TIRANE - Ministri i Drejtësisë Nasip Naço priti në një takim sot Prokurorin Kombëtar të Antimafias italiane, Franco Roberti.

Gjatë takimit është diskutuar ndër të tjera edhe mbi çështje që kanë të bëjnë me mjetet dhe planin e masave se si duhet luftuar krimi i organizuar, marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mundësitë për shkëmbim eksperience dhe mbështetje në fusha me interes reciprok, ndërsa biseda është konkretizuar edhe referuar të dhënave statistikore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në fjalën e tij, Ministri Naço informoi Prokurorin Roberti në lidhje me përpjekjet e Ministrisë së Drejtësisë dhe qeverisë shqiptare për intensifikimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit me shtetin italian si dhe ka vlerësuar rëndësinë e thellimit të këtij bashkëpunimi.

Ndërsa ka bërë një përmbledhje të masave të ndërmarra në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Naço theksoi se, nisur edhe nga fakti se krimi është një proces që nuk njeh kufi lind nevoja e ngritjes së një bashkëpunimi jo vetëm mbi baza të forta profesionale por edhe mbi besimin reciprok.

“Kemi nisur një proces për ndërmarrjen e disa ndryshimeve në kodin e procedurave penale, i cili ka mjaft ngjashmëri me kodin tuaj. Vendimi për këto ndryshime erdhi pasi kodi ynë është hartuar në vitin 1995 dhe si i tillë kishte nevoja për amendime, që do të mund të ndikonin në rritjen e efikasitetit të tij. Janë ndërmarrë veprime konkrete dhe sot mund të them se nuk kemi mbetur më peng i demagogjisë. Përsa i takon goditjes së krimit të organizuar, ligji i ri “Antimafia është një instrument me vlerë që e godet në zemër krimin, duke e vënë theksin në sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale”, u shpreh ministri

Më tej Naço nënvizoi vendosmërinë se Shqipëria nuk do të jetë strehë për kriminelë ndaj dhe në çdo rast, duke e siguruar prokurorin Roberti se Ministria e Drejtësisë, përmes masave të saj, ka dhënë mesazhe të qarta për të gjithë sistemin, sikurse edhe për sistemin gjyqësor në veçanti.

naco roberti

Gjatë bisedës Roberti parashtroi disa ide se si mundet që zgjerimi i bashkëpunimit ndërkombëtar mund të jetë efikas në goditjen e krimit të organizuar, duke e vënë theksin edhe në bashkërendimin e veprimeve hetimore mes dy vendeve tona.

“Përballja me sfidat që sjell krimi i organizuar mund të ketë sukses nëse ngrihen grupe të përbashkëta hetimore por edhe nëse shkëmbehet eksperienca. Ne jemi të gatshëm t’ju asistojmë përmes vënies në dispozicion të mjeteve tona informatike-logjistike dhe në këtë kuadër gjej rastin të theksoj rëndësinë e mbledhjes dhe koordinimit të të dhënave në një bankë qëndrore ku ato mund të përpunohen dhe më pas të shërbejnë si një instrument për ngritjen e hipotezave të ndryshme hetimore. Krimi i organizuar duhet te goditet në mënyrë frontale që të krijohet siguri ndër të tjera edhe në aspektin ekonomik por edhe më gjerë”, tha Roberti

Prokurori Kombëtar i Antimafias Italiane, Franco Roberti ka qenë i shoqëruar në këtë takim edhe nga Ambasadori i Republikës së Italisë në Shqipëri, Massimo Gaiani, Zv/Prokurori Kombëtar i Anti-Mafias, Francesco Mandoi, Shefi i Shërbimit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Filippo Spiezia si dhe të tjerë bashkëpunëtorë pjesë e delegacionit zyrtar.

Prokurori Kombëtar i Antimafias italiane, Franco Roberti, gjatë vizitës së tuj zyrtare në Tiranë ditën e sotme zhvilloi takime me homologun e tij shqiptar Adriatik Llalla dhe Presidentin Bujar Nishani.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)