Na duhet KQZ ndërkombëtare

Na duhet KQZ ndërkombëtare
NVetëm me shtatë anëtarë të huaj në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve mund të zgjidhet situata. Përshembull, shtatë ambasadorë, ku kryetar të ishte ose Ettorja, ose Alexandri, e anëtarë të ishin me rradhë, ambasadorja e Gjermanisë, Hollandës, Italisë, etj. Këto shtete që u ka rënë “bretku” me punët shqiptare tash 23 vjet.

Në mosaprovim të tyre, mund të na huanin secila ambasadë juristin përkatës, i cili për kaq kohë ka nxënë nga ligjet shqiptare, e do ketë lexuar sadopak për kodin zgjedhor. Bindja është se askush prej palëve nuk do ta kundërshtonte një zhvillim të tillë, megjithëse përfundimisht do të merrnim damkën e shtetit që nuk gjen dot shtatë njerëz të pakontestuar e që në përfundim të zgjedhjeve, më në fund, humbësi t’i japë dorën fituesit, apo së paku ta pranojë fisnikërisht humbjen.

Eshtë jashtë çdo logjike kjo që po ndodh. Vetëm pak javë para zgjedhjeve, institucioni më i lartë zgjedhor në vend, KQZ, ajo që i vë vulën finale ndodhisë së 23 qershorit, nuk egziston më. Domethënë, egziston, por edhe nuk egziston. Mund të mblidhet se janë të pranishëm shumica e anëtarëve, por nuk mund të marrë vendime se nuk është shumica.

PD dhe PS-LSI akuzojnë njëra tjetrën. Kanë arritur të tërheqin audiencën më të madhe, madje edhe të shtëpiakeve që dëshpërimisht e gjejnë qetësinë tek telenovelat. Në mos punë ligjore, kodi, a kushtetuese, duket se është kthyer thjesht në çështje “inati”; ti më bën të zezën, unë të bëj gjëmën; ti më bën gjëmën, unë të vë flakën; ti më vë flakën, unë të hedh minat; ti më ke në grykë të pushkës, unë të kam në grykë të topit...

E kështu gjëmë pas gjëme, e flakë pas flake, situata ka arritur në një pikë të vdekur, ku të gjitha palët rrinë në kokë të tyre, ndërkombëtarët ndahen edhe ata me kampe (edhe kur nuk ndahen, s’i dëgjon njeri), e asnjë nuk lëshon fill. E nëse askush nuk ndërrmerr hapin e parë “hajt të ulemi se s’ka më kohë”, e me zë të ulët të shtojë edhe se u bëmë gazi i botës, kur ulërasim se jemi vend i NATOS-s e nxitojmë të kalojmë pengesat për BE, (por kur vijnë zgjedhjet bëjmë si fiset e Mozambikut me kallash në flamur), atëherë vërtetë që jemi në hall.

Ne, shqiptarët. Sepse në llogari të fundit, për “mbrojtjen e kauzës së drejtë” shqiptarët do të thirren në sheshe, mitingje e protesta. Shqiptarët “e atyre” dhe shqiptarët “e këtyre”. Deri tani situata është disi e qetë, ka mbetur tek ngjalat, por me shtrëngimin e kohës mund të dalin edhe halat (për kryeministrin, ngjala nuk ka hala).


Turp!? Eshtë pak të thuash. Dihet se fajtori nuk mund të gjendet sot, brenda këtyre pak ditëve. Eshtë shumë i vjetër. Zë fill tek mosbesimi i ngritur në “ligj” se ai që fiton zgjedhjet në Shqipëri nuk i meriton ato, por i vjedh. Ai që ka pushtetin në dorë, mendon katër vjet, jo për të çuar sadopak vendin përpara, por si t’i kthejë zgjedhjet në fund të mandatit në favorin e tij.

A nuk nisi edhe ky ngërç i stërmadh i KQZ dhe që rrezikon zgjedhjet pikërisht nga një dyshim i tillë. E nisi kryeministri me idenë se nuk mund t’i besojmë KQZ se u bë mazhorancë opozita. E vazhdoi opozita me të njëjtën ide, vetëm me një plus në dorë, se KQZ e kishte nisur tashmë punën si institucion i pavarur.

E thjeshtë, ata që besohet se ndërtojnë shtetin, nuk kanë vetë besim tek institucionet...(ata, drejt të cilëve ne duam të shkojmë, menaxhimin e zgjedhjeve e kanë të dorës së fundit, zakonisht e bën Ministria e Brendshme përkatëse. Në disa vende votohet me laps. Në disa të tjera rezultatet dalin pas pak orësh).

Rreziku sillet vërdallë. Duke njohur kokëfortësinë e të dyja palëve dhe besimin se të dyja kanë të drejtë, situata mund të dalë edhe jashtë kontrollit. Do ishte e pafalshme. Sidomos për politikanët më të vjetër në të gjitha partitë, të cilët e kanë parë, apo e kanë provuar se ku të çon një situatë e tillë. Njëra palë “duhet ta ulë hundën”. Le të ofrojë ajo e para disa propozime dhe të nisë njëfarë debati mbi diçka reale, dhe jo debate shterpë si ato në Kuvend.

Ndryshe nuk mbetet gjë tjetër, veçse t’u kërkojmë ndërkombëtarëve, që pas suportit që na japin në cddo fushë të jetës, të na organizojnë edhe zgjedhjet. Mundësisht edhe të na numërojnë votat... Sepse ne nuk dimë të bëjmë një shtet sovran.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.04.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës