Naço: Lufta ndaj korrupsionit
gati ndryshimet kushtetuese

Naço: Lufta ndaj korrupsionit<br />gati ndryshimet kushtetuese
TIRANË - Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, priti sot në një takim shefin e zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Marco Leidekker dhe zëvendësshefin, Olsi Dekovi. Pas urimeve të rastit, Leidekker e falenderoi Ministrin për këtë takim. “Dëshiroj t’ju ofroj asistencën tonë në projektet që keni si objektiv të punës suaj. Nga ana tjetër, ambasadat europiane në Shqipëri do të jenë të fokusuara tek ju”- është shprehur Leidekker.

Nga ana e tij, ministri Naço tha se është një lajm i mirë që progres- raporti do të kthehet në plan aksioni në të ardhmen. “Kemi filluar nga strategjia anti- korrupsion, që do të përfundojë së shpejti. Gjithashtu, kemi në funksion portalin e denoncimeve online “Stop Korrupsionit në Drejtësi”, që është një mjet mbrojtës për qytetarët për të denoncuar korrupsionin. Kemi kaluar tek aktorët e drejtësisë paketën ligjore për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale. Korrupsioni duhet të konsiderohet si një krim i rëndë dhe ne do ta luftojmë si të tillë. Kemi parashikuar edhe ndryshime kushtetuese, përsa i përket imunitetit dhe Ligjit për Gjykatën e Lartë.”- tha në fjalën e tij Ministri Naço.

Më pas diskutimi mes Naços dhe Leidekker, është ndalur në vizitën e ardhshme të përfaqësuesve të Komisionit të Venecias në Tiranë, më 21 nëntor, për të diskutuar mbi Gjykatën e Lartë.

Shefi i Zyrës së Këshillit të Europës tha se PACA është një projekt që ka lënë përshtypje të mirë, prandaj qeveria e re duhet t’i vazhdojë ato aty ku kanë mbetur. Gjithashtu, ai u shpreh se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe KiE qëndron në bazë të memorandumit të përbashkët.

“Ne nuk jemi të fokusuar vetëm tek anti- korrupsionit, por edhe tek gjykatat. Presim të diskutojmë me ju një marrëveshje bashkëpunimi të re, bazuar mbi një analizë të projektet e financuara nga ne deri më tani dhe sa efektive kanë rezultuar, në mënyrë që të nisim projekte të reja në Shqipëri.”- përfundoi Leidekker.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë