Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof. dr. Enver Hasani është pritur ditën e sotme në një takim nga Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.

Kryefjala e diskutimit të tyre ka qenë reforma në sistemin gjyqësor shqiptar, e cila përfshn Gjykatën Kushtetuese, veçanërisht rritja e cilësisë dhe meritokracisë në përbërjen e këtij institucioni dhe më konkretisht në kriteret e emërimit, marrjen e vendimeve në kohë, kuorumin e nevojshëm për dhënien e vendimit, etj.

Gjatë takimit, Ministri Naço theksoi se mbeten të hapura mundësitë për rritjen e mirëfunksionimit të kësaj gjykate, duke e lidhur këtë edhe me çështjen e arsyetimit në kohë të vendimeve, proces ky që shpesh ka krijuar një ngërç institucional.

Naço dhe Hasani kanë rënë dakort mbi rëndësinë që paraqet shkëmbimi i eksperiencës në drejtim të forcimit të institucioneve kushtetuese. Në vijim të kësaj, Ministri Naço është treguar i hapur në marrjen e çdo eksperience nga ekspertët kosovarë, ndërsa theksoi se do të ishte në interesin e ndërsjelltë përfitimi nga eksperienca reciproke.

Ndërsa e njohu Ministrin Naço me disa detaje rreth ecurisë së punës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, duke veçuar disa prej vendimeve më të rëndësishme të këtij institucioni, Hasani e vuri theksin tek rëndësia që paraqet interpretimi i Kushtetutës, duke e cilësuar këtë process si një çështje mjaft të ndjeshme.
nasip naco

Redaksia Online

(o.b/ Shqiptarja.com)