes çfarë po ndodh me dinosaurët e tmerrshëm të inerteve. Por, më kap edhe mua trishtimi, njëlloj si banorët e pafajshëm, krejtësisht të pambrojtur dhe në shpresë të perëndisë, për t’I mbrojtur nga fantazmat e ujrave.
Këtu mer fund udhëtimi. Unë, ngrij, bashkë me fushat e përmbytura nga nata e zezë. Përtej, në Shkodër, ka mbërritur një lider politik. Që ka ardhur t’u kujtojë shkodranëve, se qeveria dhe kryeministri e kanë mbajtur fjalën: vjet, e kthyen Shkodrën në Venecia…

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK