Në Prishtinë me
“Kreshnikët” e Eposit legjenda

Në Prishtinë me<br />“Kreshnikët” e Eposit legjenda
Instituti Albanologjik i Prishtinës në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike Tiranë, organizoi  në datat 8 dhe 9 Gusht 2014 Konferencën e Dytë Shkencore Ndërkombëtare me temë  “Gjendja e Eposit të Kreshnikëve në pesë vende të Ballkanit: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mali i Zi”.
 
Në ditën e parë të konferencës, Dr.prof. Zymer Neziri, udhëheqës i këtij projekti, falenderoi studiuesit dhe pjesëmarrësit, duke cituar se ata kanë bërë punë të madhe brenda 3 vjetëve, duke i kaluar edhe eposet ndërkombëtare, të cilat kanë traditë shumë më të lashtë.

“Këngët dhe tregimet në prozë të mbledhura në këto 5 vende të Ballkanit, do të jenë objekt kryesor i shqyrtimit, por do të trajtohen dhe probleme të tjera të epikës sonë gojore. Dihet se deri më sot janë shënuar rreth gjysmë milion vargje dhe tani në këtë projekt po kalojmë në  600 mijë”, theksoi Neziri. 

“Pra, është një shifër monumentale për eposin tonë, për eposet në Ballkan, për eposet ndërkombëtare dhe për eposet botërore. Vetëm një paralele, eposi i Tibetit kishte 400 mijë vargje”, tha Dr.prof. Zymer Neziri.

Ndërsa Ardian Marashi, nga Qendra e Studimeve Albanologjike Tiranë, i cili është edhe bashkorganizator i kësaj konference, tha se pret që të ndriçohet edhe më shumë eposi shqiptar si një nga monumentet më të besueshme të kombësisë shqiptare.

Pasditen e së premtes vijuan kumtesat në disa panele e sëfundi në konkluzionet e organizuesit dhe drejtuesit të konferencës, Prof.Dr.Zymer  Neziri, i cili falënderoi pjesëmarrësit vendas dhe të huaj nga Gjermania, Kanadaja, Serbia, Polonia etj dhe studiues dhe albanologë vendas për kontributin dhe vlerat ndaj Eposit të Kreshnikëve, duke realizuar dhe tejkaluar të gjitha parashikimet në këtë fushë.
 
Projekti Eposi i Kreshnikëve, monumenti i trashëgimisë kulturore shqiptare në Ballkan, pra në  Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi, i realizuar në periudhën  dy vjeçare 2012-2014, ishte  në qendër të vëmendjes të kësaj konference shkencore ndërkombëtare.
Përveç studiuesve të njohur vendas e të huaj, në konfrencë morën pjesë rreth 60  referues nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe studiuesi i njohur dhe albanologu kanadez, Robert Elsie, studiuesja nga Polonia, Agata Rogos,e cila mbajti kumtesën interesante, “Fenomeni i virgjëreshës në traditën shqiptare dhe në eposin e kreshnikëve”, Karl Reichi, universiteti i Bonit, Gjermani, e të tjerë.
 
Nga studiuesit vendas tërhoqën vëmendjen kumtesat e studiuesit  prof.dr.Begzat Baliu, Prishtinë me temë “Eposi në ndërdijen kombëtare”,  ku pos të tjerash citoi se në hulumtimin tonë kemi pasur parasysh unifikimin e mundshëm të antroponimeve, toponimeve, oronimeve dhe referencave të tjera të baladave dhe këngëve kreshnike në zonat etnografike.
 
Ndërsa Akademik Prof.Dr.Mark Tirta, në kumtesën “Dukuri të komunitarizmit me ligjin dokesor shqiptar në Eposin e Kreshnikëve”, theksoi se Eposi i Kreshnikëve si trashëgimi kulturore, që mbijetoi e u zhvillua gjate gjithë shekujve, nuk është epikë historike që të na flasin për heronj e ngjarje historike krejt të përcaktuara, si kohë të datuara, por me gjithë këtë na flet shumë për historinë, për qëndresën kundër pushtuesve.
 
Dr.Bahri Brisku, mbledhës dhe studiues i folklorit nga Ulqini (Mali i Zi ), në kumtesën e tij mbi shtresimet estetike në Eposin e Kreshnikëve të shqiptarëve në Mal të Zi, tha se në vlerat artistike të Eposit të Kreshnikëve krijuar te shqiptarët e Malit të Zi, dallohen disa shtresime estetike të veçanta .Këto vlera dallohen edhe nga mënyra e të kënduarit.
 
Prof.Dr.M usa Ahmeti mbajti kumtesën me temë “Eposi i shqiptarëve sipas relacioneve të relatorëve shqiptar dhe të huaj dërguar Selisë së Shenjtë,Vatikanit në shek.XV-XVII”,e cila u dëgjua me interes nga të pranishmit.
 
Me interes ishte edhe kumtesa e Dr.Mag.Ina Arapi (vajza e poetit Fatos Arapi), mbi raportin e paskajores dhe lidhores ne eposin e kreshnikëve.
 
Tashmë dosja e Eposit të Kreshnikëve ështe e gatshme për në UNESKO.

Në orët e mesditës së shtunë pjesëmarrësit udhëtuan drejt Rugovës, ku ndoqën programin artistik të Ansamblit autokton “Rugova”, takim me lahutarë dhe lahutpunues dhe një drekë në restorantin “Bjeshka” me ushqime tradicionale të zonës.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Tiranë, 22 vjeçari merret forcërisht nga lokali e dhunohet në Shëngjergj, arrestohet babai i ish-të dashurës, vëllai, kushëriri i tij

Tiranë, 22 vjeçari merret forcërisht nga lokali e dhunohet në Shëngjergj, arrestohet babai i ish-të dashurës, vëllai, kushëriri i tij